Naço me Buquicchio: Emergjente ndërhyrja në KLD e Gjykatën e Lartë

473
Sigal

TIRANE – “Ndërhyrja në ligjin për Këshillin e Lartë të Drejtësisë ka qenë emergjente, dhe po e tillë situata është edhe në Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese”. Kështu është shprehur Ministri i Drejtësisë Nasip Naço gjatë një takimit të zhvilluar me Presidentin e Komisionit të Venecias Gianni Buquicchio në kuadër të vizitës që ky i fundit po zhvillon në Tiranë.

Takimi i zhvilluar në Ministrinë e Drejtësisë kishte në fokus të tij vijimin e bashkëpunimit të mëtejshëm me Komisionin e Venecias, përmes konsulencës ligjore, në drejtim të ndryshimeve kushtetuese, që janë përcaktuese, në proceset reformuese në sistemin e drejtësisë.

Ministri Naço e njohu Buquicchio me punën që po bëhet për finalizimin e një pakete iniciativash ligjvënëse, që do të kenë si objektiv reformimin e qëndrueshëm dhe afatgjatë të sistemit të drejtësisë, nën asistencën dhe konsultimin e Komisionit të Venecias, si dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë.

Gjatë takimit Ministri Naço ka bërë prezente gjatë takimit një sërë shqetësimesh lidhur me gjendjen e sistemit, duke veçuar se ka qenë emergjente dhe e rëndësishme ndërhyrja e bërë në ligjin për Këshillin e Lartë të Drejtësisë, si dhe ka evidentuar se po aq prioritare janë edhe ndërhyrjet që duhet të bëhën në Gjykatën e Lartë dhe atë kushtetuese.

Ndërkohë, bashkëbiseduesit komentuan me nota pozitive, konferencën e djeshme, duke evidentuar se ajo solli diskutime të frytshme, duke mbledhur edhe njëhërë të gjithë së bashku një pjesë të mirë të aktorëve kryesorë të sistemit të drejtësisë.

Buquicchio, duke dakorduar mbi rëndësinë e gjithëpërfshirjes në ndërmarrjen e reformave, u shpreh gjatë bisedës se realizimi i një reforme tërësore në sistemin e drejtësisë do të kërkojë kohën e vetë.

Sakaq Naço u ndal edhe në rëndësinë që paraqet ngritja e komisionit të posaçëm për reformën në drejtësi, ndërsa e ka informuar Buquicchio lidhur me rolin e Ministrisë së Drejtësisë në këtë komision, duke garantuar se ndryshimet që do të propozohen pranë tij do të jenë në linjë me parimet evropiane dhe në shërbim të drejtimit të institucioneve në binarët e ligjit.

Duke e konsideruar të pazëvendësueshme ekspertizën e Komisionit të Venecias, Naço është shprehur se mirëpritet çdo opinion dhe rekomandim ligjor që do të ndikonte në një reformim të thellë dhe të qëndrueshëm.