Presidenti Meta vlerëson me Titullin “Mjeshtër i Madh” gazetarin Engjëll Ndocaj

196
Sigal

Presidenti Ilir Meta dekoroi me Titullin “Mjeshtër i Madh” gazetarin televiziv dhe skenaristin e mirënjohur Engjëll Ndocaj.

Motivacioni i këtij titulli ishte: “Në vlerësim të veprës, punës unike dhe përkushtimit të lartë profesional si gazetar dhe skenarist televiziv, të shpalosura me një mjeshtri të spikatur gjatë katër dekadave në një sërë dokumentarësh të paharrueshëm. Me mirënjohje për kontributin e çmuar në dokumentimin, vlerësimin dhe lartësimin e figurave dhe ngjarjeve historike të kombit shqiptar në botë”. Gjatë fjalës së tij, kreu i shtetit renditi disa nga kontributet ndër vite të Ndocajt.

Postimi i Metës

Engjëll Ndocaj është një nga gazetarët më të shquar të Televizionit Publik Shqiptar. Falë kontributit të pareshtur të dhënë në katër dekada, për informimin dhe modernizimin cilësor të gazetarisë televizive, ai vlerësohet nga të gjithë, veçanërisht për krijimin e qindra dokumentarëve, të dalluara për tematikën e gjerë dhe nivelin e lartë artistik.

I pranishëm në Lëvizjen Studentore, me kronika dhe reportazhe, pjesëmarrës në Takimin Historik të Studentëve në Pallatin e Brigadave, e më pas, dëshmitar dhe pasqyrues i proceseve demokratike, Engjëll Ndocaj u bë më i afërt dhe i dashur për publikun.

Në vlerësim të punës dhe kontributit të tij të jashtëzakonshëm, si gazetar e skenarist i mirënjohur televiziv, pata sot kënaqësinë t’i akordoja Titullin e lartë ‘Mjeshtër i Madh’.

Vlerësimi për të është njëkohësisht shprehje e vlerësimit për TVSH-në, median e parë elektronike në vendin tonë, një institucion që për 60 vjet, ka formuar një armatë gazetarësh, krijuesish, realizuesish, por dhe specialistësh të teknikës moderne televizive, për të cilët krenohemi dhe gëzojmë respektin më të madh. 📺🇦🇱”.