Miratohet mes tensionesh ligji për gjuhët në Maqedoni

652
Parlamenti i Maqedonisë miratoi mes tensionesh me 64 vota, ligjin për përdorimin e gjuhëve, i cili mundëson përdorimin më të gjerë të gjuhës shqipe në pushtetin lokal dhe atë qendror të vendit. Ish-kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, e pengoi edhe fizikisht kryetarin e parlamentit, Talat Xhaferi, që të drejtojë seancën, e cila megjithatë ai vazhdoi dhe miratoi ligjin, ndërsa një grup qytetarësh ishte mbledhur para ndërtesës së parlamentit për të kundërshtuar votimin. VMRO DPMNE, në opozitë tha se ligji është në kundërshtim me Kushtetutën e Maqedonisë dhe cenon karakterin unitar të saj. Kjo parti kishte paraqitur mbi 30 mijë amendamente për plotësim-ndryshimin e ligjit, të cilat nuk u morën parasysh, ndërsa partitë politike shqiptare thanë se ajo ishte përpjekje për bllokimin e plotë të tij. Parlamenti i Maqedonisë e kishte miratuar këtë ligj që në muajin janar me 69 vota, por ai nuk u dekretua nga presidenti Gjorgje Ivanov dhe kjo bëri që ligji për herë të tretë të dërgohet në parlament. Miratimi i ligjit për përdorimin e gjuhëve, shihet si një përmbyllje e Marrëveshjes së Ohrit, që ishte arritur në vitin 2001 duke i dhënë fund një konflikti të armatosur ndërmjet forcave qeveritare dhe kryengritësve shqiptarë që kërkonin më shumë të drejta në Maqedoni. Marrëveshja përfshinte një sërë ligjesh që avanconin pozitën e shqiptarëve, por gjuha shqipe nuk pati trajtimin e kërkuar nga shqiptarët.
Sigal