Miratohet propozimi i Veliajt, rritet çmimi i ujit

482
Miratohet propozimi i Veliajt, rritet çmimi i ujit të pijshëm 
U desh më pak se një orë që Këshilli Bashkiak të miratojë, me të gjitha votat e këshilltarëve të pranishëm, rritjen e çmimit të ujit të pijshëm
Këshilli Bashkiak miratoi mbrëmjen e djeshme rritjen e çmimit të ujit të pijshëm për Tiranën. Mbledhja ishte përcaktuar të niste në ora 18:00, por filloi me 50 minuta vonesë. Ndërkohë ajo nisi me largimin e anëtarëve që kanë marrë mandatin e deputetit në 25 qershor dhe zëvendësimin e tyre. Anëtarët e Këshillit Bashkiak të Partisë Demokratike ashtu sikundër ishte lajmëruar braktisën mbledhjen. Ishte kryebashkiaku Erjon Veliaj, i cili në fjalën e tij tha se, beteja në këtë mbledhje nuk është me frikacakët, por me vendimet që do të merren në interes të qytetit. Ndonëse kjo mbledhje kishte si pikë prioritare miratimin e projektvendimit për rritjen e çmimit të ujit të pijshëm, si pikë të parë u diskutua miratimi i 1 mijë kredive të buta për familjet e reja në Tiranë. Veliaj ashtu si një ditë më parë edhe dje në mbledhje shpjegoi arsyet se, pse duhet të rritet çmimi. Vendimi i Veliajt u përkrah edhe nga anëtarët e Këshillit Bashkiak të LSI-së. LSI dhe PDIU kanë pranuar rritjen e çmimit të ujit të pijshëm, një propozim ky i bashkisë. Këshilltarët e LSI dhe PDIU nga të cilët varet edhe vendimi përfundimtar janë shprehur pro në mbledhjen e këshillit bashkiak, me disa kushte të vogla që janë pranuar edhe nga kreu i Bashkisë Erion Veliaj. Në mbledhje ishin të pranishëm 31 këshilltarë, 25 të PS-së, 3 të PDIU-së, 2 të LSI-së dhe 1 i FRD, çka garanton kuorumin për të votuar vendimin. Këshilltarja e PDIU-së Vjollca Braho tha në emër të grupit të PDIU se është dakord për rritjen e çmimit. Këshilli Bashkiak i Tiranës ka miratuar me 31 vota propozimin e Bashkisë së Tiranës për rritjen e çmimit të ujit të pijshëm me 44%, nga 45 lek/ m3 në 65 lekë/m3. Në mbledhje morën pjesë këshilltarët e PS, LSI tre anëtarë, PDIU dhe FRD, të cilët bënë kuorumin e mjaftueshëm për miratimin e vendimit, ndërsa PD bojkotoi. LSI kërkoi fillimisht përjashtimin nga rritja e çmimit të familjeve me ndihmë ekonomike dhe pensionistët, diferencimin e biznesit si dhe ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme. Ishte kryebashkiaku Veliaj, i cili shprehu dakordësi për kushtet e LSI, duke paralajmëruar miratimin e rritjes së çmimit të ujit. “Kemi votat për ta bërë Tiranën me ujë 24h. Bashkia do t’i përcjellë ERU plan biznesin me gjithë propozimet e LSI. PS-LSI, Tirana me ujë më e rëndësishme se partitë”, ka thënë kryebashkiaku Erion Veliaj. Pas deklaratës së Veliajt, reagoi kreu i grupit të këshilltarëve demokratë, Leonard Olli, i cili akuzoi LSI-në për akt pabesie, ndërsa shtoi se dy forcat politike po bëjnë pazar me njëra-tjetrën në kurriz të qytetarëve.

Këshilltari i LSI, Kraja: Dakord me rritjen e çmimit të ujit
Këshilltari i LSI në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Agim Kraja u shpreh pro rritjes së çmimit të ujit me 65 lekë për m3 nga 45 që është aktualisht. “Jam dakord me këtë vendim, për rritjen e çmimit të ujit. Investimi në rrjetin e ujësjellësit është i domosdoshëm. S’është problem rritja e ujit në këtë masë, në këtë përqindje”, u shpreh Kraja. Agim Kraja, këshilltari i LSI i pranishëm në mbledhje
Sigal