Myslim Pashaj: “Qeveria jonë për Paktin Detar nuk njeh historinë, ndaj gabon”

463
Sigal

INTERVISTA/ ” Flamuri ynë  kokëposhtë në Athinë, një fakt fyes dhe shpërfillës”

Është e qartë që ministri Panariti u ftua në Athinë, që qeveria greke  të ushtronte  presion mbi qeverinë shqiptare, për të pranuar, qoftë edhe në heshtje, zbatimin e marrëveshjes së nënshkruar të Paktit Detar. Askush nuk mund të besojë  që në kësi rastesh, ato që u thanë në konferenca shtypi, të përbashkëta,  janë edhe përmbajtja e bisedimeve. Duke njohur shumë mirë diplomacinë greke, pakkush mund të besojë se qeveria greke- derisa ka në dorë nënshkrimin e marrëveshjes së parë, të pranojë të rinegociohet prapë me Shqipërinë, që të humbasë ato privilegje sipërfaqeje detare, që ajo përfitoi.  Qeveria greke, duke njohur edhe nevojën e madhe që do të kenë qeveritë shqiptare ( edhe ato qeveri që do të vijojnë) për një mbështetje të Greqisë për integrimin europian, do të ushtrojë presion politik,  me çdo mjet të paskrupullt, ndaj diplomacisë shqiptare që të mos  ndërmarrë asnjë hap rishikimi të marrëveshjes detare. Myslim Pashaj, iniciatori i denoncimit të marrëveshjes të Paktit Detar të Shqipërisë me Greqinë në Gjykatën Kushtetuese, në intervistën për “Telegraf” hedh dritë mbi këto hije që nuk u guxuan të thuhen e të publikohen, nga bisedimet Panariti- Avramopullos në Athinë lidhur me gjoja rinegociatat për një Pakt të ri Detar.

– Zoti Pashaj, nisja e negociatave  me Greqinë, nga qeveria e jonë për një Pakt  të ri Detar, a është e ligjshme në bazë të Kushtetutës tonë?

– Po. Është e ligjshme. U përmbys një vepër antiligjore dhe antikushtetuese dhe në vend të saj do të projektohet një tjetër. Hapësira që do të zërë gjeometria e ndarjes së shtrat-detit kontinental të detit Jon, kaq shumë i përfolur në këto dy vjet e gjysmë, do të jetë një moment tjetër historik se si arrin vërtetësia dhe drejtësia të zërë vendin dhe hapësirën e duhur, kur tradhtia, nën rrogozin e detit shqiptar, dridhte tespihet e turpit të saj. Gjykata Kushtetuese e  jona fare rastësisht e shqyrtoi atë çështje, madje nuk donte në fillim as ta shqyrtonte, sepse nuk ish edhe shume e qartë se kush kish të drejtë ta adresonte. Veç kësaj, u dyshua që në fillim (me të drejtë) se si kish mundësi që segmente të shtetit të bënin gabime të tilla sa të rrëzohej një akt që vlerësohej si një arritje e madhe diplomatike midis të dy vendeve. Në historinë që do të shkruhet, kjo  anti-vepër do të hynte si një nga aktet më antikombëtare të shtetit modern shqiptar. Por askush nuk ndihet dhe s’ka nxjerrë një gjysmë fjale, veçse thonë me gjysmë zëri “Marrëveshja= zero”, për t’u tallur me këta shqiptarë të mësuar kësilloj. Këtë marrëveshje e pati ndërtuar Sali Berisha me njerëzit e tij të bindur, që tashmë janë në hierarki të larta në botën diplomatike, apo që vijojnë të vegjetojnë me tituj dhe me joshje të reja, ndërkaq Shqipëria pëson një ngërç diplomatik të paparë, me Greqinë fqinjë.  Një vepër e kryer, e turpshme, e ndëshkueshme, e cila rri e fshehur deri tash, pa thënë asnjë fjalë për autorët e saj. Shkaku? Sepse vet Sali Berisha kish gatuar atë Pakt famëkeq. Në arkivat e Gjykatës Kushtetuese do të gjeni  ndotjen e paparë  Admiral Gerevenit dhe juristes Hysi që deklaruan se:  “I dhamë më shumë det Greqisë, se ajo ka Flotë detare më të madhe”. Ndërkohë diplomati i lartë Ferit Hoxha sogjetonte nga OKB-ja! Ja, këta janë personazhet e asaj kuzhine “berishiane” që gjallojnë sot.

– Vetë Greqia nuk pranon kurrsesi të negociojë me Turqinë një rishikim të kufijve detarë, kur dihet që midis tyre ka shumë pika të diskutueshme e të hapura. Duke e ditur këtë, përse  qeveria shqiptare sillet inferiore me Greqinë?

– Duhet të sqarojmë se kur Greqia e ratifikoi Marrëveshjen e Maontego Bay 1982, Turqia shpalli “Cassus belli” (gjendje lufte), për ishuj të saj shkëmborë detarë, në kufi midis dy vendeve. E bëri me një dinjitet të lartë kombëtar. Ndërkohë, Greqia u zmbraps dhe kufijtë detarë nuk janë ndarë ende. Studiuesit grekë duan që ta përqasin Paktin e Shqipërisë me Greqinë njëlloj si atë me Turqinë. Në këtë mes ka krahasime vetëm rrethanore, që kanë të bëjnë me ishujt, por rasti shqiptar është unikal në botë.  ” Shqipëria përgatiti një falje të hapësirave detare me zellin e saj”.  Kjo e ka habitur tërë opinionin.

– Përtej termit diplomatik “negociata për Paktin Detar”, çfarë fshihet në të vërtetë? Vallë, ndryshim i kufijve detarë? Dhe si lindi kjo “kërkesë” tani?

– Mbase duhet që të ndriçohet edhe kjo. Erdhi koha që, nuk mund të mbahej më e fshehtë, ajo vepër antikombëtare. Sepse Greqia në dy deklarata kish kumtuar se: “Shqipëria duhet të zbatonte Marrëveshjen” Qeveria nuk mund të rrinte gojëkyçur. Ajo filloi të “hulumtojë” në dikastere se si ishte puna që ajo kish kryer ( pavarësisht nga gjykimi i Kushtetueses). U rrotulluan në vete dhe e sollën sërish në Ministri të Jashtme, përmes qarkoreve alarmante dhe “top secret”, sepse aty panë se ngërçi kish mbërritur. Prandaj u treguan transparent. Por asnjëherë nuk përmendën se kush e kish kryer këtë gatim dhe kush ish mbrojtësi i saj i flaktë ( Berisha). Tani thonë pa pikë turpi: ” Oh sa e vështirë është kjo punë! Me Italinë na u desh tetë vjet… Ohu…”. Pra e kuptojnë se për faj të tyre ujërat detarë nuk ndahen kaq kollaj, sepse në të është futur djallëzia. Edhe unë e kam këtë mendim. Negociatat do të jenë shumë të vështira.

– Në qoftë se do të duhet të bëhen negociata midis Greqisë dhe Shqipërisë, për Pakt Detar të ri, çfarë përmbajtje duhet të kenë?

– Përmbajtja e parë kërkon shqyrtim transparent. Pa u bërë kjo nuk mund të ketë rinegocim. Përmbajtja e dytë është shumë ndryshe nga e para, në metodologji dhe shqyrtim diplomatik. Baza ligjore ndërkombëtare është themelore dhe orientuese, por duhet mirëkuptimi midis të dy vendeve që tash është cenuar. Baza ligjore Kombëtare nuk ekziston fare. Ne nuk kemi një ligj të brendshëm për kufijtë. Ne nuk kemi shtruar brenda vetes çështjen e Gjirit historik të Sarandës. Ne nuk e dimë fare se ku ndodhet Barketa dhe ç’lojë e fshehtë është bërë me atë shkëmb sipërfaqësor. Pse kështu mund të fillojnë rinegocimet?

– Sipas jush, a duhet që  Shqipëria, çdo negociatë për Paktin Detar, ta kushtëzon edhe me kërkesat e saj për kufijtë tokësorë?

– Greqia nuk ka njohur me një dokument bazë as Kufijtë tokësorë. A nuk duket si e çuditshme! Një thagmë apo jo! Ngjan  si një harrim, përqasur me atë flamurin me shqiponjën kryeposhtë. Pra si një harrim: “Po s’ka gjë se ne kemi sa e sa protokoll-marrëveshje për kufijtë dhe ajo firma dhe dokumenti nuk ka pse duhet!” Mendoj se nuk është harresë as kalesë pa koordinatë të mëpastajme! Shqipëria e sotme është kryeulur. Ajo nuk i shqyrton këto dokumente historikë, ndaj vijon të gabojë, të harrojë me dashje për gjëra thelbore që kanë të bëjnë me Mëvetësinë e Shqipërisë historike.

– Derisa Greqia e ka pikë të nxehtë këtë Pakt Detar me Shqipërisë, a duhet që qeveria dhe diplomacia jonë duhet që të kushtëzojë edhe Çështjen Çame?

– Kam mendim se na duhet reciprocitet. Çështja Çame thuhet me belbëzim. Në ato troje tragjikë as mund të shkosh. Atje ka një mister të hershëm ka një nëmje të hatashme. Atje kontrollohen edhe zogjtë kur fluturojnë dhe jo gazetarët si Marin Mema apo Rudina Xhunga. Ne kryeulur. Diplomaci që shpërfill interesat kombëtare është kjo e jona, pjellë e qeverisë-Regjim.

– Shqipëria a ka detyrime në bazë të ligjshmërisë ndërkombëtare, që të zbatojë marrëveshjen, që e nënshkroi?

– Për të qenë sa më të saktë. Herën e fundit Ministri i Jashtëm grek nuk e tha një gjë të tillë, siç e ka përmendur më parë. Mund të them nga ato që kumtoi Ministri Panariti, ai gati -gati nuk ka shfaqur opinion të tij, çka nënkupton se do të vij një ditë tjetër, kur ai ta thotë me gjithë zërin.

– Po Greqia, a mundet ta zbatojë marrëveshjen njëanshmërisht?

– Sa i përket Detit Territorial ( 22.22 km = 12 md) Greqia po e zbaton. A nuk iu kujtohet se si i përzunë peshkarexhat tona nga deti ynë!? Po kujt t’i ankohen shqiptarët e detit; atyre që ua shitën detin dhe i ka lënë tani pa një ligj të brendshëm!?

– Faleminderit!