/Gazeta TELEGRAF
nga Prof. Dr. Fadil Çitaku, PhD dhe Prof. Dr. Jahja Kokaj,PhD
Studiuesit shqiptarë Prof. Dr. Fadil Çitaku, PhD dhe Prof. Dr. Jahja Kokaj,PhD, kanë publikuar një letër të hapur ku shprehen totalisht kundër minishengenit ballkanik.
Letër e hapur nga intelektualët shqiptarë lidhur me “Mini-shengenin Ballkanik” drejtuar gjithë popullit shqiptar dhe qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës
I nderuar Popull Shqiptar, të nderuara Intelektuale dhe Intelektualë shqiptarë, e nderuara Qeveria e Shqipërisë, e nderuara Qeveria e Kosovës në shkuarje dhe në ajo në ardhje, të nderuar politikbërës shqiptarë në të tëra trevat shqiptare dhe botërore.
Të indinjuar thellë më rrjedhat e fundit rreth projektit famëkeq, të ashtuquajturit “Mini Shengen i Ballkanit” ne intelektualët shqiptarë, që kemi dhënë dhe jemi duke dhënë kontribut në shkencë për të mirë të njerëzimit në tërë rruzullin tokësor, ngrehim zërin lart, që ky projekt i ngutshëm dhe i pareflektuar për pasojat negative që do të sjellë për kombin shqiptar, të ndërpritet nga ana e udhëheqësisë së Shqipërisë menjëherë. Asociacioni në fjalë është krijesë apo ide e Serbisë, që ka për qëllim të na rifut në kthetrat e saj ekonomike dhe politike dhe çuditërisht kjo ide përkrahet nga kryeministri i Shqipërisë. Ky projekt është një dëm serioz për Kosovën, bazuar në faktin që Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet. Pra, sipas kushtetutës së Serbisë kufiri i saj me Shqipërinë është ai që ndan Kosovën me Shqipërinë. Rrjedhimisht kufi “zyrtar” i “Shengenit të Ballkanit” është ai që ndan Kosovën dhe Shqipërinë. Kështu rezulton që kryeministri i Serbisë, si bashkideator apo promovues i kësaj ideje, pranon që nuk ekziston kufi ndërkombëtar në mes të Serbisë dhe Kosovës, e cila nga autoritetet serbe, ende trajtohet si Krahinë e Serbisë.
Ky projekt vetëm dëmton Shqipërinë, Kosovën dhe tërë shqiptarët në viset Ballkanike dhe Disaporën Shqiptare. Ne nuk kemi nevojë për asociacione me Serbinë, e cila para 20 viteve bëri gjenocid mbi popullin tonë të pambrojtur, duke vrarë e përdhunuar fëmijë, gra e pleq të pa armatosur. Serbia ende nuk na ka kërkuar falje për të gjitha dëmet që na i ka shkaktuar.
Ne Shqiptarët e kemi vendin në Bashkimin Evropian, nuk kemi ndonjë dobi strategjike të bëjmë bashkim vëllazërim më popujt sllavë që ‘dem-babadem’ janë munduar të na shkatërrojnë dhe stopojnë të hapërojmë përpara. Ne duam demokraci të mirëfilltë dhe marrëdhënie fqinjësore reciproke më të gjitha shtetet për rreth, por strategjikisht ne duam të jemi pjesë përbërës të Evropës demokratike. Lusim të gjithë popullin shqiptar në tërë botën të ngrehin zërin kundër këtij projekti anti-shqiptar. Kërkojmë nga Akademitë e Shkencave të Shqipërisë dhe të Kosovës të dalin kundër këtij projekti të pa menduar mirë se çfarë pasojash do ketë për të ardhmen e Kombit tonë. Kërkojmë nga qeveritë e shteteve të Shqipërisë dhe të Kosovës që ky projekt të stopohet menjëherë. Populli Shqiptar nuk ka nevojë të vëllazërohet me lindjen, e drejtuar nga Rusia, që nuk njeh demokraci e të drejta të njeriut. Ne kemi aleatët tonë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet më të zhvilluara perëndimore, që praktikojnë vlera të mirëfillta demokratike, ne duam të hapërojmë bashkërisht me këto vende që janë garancë për prosperitetin tonë. Historia nuk do na falë gabimet që bëjmë sot dhe që do shkaktojnë pasoja negative për gjeneratat tona të tanishme dhe për ato të ardhme. Politikbërësit e Shqipërisë, ata të Kosovës, të tërë vendeve shqiptarofolëse të Ballkanit dhe më gjer i ftojmë të bashkëpunojnë me ne, ne do i këshillojmë që mos bëjnë gabime të cilat do na kushtojnë shtrenjtë dhe nuk mund të korrigjohen më. Gjithë të mirat tërë kombit shqiptar dhe tërë njerëzimit, në emër të intelektualëve shqiptar nga e tërë bota: Prof. Dr. Fadil Çitaku, PhD dhe Prof. Dr. Jahja Kokaj, PhD.