Miratohet ligji për legalizimet, Rama: Abuzime, shkelësit para ligjit

399
Sigal

Pas debateve parlamenti miratoi dje me 74 vota pro ligjin e ri të legalizimeve. Kreu i qeverise, Edi Rama në fjalën e tij gjatë diskutimit të projektligjit, ka theksuar se të gjitha ata që kanë shkelur ligjin do të përballen me drejtësinë. Nisma e qeverisë, e cila pësoi disa ndryshime në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese, është përfshirë në kalendarin e punimeve të Parlamentit dhe pritet të miratohet vetëm me votat e maxhorancës. Ndryshimet e reja ligjore parashikojnë që procesit të pajisjes me dokumentin e pronësisë t’i nënshtrohen të gjitha ato familje që kanë ndërtuar një objekt pa leje në tokën e tyre, deri në datën e hyrjes në fuqi të ligjit të ri. Pas këtij afati, edhe objektet në truall privat do të mbesin jashtë procesit legalizues. Ndërkohë, për ndërtimet në tokë shtet dhe tokë pronë e ish-pronarëve, afati është deri në datën 15 janar 2009. Gjatë diskutimeve në Komision është rrëzuar kërkesa e demokratëve për zhvendosjen e këtij kufiri deri në 8 maj të 2014.

Miratohet projektligji për arsimin e lartë. Drejtuesit e UM do të zgjidhen me konkurse

 Miratohet në Kuvend me 76 vota pro projektligji i ri për arsimin e lartë. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9741, datë 21.05.2007 “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar, u votua me 76 vota pro. Në fjalën e tij, në emër të grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili shprehu mbështetjen për nismën, ndërsa vlerësoi procesin konsultativ të zhvilluar me grupet e interesit. Drejtuesit e njësive të ndryshme në Universitetin e Mjekësisë nuk do të emërohen, siç propozonte projektligji i ri për arsimin e lartë, por do të përzgjidhen me konkurse sipas kritereve të përcaktuara nga qeveria. Pas presionit të bërë nga deputetët e LSI-së, qeveria ka hequr nga projektligji nenet që përcaktonin futjen e emërimeve për drejtuesit në Universitetin Mjekësor, përfshirë edhe shefat e shërbimeve. Në Komisionin e Edukimit dhe të Shëndetësisë është vendosur varianti i ri i projektligjit që kaloi dje në seancë parlamentare, në thelbin e të cilit tashmë qëndron vetëm rikthimi i departamenteve në Universitetin e Mjekësisë, që do të jenë edhe njësia bazë e tij. I pranishëm në mbledhjen e dy komisioneve, ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja, tha se neni për procesin e drejtuesve të njësive u keqkuptua, pasi procedura e emërimeve në Universitetin Mjekësor do të ishte e përkohshme deri në krijimin e njësive të reja.