Miliardat e kontrabandës së ilaçeve, do i kishin zili edhe trafikantët e drogës kolumbiane

476
Sigal

Implikimi i strukturave shtetërore dhe mekanizmi i grabitjes së 6 miliardë lekëve çdo vit nga insulinat

Masakra e hajdutëve dhe e horrave me shëndetësinë, vazhdon të marrë përmasa të niveleve të mëdha me pasoja të rënda për qytetarët, por me mjaft fitime për mafien e bluzave të bardha dhe kollareve të skuqura nga gjaku i fukarenjve shqiptarë. Një specialist i farmaceutikës shqiptare deklaroi se, “nëse vetëm një hallkë të mos funksionojë, kriminaliteti bën punën e tij”. Sipas tij, pas drogës dhe armëve, farmaceutika është biznesi më fitimprurës dhe më i rrezikshëm. Në Shqipëri të gjithë këto hallka që funksionojnë sepse mafia ka uzurpuar dhe ka përzierë edhe barnat me leje dhe pa leje, por edhe lëndët narkotike. Shteti hesht sepse ata kanë uzurpuar shtetin dhe strukturat e tij. Deklarata e ish-kreut të Shërbimit Farmaceutik, se ky shërbim duhet vendosur mbi baza të reja  ligjore-pasi ligji ekzistues që është në fuqi duhet bërë nga e para- tregon se ky institucion ka nevojë për njerëz që të rilindin këtë shërbimin dhe jo njerëz që kanë ardhur me thasë dysheku me vete, për t’i mbushur ato me paratë e taksave të qytetarëve. Dje gazeta “Telegraf”, botoi skandalin “e një kompanie farmaceutike, e cila ka deklaruar te ISKSH-ja dhe te Ministria e Shëndetësisë se ka futur 10 mijë insulina dhe janë rimbursuar 16 mijë, e ka rimbursuar për depo dhe ende asgjë për këtë. Kjo sepse ka humbur identiteti i farmacistëve. Farmacist mund të bëhet kushdo, kur do dhe si do. Ka rënë garancia e shërbimit farmaceutik”. Por kjo ishte vetëm maja e ajsbergut, pasi sot në redaksinë e gazetës, ka mbërritur një tjetër skandal i përmasave që do ta kishin zili edhe bosët e mafies kolumbiane të drogës. Sipas tyre thuhet se, artikulli tek gazeta “Telegraf” ishte shumë interesant. Kompania u shpreh e shqetësuar duke thënë se: “Por, ju bëjmë me dije, se edhe kompania jonë si një nga tre kompanitë importuese të insulinave ndihet tejet e shqetësuar pasi për një vit kalendarik, me insulinat tona diferenca (fiktiviteti) është 1.8 milion euro, ose rreth 2 miliardë e gjysmë lekë”.

Por, si qëndron e vërteta e insulinave që futen dhe tregtohen në vendin tonë?

Në Shqipëri janë tre kompani që sjellin insulinën dhe janë ndër tre kompanitë më prestigjioze dhe më me peshë në botë. Ato janë “Eli-Lili”, “Novonordis” dhe “Sanofi”. Këto tre kompani e fusin mallin në dogana dhe e shpërndajnë nëpërmjet distributorëve. Janë pikërisht disa nga distributorët dytësorë, të cilët në bashkëpunim me mjekun e familjes, farmacistin bëjnë masakrën më të madhe dhe që do e kishin zili edhe trafikantët e hashashit të Lazaratit. Nëse shteti do të gjejë se si ndodh ky abuzim, mjafton të marrë recetat e mjekëve dhe të kontrollojë farmacitë, ku janë shitur insulinat. Dhe do të shohë se një farmaci është furnizuar nga “X” distributor dytësor, fjala bie me 100 insulina me faturë. Duhet theksuar, pasi farmacitë, megjithëse të implikuaka, e duan faturën për justifikim. Na rezulton se farmacia ka shitur 100 insulina. Në këtë rast  farmacia është në rregull dhe kontrolli verifikon Depon (Distributorin) dytësore. I kërkon se sa insulina ka blerë nga këto tre depot që e sjellin? Na del që depot e mëdha dhe kryesore e kanë furnizuar me 80? Atëherë, përse ti zotëri ke lëshuar faturën për 100 insulina?! Ose i ke marrë kontrabandë, ose ke prerë fatura fiktive. Nëse ka marrë kontrabandë do mbajë përgjegjësi për kontrabandën, për faturat, për insulinat e pakontrolluara nga qendra e kontrollit dhe laboratori. Në rastin e zakonshëm sikurse dhe ndodh që i pretë faturë farmacive për 100 dhe i jep 80, do të kontrollohet kartela e të sëmurit që ka mbushur mjeku dhe nëse ky person vuan vërtetë nga diabeti dhe ku i ka bërë analizat; kush e ka përcaktuar diabetik dhe me çfarë mjekimi është trajtuar? Pra, do na dalë se mjeku dhe farmacisti kanë mbushur recetën, ku gjithmonë, farmacisti ka rolin e ndërmjetësit kryesor midis mjekut që lëshon recetën dhe depos që e furnizon në mënyrë fiktive. Dhe kjo gjë del lehtë nëse specialistët e ISKSH-së janë në pozita të pa implikuara për veten e tyre, si dhe bëhet kryqëzimi i faturave të atij që i sjell, atij që i shpërndan, atij që shet dhe atij që rimburson. Kaq mjafton dhe shteti është në pozitën që i takon. Por, kjo nuk ndodh sepse hajdutët ordinerë vjedhin ditën dhe natën, pa ju nxirë faqja dhe pa pasur aspak mëshirë për qytetarët e varfër. Fillimi i hetimeve, dërgimi në qelitë e burgut, si dhe sekuestrimi i pasurive e vëna me gjakun e shqiptarëve janë e vetmja rrugë për abuzuesit dhe të gjithë ata politikanë që fshihen dhe drejtojnë këtë maskaradë. Deklarata tronditëse e ish-kreut të Urdhrit të Farmacistëve dhënë në TV, se: “Rreth 200 mjekë të ISKSH-së zotërojnë nga një farmaci që vetë i lëshojnë recetat, vetë i shkruajnë, vetë i ekzekutojnë. Ata kanë marrë nga një diplomë te “Kristali”, kanë marrë dhe provimin e shtetit dhe bëjnë dy punë, edhe mjekë edhe farmacistë. Kështu që, këto janë problemet sepse mbyllin ciklin dhe ISKSH duhet të merret me këto”.  Vetëm për muajin tetor 2013 ISKSH ka rimbursuar rreth 1 miliard lekë për insulinat. Po ta llogarisim për 12 muaj mesatarisht, bie rreth 12 miliardë lekë rimbursime, ose rreth 8 milionë euro në vit vetëm për 1 artikull. “Vetëm unë,- tha dje për “Telegraf”, një nga tre përfaqësuesit e kompanisë,- humbas nga kjo shumë 1.8 milion euro. Të tre kompanitë humbasim rreth 4.5 milionë euro, të cilat ose duhen konvertuar në insulina ose janë para të grabitura me fatura fiktive që duhet të kthehen në arkën e shtetit shqiptar”. Mos të harrojmë se po flasim dhe po llogarisim vetëm për 1 artikull mjekësor. Por, skandali vazhdon edhe me tej kur institucionet, spitalet dhe ISKSH-ja nuk bëjnë transparente detyrimin e tyre institucional, ku të ketë shifra publike se sa rimbursime janë bërë dhe të cilës firmë apo kompani. Në këtë mënyrë edhe vetë kompanitë janë të interesuara të kontrollojnë artikujt e tyre dhe ato të konkurrencës. Të fituar janë pacientët, shteti dhe vetë bizneset e ndershme. Por, ky akses nuk bëhet i mundur, me qëllimin e vetëm sepse do u dalë boja hajdutëve të ISKSH-së, mjekëve batakçinj, grosistëve të distributorëve dytësorë dhe falsifikatorëve të farmacive. Ne përsëri do të japim fakte tronditëse për insulinat dhe artikujt e tjerë, një pjesë e së cilës kanë çmime 500% më të shtrenjta se vendi i origjinës.