Motivacioni i KE për Berberin, Ramën dhe Ibrahimin

416
Sigal

DOKUMENTI/ Arsyeja e
refuzimit të gjyqtarëve të Qeverisë nga Këshilli i Europës


Ky është dokumenti i
Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës që rrëzoi kandidatët e propozuar
nga Qeveria shqiptare për gjyqtarë në Gjykatën e Strasburgut. Sipas përgjigjes
në dokumentin zyrtar, saktësohet se kandidatët e Qeverisë Rama nuk janë në
përputhje me standardet e kërkuara as për t’i marrë në intervistë. “Komiteti
rekomandon që Kuvendi të hedhë poshtë listën për procedurën e përzgjedhjes pasi
nuk është në përputhje me standardet e kërkuara nga ana e Komitetit”, thuhet në
përgjigjen për Shqipërinë. Tre kandidatët e propozuar nga qeveria, Genti
Ibrahimi, Sokol Berberi dhe Ina Rama, u shpërfillën krejtësisht duke u
informuar se asnjëri prej tyre nuk është i pranueshëm dhe nuk do të
intervistohet fare. Secili nga 47 vendet anëtare të Këshillit të Evropës ka të
drejtën të emërojë një gjykatës në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të
Njeriut. Procesi i përzgjedhjes së tyre përfshin dy hapa: fillimisht vendet anëtare
përzgjedhin dhe i propozojnë Këshillit të Evropës një listë me tre kandidatë.
Pastaj Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës zgjedh prej tyre
gjykatësin përkatës. Procesi i përzgjedhjes përfshin intervistimin e
kandidatëve nga përfaqësuesit e Asamblesë Parlamentare. Refuzimi në bllok i
listës është një ngjarje e rrallë në përvojën e Gjykatës. Tashmë qeveria
shqiptare duhet të paraqesë tre kandidatura të tjera. Gjykatësi shqiptar i
tanishëm në Gjykatën e Strasburgut është Ledi Bianku, mandati 9 vjeçar i të
cilit mbaron në mars të vitit të ardhshëm.