“Mos ma vrit fëmijërinë”/ Xhixho: Dënim shembullor për dhunuesit, burrat që s’janë burra

258
Sigal

Pjesë e marshimit protestë për dënimin e përdhunimit të 15-vjeçares nga 5 dhunues, që po mbahet në sheshin “Skëndërbej”, është edhe ish-deputetja e LSI-së Erisa Xhixho. Përmes një postimi në facebook, ajo thotë se duhet dënim shembullor për dhunuesit. “Si prindër kemi detyrimin t’i edukojmë fëmijët tanë. Nëna qëndrojuni pranë vajzave, që t’u hapen pa frikë. Mësojuni djemve të duan e të respektojnë vajzat, si të barabarta me ta, në të drejta e detyrime. Të dashur djem, e këtë ia përsëris edhe tim biri, forca nuk janë muskujt, por argumentet, respekti për tjetrin”.

Postimi i plotë

Iu bashkova sot marshimit-protestë “Mos ma vrit fëmijërinë”, si thirrje e fortë për të dënuar krimin monstruoz, abuzimin seksual të të mitures 15 vjeçare. Solidaritet, ndihmë dhe mbështetje me çdo kusht për vajzën e familjen e saj dhe dënim shembullor për 5 dhunuesit, burrat që s’janë burra, prindërit që përdhunuan një fëmijë, të njohurit që prenë në mes pafajësinë e të miturës.

Si prindër kemi detyrimin t’i edukojmë fëmijët tanë. Nëna qëndrojuni pranë vajzave, që t’u hapen pa frikë. Mësojuni djemve të duan e të respektojnë vajzat, si të barabarta me ta, në të drejta e detyrime. Të dashur djem, e këtë ia përsëris edhe tim biri, forca nuk janë muskujt, por idetë, argumentet, respekti për tjetrin.

Kjo ngjarje mjerisht e përsëritur është kambanë alarmi për të gjithë, prindër, mësues, pushtetarë, se indiferenca dhe harresa prodhon pasiguri e pastaj drama të pariparueshme. Ndaj sot mos hesht, ngri zërin, bëhu solidar, kërko drejtësi. Është përgjegjësia jonë që këto çështje t’i adresojmë e dënojmë me forcë, pasi fëmijëria e paqtë, pa dhunë, e sigurt dhe e mbrojtur janë detyrimi i parë për fëmijët tanë e duhet të garantohen me çdo çmim.