Mirësevjen Kosovë! Begaj: Kosova duhet të koordinohet me SHBA dhe BE si partnerët strategjik. Presidentja Vjosa Osmani: Jemi dy shtete që duhet të unifikojmë politikën e jashtme. Po dje Kryeministri Rama u takua me Presidenten Osmani

Presidenti i Republikës së Shqipërisë mikpret në Tiranë Presidenten e Republikës së Kosovës

Lidhur me bashkëpunimin ndërshtetëror, vëmendja kryesore u përqendrua në forcimin e thellimin e mëtejshëm të partneritetit strategjik, në të gjitha aspektet. Nënvizova se marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë, janë shumë të mira dhe se duhet gjithmonë të udhëhiqemi nga interesi kombëtar për të thelluar bashkëpunimin në të gjitha nivelet, politik, ekonomik, social e kulturor, si dhe për të avancuar në proceset integruese euroatlantike

Me ftesë të Presidentit të Republikës së Shqipërisë Prof. Dr. Bajram Begaj mbërriti në Shqipëri Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani. Nderimet më të larta presidenciale u kryen në Tiranë, ndërsa presidentja u prit me një ceremoni zyrtare në Presidencë.

NOA

Presidentja e Kosovës: Jemi dy shtete, por fatet tona janë të ndërthurura

Në konferencën për shtyp, që mbajtën krerët e shteteve të Shqipërisë së Kosovës, Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani tha se Kosova dhe Shqipëria kanë një lidhje unike, historike dhe kombëtare. “Përballë sfidave ne qëndrojmë të bashkuar duke u bashkuar në një qëllim: stabiliteti, prosperiteti dhe integrimi euroatlantik i vendeve tona. Kombi shqiptar gjithmonë ka qenë dhe vazhdon të mbetet faktor stabiliteti në rajon, me orientim të qartë euroatlantik. Synim shtetëror e strategjik yni mbetet anëtarësimi në NATO dhe në BE, si dhe në të gjitha organizatat e tjera ku kemi interes shtetëror. Fuqizimi i koordinimit të vazhdueshëm në politikën e jashtme është në dobi jo vetëm të shteteve tona, por edhe të rajonit më gjerë. Prandaj edhe kryefjala e vizitës sime është bashkërendimi për një strategji dhe veprim të unifikuar të politikës së jashtme.

Pavarësisht provokimeve për të tensionuar situatën në komunat me shumicë serbe në veriun e Kosovës dhe ndërhyrjet hibride nga aktorë të tretë dashakeqës, duhet një koordinim më i mirë me partnerët tanë kryesorë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian për të gjitha veprimet e ndërmarra. Askush nuk mund të vendosë në pikëpyetje sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.

Në 12 vitet e fundit janë nënshkruar 41 marrëveshje qeveritare ndërministrore, ndërinstitucionale mes Shqipërisë dhe Kosovës. Shteti i Kosovës, sikurse edhe Shqipëria, e kanë të qartë orientimin proeuropian dhe euroatlantik. Jemi përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të Bashkimit Europian dhe vendeve demokratike, jo vetëm sa i përket zhvillimeve në rajon, por në gjithë kontinentin tonë, sidomos me sfidat që po përballemi si kontinent në këto dy vitet e fundit. Ne jemi të vendosur për të kontribuar në funksion të paqes dhe stabilitetit, dhe të mbrojmë së bashku vlerat që po rrezikohen dhe atakohen nga Rusia dhe satelitët e saj në rajon. E kemi po ashtu detyrim që së bashku të punojmë për avancimin e interesave të të gjithë shqiptarëve në rajon, të cilëve vazhdimisht u shkelen të drejtat elementare, si atyre që jetojnë në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanovc,” Për Presidenten Osmani, Serbia mbetet sfida më madhore për Kosovën në rrugëtimin e saj ndërkombëtar. “Përderisa politika shtetërore e Serbisë vazhdimisht po e sfidon integritetin territorial të Kosovës dhe angazhohet në agresion institucional kundër Kosovës në baza të rregullta, ne do të kemi nevojë për përkrahjen e Shqipërisë e po ashtu për përkrahjen e aleatëve dhe partnerëve euroatlantikë. Rruga e vetme që sjell paqe dhe stabilitetin për gjithë rajonin tonë është atëherë kur rezultati përfundimtar do të jetë njohja reciproke dhe ruajtja e integritetit territorial, sovranitetit, rendit kushtetues dhe funksionalitetit të brendshëm të Republikës së Kosovës,” – tha Presidentja e Republikës së Kosovës.

 Presidenti i Shqipërisë: Kosova duhet të koordinohet me SHBA dhe BE si partnerët tanë strategjikë përtej provokimeve serbe

Presidenti i Republikës së Shqipërisë Prof. Dr. Bajram Begaj, tha gjatë konferencës për shtyp nga Presidenca se pavarësisht provokimeve që vijnë nga Serbia, Kosova duhet të koordinohet me partnerët strategjikë si Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian për situatën në veri të Kosovës. Presidenti Begaj tha se dialogu i “ndërmjetësuar nga BE dhe i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara është rruga e vetme drejt paqes si dhe anëtarësimit të Kosovës në organizatat rajonale dhe ato ndërkombëtare” “Bashkërendimi i politikave dhe veprimi i të gjithë institucioneve tona duhet të jetë një objektiv i qëndrueshëm dhe parësor pasi kështu krijojmë të gjitha premisat që faktori shqiptar të konsolidohet si faktor strategjik dhe stabiliteti në rajon. Jashtë vëmendjes nuk mund të mbeteshin zhvillimet në veriun e Kosovës. Pavarësisht provokimeve për të tensionuar situatën në komunat me shumicë serbe në Veriun e Kosovës dhe ndërhyrjet hibride nga aktorë të tretë dashakeqës, duhet një koordinim më i mirë me partnerët tanë kryesorë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian për të gjitha veprimet e ndërmarra. Askush nuk mund të vendosë në pikëpyetje sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës por koordinimi me partnerët është i domosdoshëm. Dialogu i ndërmjetësuar nga BE dhe i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara është rruga e vetme drejt paqes si dhe anëtarësimit të Kosovës në organizatat rajonale dhe ndërkombëtare përfshirë edhe atë të organizatës së Kombeve të Bashkuara. E sigurova zonjën Osmani për mbështetjen e plotë dhe angazhimin e Shqipërisë për të kontribuar me çdo mjet me të gjitha mundësitë e saj në mënyrë konstruktive në funksion të këtij dialogu”, – tha Presidenti i Republikës së Shqipërisë Prof. Dr. Bajram Begaj.