Ministri Panariti në Lushnjë : Do të vendosim çmim dysheme për të mos u tallur askush me djersën tuaj

417
Sigal

Gazeta Telegraf/


Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujrave, Z.Edmond
Panariti, zhvilloi sot një takim me fermerët në Gorçaj të Lushnjës, në lidhje
me shqetësimet e shfaqura ditët e fundit, për çmimet e ulëta të domateve, që
sipas tyre, grumbulluesit ua marrin nën kosto. Duke i qetësuar prodhuesit,
Ministri Panariti propozoi vendosjen e një çmimi reference bazë, poshtë të
cilit nuk mund të shitet asnjë produkt. Ai i siguroi fermerët se, nuk do të lejojë
që të tallen me mundin dhe djersën e tyre.

“Duhet të vendosim një çmim që të mos tallemi me fermerin. Këtë punë
do ta bëj në mënyrë të organizuar dhe ministria ka dy javë që merret me këtë
çështje. Jam këtu të dëgjoj problemet tuaja. Ky është propozimi im, oferta jonë
dhe s’është vetëm për të kaluar këtë situatë, por ta vendosim gjendjen në
binarë të qëndrueshëm. Apeli im është ndaj pikave të grumbullimit, që të
vendoset një çmim dhe kjo do të bëhet në dakordësi me ju, deklaroi Panariti
para fermerëve, të cilët zhvilluar një bisedë të hapur me pyetjepërgjigje, në
lidhje me shqetësimet e tyre.

“Unë kam ardhur për një propozim konkret për një çmim reference bazë,
poshtë të cilit nuk mund të shkohet, pasi nuk mund të lejojmë këtë situatë dhe
të tallemi me mundin tuaj. Nuk mund të shkohet, sepse ne nuk mund të bëjmë
vetëvrasje, që ta detyrojmë fermerin të shesë nën kosto dhe të bëhemi qesharakë
edhe me tregjet e huaja, sepse, tashmë që ne po hyjmë në Nëntor dhe ku çmimi i
domates në tregjet e huaja po rritet, nuk mund të lejojmë që të blejmë domate
me 25 lekë për kilogrami. Absolutisht jo, deklaroi Ministri i Bujqësisë, sipas
të cilit, “do të krijohet një mekanizëm i qëndrueshëm, sepse nuk bëhet fjalë
për të kapërcyer vetëm këtë situatë, e cila është goxha kritike, por dhe me
prespektivë, se si do t’i zgjidhim këto problematika”. “Ajo që, unë besoj dhe
ju e keni dëgjuar, që dikush e quan bursë bujqësore, është një mekanizëm që me
dakordësinë e fermerëve dhe të pikave të 
grumbullimit, mbi bazën e atyre që unë i konsideroj ankande fillestare,
të përcaktohet një çmim referencë, poshtë të cilit nuk mund të zbritet, sepse
nuk mund të shkelet me këmbë mundi, sakrifica dhe investimi që bën prodhuesi,
fermeri. Ky mekanizëm, që do të zhvillohet si ankand fillestar, mund të bëhet
çdo fillim dite, apo jave, si të bini dakord ju me grumbulluesit, duke vendosur
çmimin bazë, fillestarin. Më pas, mbi çmimin që ju vendosni, tregu është i lirë
dhe grumbullues të ndryshëm mund të kenë oferta të ndryshme, më lart se çmimi
bazë. Për ne, e rëndësishme është që çmimet mos të zbresin poshte atij
fillestar, të aknandit të parë”, theksoi Ministri i Bujqësisë. Duke folur me
fererët, për interesat dypalëshe, prodhues-grumbullues, ministri deklaroi
gjithashtu se, kjo është në interes të pikave të grumbullimit, sepse nuk mund
të bëhemi qesharakë, për ta grumbulluar domaten për 5 lekë (shembull), ndërkohë
që unë e di, që domatja jonë pëlqehet jashtëzakonisht shumë në tregjet e huaja.

“Nuk mund të shitet një kg domate më pak se 40 lek për kg, në kohën kur
po hyjmë në stinën e ftohtë. Nuk mund të shkojmë as me çmim qesharak në bursat
e huaja dhe tregjet e huaja dhe unë kam kontakt me tregun lituanez dhe domatja
e Lushnjes e Beratit është ndër më të kërkuarat dhe është kosideruar si domatja
më e mirë e vitit.

Me qëllim stabilizimin e situatës, vendosjen e saj në rrugën e duhur dhe
që problematika të tilla të mos përseriten gjithmonë dhe me produkte e kultura
të ndryshme bujqësore, Ministri i Bujqësisë iu tërhoqi vëmendjen fermerëve,
edhe që të bëjnë kujdes me kulturat që ata mbjellin në periudha të ndryshme.

“Jemi në një periudhë që domatja ka mbiprodhim, ndërkohë që kërkesa është
e lartë për produkte të tjera bujqësore. Bëni kujdes dhe me kulturat qe
mbillni. Aktualisht ka kërkesë të madhe nga Italia e Çelia për specin, ndërkohë
që ka superprodhim domateje. Megjithatë, ne nuk do të lejojmë që çmimi të jetë
tallës dhe vrasës për ju”, vijoi më tej Z.Panariti.

Në të njëjtën kohë, Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe
Administrimit të Ujrave, Edmond Panariti, qetësoi fermerët edhe me krijimin e
një fondi garancie, ngurtësimin e një fondi, gjë që do të bëhet në bashkëpunim
me institucione të tjera. Për t’jua shprehur më qartë prodhuesve lushnjarë,
Panariti sqaroi se, “do të bisedojë me Ministrinë e Financave, me qëllim
krijimin e mundësisë dhe modaliteteve për ngurtësimin e një fondi. Ky fond do të
ngurtësohet nga grumbulluesit e nëse këta të fundit iu blejnë ju produktet me
një shumë të caktuar, më pas nuk tregohen korrektë me ju, por iu japin më pak
lek, duke thënë se kaq i shitëm sepse ra çmimi, apo në rastin më të keq, nuk iu
paguajnë fare, ju të merrni paratë tuaja nga ky fond ku janë ngurtësuar një
sasi parashë të vet grumbulluesve, duke iu mbrojtur ju. Qëllimi jonë parësor është
që të mbrojnë prodhuesit”.

Më tej, foli edhe për nismën më të fundit, sipas të cilit, Grupi
Parlamentar i Lëvizjes Socialiste për Integrim do t’i paraqesë parlamentit, në mbrojtje
të fermerëve. “Grupi jonë parlamentar do të hartojë një projektligj, për të
rregulluar njëheërë e mirë këtë situatë, për t’i dhënë fund kaosit dhe për t’i
ardhur në ndihmë fermerëve dhe bujqësisë në tërësi. Por, kryerosja tani dhe më
emergjentia është rregullimi i situates me ankande ditore dhe ju do te jeni vete
deshmitar se si do të funksionojë. Ky mekanizëm do të jetë rregullues për ju si
dhe për të gjithë tregun shqiptar, deri tek shitësi me pakicë në qytetet tona. Rruga
më e mirë për të ndihmuar fermerin, ështe që t’i  japësh treg. Me këtë, i kemi dhënë të
gjitha”, përfundoi Parariti.

Takimi i sotëm në fshatin Gorçaj të Lushnjës u zhvillua me prodhues dhe
grumbullues të produkteve bujqësose. Shkak për këtë takim u bënë ankesat e ditëve
të fundit të fermerëve të kësaj zone, të cilën thanë se produkti i këtyre ditëve,
domatja, po iu mbetet pa shitur, pas oferta e grumbulluesve është shumë e ulët
dhe që nuk nxjerr as kostot e prodhimit.