Nepotizmi pushton institucionet, deputetë e shtetarë punësojnë familjarët

960
Sigal


PESHKOPI/
Në Arsim, CEZ, personel, postë, familjarë e kushërinj të deputetëve. Socialistët kërkojnë ndërhyrjen e Ramës e deputetit Cani

Në të gjitha institucionet shtetërore të Qarkut të Dibrës, deputetë e drejtues vendorë kanë emëruar familjarë, të afërm e miq të tyre, duke zbuluar fiktivitetin e konkurseve e duke zhgënjyer mbështetësit e së majtës që votuan për ardhjen në pushtet të qeverisë aktuale. Burime të konfirmuara për gazetën “Telegraf” pohojnë se, e njëjta situatë nepotizmi në administratë, është i njëjtë në të tre rrethet e këtij qarku, përkatësisht në Peshkopi, Burrel dhe Bulqizë. Ndërkohë, nga i njëjti burim mësohet se irritimi i bazës së PS-së e LSI-së në këto rrethe, mbështetet në faktin se janë anashkaluar profesionistët, të aftët dhe janë emëruar vëllezër, motra, vjehrra e kunetër të deputetëve e drejtuesve vendor, në të shumtën e rasteve jashtë kritereve profesionale. Të revoltuar nga ky nepotizëm, drejtues lokal në bazë e simpatizantët, kanë informuar Ramën dhe Metën, dhe kërkojnë ndërhyrjen e tyre. “Votuam për ndërrimin e pushtetit me shpresën për më mirë, jo të kalojmë nga një nepotizëm, në një nepotizëm tjetër. Kemi informuar dhe kërkojmë ndërhyrjen e Edi Ramës e deputetit të zonës Shkëlqim Cani, për të marr situatën nën kontroll”,- shtojnë simpatizantë të së majtës. Po cilat janë faktet e nepotizmit në tre rrethet e Qarkut të Dibrës?

NEPOTIZMI NË PESHKOPI

Rrjetin nepotik në qytetin e Peshkopisë e komandon deputeti Ulsi Maja. Edhe pse pati një konkurs, (në fakt formal), të gjithë e para dinin se në krye të Drejtorisë Arsimore Rajonale do të vendosej kushëriri i tij. Kuptohet, se në të njëjtën linjë nepotike janë dhe emërimet në shkolla e gjithë sistemin arsimor të Peshkopisë. “Edhe pa u zhvillua konkursi, dihej që do fitonte në arsim kushëriri i deputetit. Po ashtu dhe në shkolla e njëjta gjë. Janë afruar (dhe pritet të afrohen së shpejti) të afërm, familjarë e miq të deputetëve e drejtuesve vendor. “E njëjta gjë është dhe në institucionet e tjera shtetërore. Janë rikthyer njerëz të deputetit, të afërm apo miq, ku shumë prej tyre, jashtë profesionit. Janë me dhjetëra specialist me bindje të majta e me karrierë të suksesshme që nuk janë afruar. Kjo konstatohet fare lehtë”- shtojnë burimet për “Telegraf”.

NEPOTIZMI NË BULQIZË

Në Bulqizë, deputeti i LSI-së në Bulqizë, Përparim Spahiu, vendos në krye të Zyrës Rajonale të Arsimit, nusen e dajës së tij, Bedrije Manjani, ish-mësuese matematike në gjimnazin e qytetit. Ardit Kraja, ish-deputet i PS-së në Bulqizë e në fushatën e fundit në shtabet elektorale të LSI-së, vendosi si drejtor të Postës Artur Miftarin, me lidhje miqësore me ‘të. Më parë, Miftari ka qenë këshilltar i Legalitetit në Këshillin Bashkiak të Bulqizës. Kryetari i PS-së në Bulqizë, Artur Kala vendos në Degën e Burimeve Njerëzore të Arsimit Kamber Dukën, djalin e dajës së tij, ish-mësues letërsie në shkollën 9-vjeçare “Xhevdet Doda” të Bulqizës. E njëjta skemë nepotizmi është dhe në Bashkinë e Bulqizës. Kryetari Myfit Duriçi, përfaqësues i PS-së, e ka mbushu administratën e bashkisë me familjarë e kushërinj të tij. Në këtë bashki, 50% e administratës ka mbiemrin Duriçi, atë të kryetarit. Përmenden këtu drejtuesi i Gjelbërimit në Bashki, i Përkrahjes Sociale, etj…

NEPOTIZMI NË BURREL

Edhe në Burrel, Petrit Hysa, është e njëjta situatë. Kështu, kreu i LSI-së Burrel, vendos kushëririn e tij në krye të CEZ-it. Janë me dhjetëra raste nepotizmi në emërimet e fundit, ku vëllezër, motra apo kushërinj, edhe pse mund të mos jenë të profesionit, bile të njohur dhe si të paaftë, falë rrjetit nepotik, ndodhen në krye të institucioneve apo funksione të tjera të rëndësishme shtetërore. “Konstatohet dhe një fenomen tjetër. Edhe në ato institucione që mund të konstatohen të emëruar të rrjetit nepotik të titullarit, ata janë të një titullari institucioni tjetër që ka emëruar njerëzit e të parit. Pra, gërshetimin të rrjetit nepotik. Në bazën e PS dhe LSI-së, rendisin shembuj të shumtë në këtë aspekt. Simpatizantë e Majtë shpresojnë që Edi Rama të ndërhyjë, pasi ky nepotizëm që ka pushtuar institucionet, jo vetëm ka ngjallë pakënaqësi reagim të ashpër e zhgënjim tek simpatizantët, por nuk mund të realizohet shpresa për një ndryshim ën qeverisje.

 RASTE NEPOTIZMI

-Deputeti Ulsi Maja vendos në krye të Drejtorisë Arsimore Rajonale Dibër kushëririn e tij.

-Deputeti i LSI-së në Bulqizë, Përparim Spahiu, vendos në krye të Zyrës Rajonale të Arsimit, nusen e dajës së tij, Bedrije Manjani.

– Kryetari i PS-së, në Bulqizë, Artur Kala vendos në Degën e Burimeve Njerëzore të Arsimit, Kamber Dukën, djalin e dajës.

-Kryetari i PS-së, Bulqizë Myfit Duriçi, e ka mbushur administratën me familjarë. Në këtë bashki, 50% e administratës ka mbiemrin Duriçi

-Petrit Hysa, kreu i LSI-së Burrel, vendos kushëririn e tij në krye të CEZ-it.