Ministrat që fshihen pas fustaneve të grave

571
Mbi 40 mijë banorë të fshatrave të izoluara nga dëbora në zonat malore të Elbasanit, Gramshit dhe Librazhdit kanë dhënë dje, pas një mundimi disa ditor sinjalin SOS. Burime nga zonat e bllokuara për shkak të dëborës, daljes së lumenjve nga shtrati, shembjes së urave dhe banesave, i deklaruan “Telegraf”, se “burra, gra, fëmijë, gra shtatzëna, të sëmurë kronikë dhe ata të prekur nga epidemitë e stinës, gjenden të bllokuar, pa ushqime, drita, ujë, mjekë dhe ilaçe, ndërkohë që në këto zona prej 2 vitesh nuk funksionon asnjë qendër shëndetësore, nuk vjen asnjë mjek dhe kemi mbetur pa ilaçe”. Zonat e Polisit, Dragostunjës, Quksit, fshatrat e Çermenikës, zonat e Sulit, Skenderbegasit, Bulçarit, Kotovjatit, Kishta, Labinotit Mal, Gjinari, Graceni, Mamli, zonat ku shtrihen fshatrat e Paprit, dhe dhjetëra fshatra të tjera, kanë mbetur pa ndihma nga qeveria. Shembja e urave, shkarja e prishja e rrugëve, bllokimi i qindra e mijëra banorëve në zonat malore, kanë krijuar situata dramatike. 

Sipas një banori nga Polisi “shembja e urës së varur, e cila ishte ndërtuar para 28 vitesh, na ka bllokuar fare, jemi sikur jetojmë në Hënë dhe jo Tokë, po lindin gratë si para 70 vitesh në dhoma shtëpie dhe po rrezikojnë jetën e foshnjave, në fshatin tonë dy gra linden dhe “mami” u bënë plakat e fshatit, sepse edhe një infermiere që ishte ka mbi 3 muaj që ka zbritur në Elbasan dhe është punësuar atje, kurse bagëtia po na ngordhin çdo ditë, pasi nuk kanë çfarë të hanë”. Fshatarët dhe banorët e zonave të bllokuara prej disa ditësh marrin në telefon njerëz të njohur dhe të panjohur për të kërkuar ndihmë, për të dërguar një sinjal, një mesazh ndihme, sepse kanë mbetur të vetmuar dhe pa përkrahje. Tre here ka ardhur apo dhe ka kaluar brenda muajit Ministrja e Mbrojtjes, zonja Mimi Kodheli në Elbasan, por asnjëherë nuk ka ndaluar në zonat e izoluara, asnjëherë nuk ka nisur qoftë edhe një fonogram apo urdhër gojor apo shkresor për të nisur drejt zonave të izoluara ushtrinë që i ka mbetur. Asnjëherë Ministri i Shëndetësisë zoti Ilir Beqja nuk ka porositur apo urdhëruar vartësit e tij në Elbasan (madje para disa ditësh ishte edhe për qoka në këtë qytet) të nisin drejt zonave të bllokuara në Gramsh, Librazhd apo malet e Elbasanit, mjekë, infermierë, ilaçe, ndihma të tjera shëndetësore, pasi u ka borxhe të mëdha atyre banorëve, që i ka lënë prej 3 vitesh pa qendra shëndetësore. 

Asnjëherë Ministrat dhe deputetët e zonës nuk kanë pasur kurajën t’u gjenden pranë votuesve të tyre në fshatrat dhe malet e Gramshit, Librazhdit dhe zonës së Gollobordës, pavarësisht se vijnë në Elbasan për qoka dhe dreka me miqtë. Asnjëherë Ministri i Transporteve, nuk ka vajtur t’i shohë urat e shembura, rrugët e çara dhe banorët e mbetur në mëshirën e fatit, pavarësisht se vjen në Elbasan çdo javë për të ndjekur “sinjalistikën” e re të akseve nacionale, që po shemben nga ujërat e Shkumbinit. Të mbetur të izoluar, mes të ftohtit dhe mungesës së ushqimeve dhe mjeteve të tjera të jetesës, banorët e bllokuar në zonat malore të qarkut të Elbasanit, dje gjatë gjithë ditës, kanë nisur sms dhe kanë bërë telefonata në redaksi televizionesh dhe gazetash lokale dhe qendrore, duke kërkuar ndihmë. Duke folur për “Telegraf” një fshatar nga Zavalina e largët u shpreh, se “aman njoftoni shtetin për ndihmë, edhe dy viza karikim celulari kam, nuk kemi as drita dhe do të mbetemi si minjtë në çark, nuk lëviz asgjë tjetër veç ujkut këtej, ju lutem na ndihmoni”! Ishte një telefonatë sa e dhimbshme, aq edhe e pashpresë e një njeriu që nuk është më tepër se 1 orë e gjysmë larg Tiranës dhe selisë së kësaj qeverie. 

Por cilin shtet të njoftosh, cilin ministër dhe cilin deputet të njoftosh për situatën dramatike të atyre njerëzve. Të gjithë ata që e kanë detyrim ligjor të kujdesen për ata fatzinj, janë kyçur në zyrat e tyre të ngrohta dhe gjithë ditën merren me bizneset dhe qejfet e tyre, si dhe orvatjet për të mbushur xhepat e fryrë nga milionat e pista. Ministrat fodullë, që kanë mbi shpinë, sa të jenë në poste detyrimin për të siguruar normalitetin e problemeve të popullatës janë sot, 10 fish të akuzuar, jo vetëm nga institucionet ligjore, por edhe nga shumica e shqiptarëve që jetojnë si në ferr. Ministrat dhe deputetët në vend që të veshin çizmet dhe të hedhin krahëve pelerinat e shiut dhe borës për të parë me sytë e tyre përmbytjet, bllokimet e rrugëve, prishjet e urave, dëmtimet bujqësore, humbjen e bagëtive, si dhe të takojnë votuesit e tyre, janë nisur jashtë shtetit me makina luksoze dhe avionë, duke bërë pazare për vete dhe duke blerë fustane për gratë dhe dashnoret, në butikët më të shtrenjtë të europës. Zonat e bllokuara nga bora, ujërat e lumenjve, shembja e urave dhe rrugëve, janë akuzat e radhës për ministrat e babëzitur dhe besëthyer të kësaj qeverie.

                                                                                                                                                               Alma JONUZI
Sigal