Miliarderët e qarqeve deklarohen “të varfër dhe hallexhinj”

455
Pavarësisht se është folur dhe stërfolur shumë në media për “zyrtarë të pasur”, për “milionerë të rinj” apo për “zyrtarë të implikuar në afera”, deri sot duket se asnjë prej tyre nuk e ka pasur shansin dhe ndoshta nuk do ta ketë shansin të përballet me hekurat e burgut. Dhe kjo për faktin e thjeshtë sepse, ata që duhet ta bëjnë këtë veprim kaq ligjor, janë të përlyer me afera të tilla. Kështu për shembull, si mundet që një drejtues apo zyrtar tjetër i lartë, të shkojë në burg për afera korruptive, kur përgjatë viteve ku ka vënë milionat, ai ka përlyer me korrupsion edhe një drejtues (apo ish-drejtues) të organeve të drejtësisë, duke e bërë atë pronar të 28 apartamenteve? Ky drejtues (dje ish-drejtues) aktualisht ka një pozicion të lakmueshëm dhe të besueshëm në një rreth të madh të vendit dhe ka arritur të mbyllë me sukses dhjetëra dosje aferash, për faktin, sepse një ditë të bukur atij mund t’i dalë në dritë edhe përlyerja me një goxha pasuri, e cila mund të vijë vetëm nga shitja e 28 apartamenteve, duke mos llogaritur të tjerat. 
Deklaratat e pasurisë
Po t’u lexosh deklaratat e pasurive dhe po t’u referohesh burimeve zyrtare, mbi 80 për qind e zyrtarëve në rrethe, si në Elbasan, Durrës, Korçë, etj, rezultojnë të jenë “hallexhinj”. Kaq do të mjaftonte që të mendoje dhe të bindeshe se zyrtarët dhe drejtuesit e institucioneve dhe ndërmarrjeve në këto rrethe e fshehin pasurinë. Pothuajse asnjë prej tyre nuk tregon të vërtetën, por fshihen pas familjarëve, nipërve dhe emrave të rremë. Deri në fund të marsit 2016, ILDKPI do të presë sërish dorëzimin e deklaratave të pasurisë nga zyrtarët dhe drejtuesit e institucioneve shtetërore, qendrore dhe vendore, por nga burime të sigurta nga rrethet mësohet se “shumica e deklaratave sërish do të mbushen me gënjeshtra dhe mashtrime, pasi asnjëri prej tyre nuk ka treguar tokat, vilat, pallatet, makinat e shtrenjta dhe paratë që shpesh kalojnë edhe 1 milion eurot në bankat tona apo dhe ato të huaja”. Në numrin e madh të këtyre personave futen edhe ish-zyrtarë apo drejtorë ndërmarrjesh dhe shefa departamentesh, e deri tek rektorë dhe inspektorët e Tatimeve. Fakti është se pasuria e tyre në 2-3 vitet e fundit është rritur, është bërë më e larmishme, kanë blerë prona të ndryshme, si apartamente dhe troje në qytet dhe zonat malore ku kanë ngritur edhe vilat verore, apo edhe komplekse turistike. Në këtë kontingjent nuk mbeten pas edhe miqtë dhe rrethet e tyre shoqërore. Mjafton të futesh në regjistrat e ZRPP –ve dhe do të shikosh dhe bindesh se “sa hallexhinj” janë zyrtarët e rretheve, njerëzit e drejtësisë, sa pasuri realisht ata kanë sot. Ka prej tyre që kanë realisht një pasuri marramendëse, dhe kanë deklaruar vetëm 50 për qind të pasurive që disponojnë. Në vetëm pak vite këta vampirë të pashembullt të parave dhe pronave, nuk pyesin as për ligjet dhe as për opinionin qytetar, por vetëm për të rrjepur sa më shumë dhe ku të mundin. E ndërsa një grusht njerëzish po mbyten nga milionat dhe pronat, shumica po përjeton vuajtje e rraskapitje zyrave dhe korridoreve të institucioneve, duke krijuar tashmë shtresëzimin dhe pabarazinë e turpshme të shoqërisë. E si mund të shpresojmë ne nga “reforma në drejtësi”, kur kjo e fundit, të paktën në rrethe është e zhytur deri në grykë, në llumin e zi të korrupsionit? 
Sigal