Nga të prekurit Covid deri te studentët dhe fermerët, LSI dorëzon në kuvend propozimet për ndryshimin e buxhetit të vitit 2022

193
Sigal

Eriona Bixha ka dalë në një konferencë për shtyp nga Selia e LSI-së për të folur për buxhetin e vitit 2022 që pritet të diskutohet nen për nen ditën e nesërme në Parlament.

Eriona Bixha deklaroi se LSI ka dorëzuar në kuvend amandamente që përfshijnë:

-rritjen e buxhetit për arsimin me 5 miliardë lekë;

-rritjen e mbështetjes financiare për rimbursimin e barnave të qytetarëve të infektuar me Covid-19;

-të shtohet shuma prej 4.9 miliard lekë për fermerët.

Deklarata e plotë e Eriona Bixhës!

Nesër në Parlamentin e Shqipërisë është një ditë tepër e rëndësishme për të gjithë Shqipëtarët pasi do të diskutohet nen për nen Projektligji “Për Buxhetin e vitit 2022” sëbashku me Paktën Fiskale.

Lëvizja Socialiste për Integrim si një forcë politike serioze, e përgjegjshme dhe gjithmonë në shërbim të intersave të qytetarëve ka nisur prej javësh punën me komisionet e saj. Qytetarët dhe publiku ka patur mundësi të ndjek veprimtarinë tepër aktive të këtyre komisioneve me profesionistë të fushave të ndryshme. Veprimtaria e komisoneve pranë Lëvizjes Socialiste për Integrim është lidhur ngushtë me konsultimin dhe punën e vazhdueshme që zhvillojnë me grupet e ndryshme të interesit.

Më konkretisht, Komisioni i Arsimit, i Bujqësisë dhe ai i Shëndetësisë dhe çështjeve Sociale kanë dorëzuar në Kuvendin e Shqipërisë 7 amendamente.

Komisioni i Arsimit ka hartuar Amendamentin Nr.1 “Për rritjen e pagave të mësuesve”.

Rritja prej vetëm 6% e pagës së mësuesve të arsimit parauniversitar është e pamjaftueshme duke marrë në konsideratë rritjen e çmimeve në përgjithësi, ndaj në zërin shpenzime korente për arsimin bazë dhe arsimin e mesëm shtohen gjithësej 2 miliard lekë, respektivisht 1,4 miliard për arsimin bazë dhe 600 milion për arsimin e mesëm, me qëllim rritjen e pagës së mësuesve dhe financimin e programeve të përmirësimit të cilësisë në mësimdhënie.

Amendamenti Nr.2 i hartuar nga Komisioni i Arsimit “Rritja e Granteve në mësimdhënie dhe në kërkime shkencore”.

Ky amendament synon rritjen e pagave të pedagogëve dhe përgjysmimin e tarifave studentore, amendamenti propozon që në zërin shpenizme korente për Arsimin e Lartë të shtohen edhe 5 miliard lek. Ky buxhet që shtohet i shkon grantit për mësimdhënie.

Me qëllim shtimin e projekteve të kërkimit shkencor, hapjen e doktoraturave dhe ngritjen e laboratorëve moderne të kërkimit shkencor, propozohet që në zërin për kërkimin shkencor të shtohet vlera prej 5 miliard lekësh. Kërkimi shkencor nuk është i domosdoshëm vëtem për akademikët dhe studentët, por për të gjithë profesionet. Në ditët e sotme bazuar në rëndësinë e kërkimit, ai duhet të kthehet në një nga misionet kryesore të Universiteteve dhe Qeverisë duke investuar dhe duke krijuar hapësira të nevojshme për kultivimin e një kërkimi shkencor të shëndetshëm. Fatkeqësisht, sot prej disa vitesh ne nuk kemi asnjë program doktorature të hapur.

Komisioni i Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale ka hartuar një amendament i cili synon “Rritjen e mbështetjes financiare për rimbursimin e barnave të qytetarëve të infektuar me Covid-19”.

Të gjithë qytetarët e dinë shumë mirë dhe e përjetojnë çdo ditë në kurrizin e tyre situatën e rënduar nga shtimi serioz i rasteve me COVID-19 dhe pamundësinë e xhepave të tyre për të përballuar kurimin nga ky virus. Ndaj, LSI kërkon një shtesë prej 2 miliard lek në Buxhetin e Vitit 2022 për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtes Sociale, me destinacion rimbursimin e barnave për të semurët e infektuar me COVID-19.

Komisioni i Bujqesisë si një prej sektorëve më të rëndësishëm që mban sot ekonominë shqipëtare,  ka hartuar 4 amendamente për këtë projekt-buxhet.

Amendamenti NR.1 kërkon rritjen e buxhetit në programin buxhetor, “Zhvillimi Rural” të Ministrisë së Bujqësisë. Duke patur parasysh rëndësinë kombëtare të sektorit të bujqësisë në ekonominë shqiptare me rreth 20% të GDP, konstatojmë se mbështetja buxhetore prej 2.2 miliardësh është tërësisht e pamjaftueshme për këtë sektor. Ndaj duke patur parasysh dhe deklaratat e Kryeministrit i cili në të gjitha daljet e tij publike ka insistuar që fondi për fermerët do të jetë 7.1 miliard lekë, kërkojmë që në projektligjin për buxhetin e vitit 2022 të shtohet shuma prej 4.9miliard lekë për të arritur realisht shifrën e premtuar nga Kryeministri.

Tre amendamentet e tjera kërkojnë amendime në projektligjin “Për një Shtesë dhe disa ndryshime në Ligjin 92/2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë, të ndryshuar.” ku konkretisht kërkohet:

1.Mos miratimi i nenit 1dhe nenit 2 të këtij projektligji duke mos lejuar rritjen e TVSH për inputet bujqësore me 10% dhe lënien në fuqi të ligjit ekzistues duke ndikuar sadopak pozitivisht në mbështetje indirekte tek fermerët dhe bujqësia në tërësi.

2.Mos miratimi i nenit 3 të ligjit të cituar më sipër, i cili rrit shifrën e investimit nga 50 milion në 500 milion praktikisht do të bënte të pamundur investimet në Bujqësi pasi një shifër e tillë është e paarritshme nga 95% e fermerëve shqiptarë.

Të gjitha këto amendamente janë depozituar sot në Kuvendin e Shqipërisë me qëllimin e vetëm që jeta parlamentare të vendoset në funksion të zgjidhjeve të prekshme për jetët e qytetarëve tanë dhe i bëj thirrje maxhorancës të reflektojë mbi miratimin e këtyre amendamenteve për të mirën e përbashkët të shoqërisë sonë.