Meta takon Zëdhënësin e Fraksionit Parlamentar të CSU-së në Bund

430
Kryetari i Kuvendit  Ilir Meta priti sot Zëdhënësin e fraksionit parlamentar CSU në Bundestag, njëkohësisht anëtar i Komisionit të Mbrojtjes z. Florian Hahn me të cilin vlerësuan bashkëpunimin e shkëlqyer mes Shqipërisë dhe Gjermanisë dhe diskutuan mbi ecurinë e procesit të integrimit evropian të vendit, duke u ndalur në veçanti tek reformimi i sistemit të drejtësisë, si një nevojshmëri imediate për progresin e vendit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Meta shprehu mirënjohjen për mbështetjen e gjithanshme të Gjermanisë, veçanërisht në drejtim të forcimit të sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe forcimit të parametrave të mirëqeverisjes ekonomike, ku bashkëpunimi me Landin e Bavarisë merr një kuptim të veçantë. 
Pas takimit, z. Meta dhe z. Hahn dhanë një prononcim për mediat:
Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta:
Është kënaqësi që të jem sot këtu përpara jush së bashku me zëdhënësin për politikën e jashtme dhe për çështjet evropiane të Partisë Kristian-Sociale dhe të grupit të saj parlamentar në Bundestagun gjerman, deputetin e CSU-së, z. Florian Hahn, i cili po zhvillon një vizitë në vendin tonë gjatë së cilës ka patur takime të rëndësishme me përfaqësues të ndryshëm të forcave politike, të opozitës, të mazhorancës, të qeverisë, të Parlamentit.
Me këtë rast dua të shpreh kënaqësinë për intensifikimin e vazhdueshëm dhe në rritje të shkëmbimeve parlamentare me Gjermaninë, por edhe me Bavarinë. Shqipëria mbështetet fuqishëm te Gjermania për të ardhmen e saj evropiane. Është gjithashtu i njohur interesimi tradicional i Bavarisë, por edhe i CSU-së për Shqipërinë.
Në këtë drejtim, kemi biseduar për çështje të ndryshme, me interes reciprok dhe kemi ndarë pikëpamje të përbashkëta për përballimin e shumë sfidave të rëndësishme, të cilat kanë të bëjnë me perspektivën evropiane të vendit tonë, në mënyrë të veçantë për ecurinë e reformave, atë në fushën e drejtësisë, ku Gjermania është e përfshirë dhe jep mbështetjen e saj të veçantë dhe të spikatur, edhe në kuadër të misionit EURALIUS, si edhe në bashkëpunimin bilateral.
Dhe padyshim që miratimi me sukses i kësaj reforme do të jetë një argument shumë i rëndësishëm për të ecur shpejt drejt çeljes së negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian. Njëkohësisht kjo reformë do të shërbejë për të përmirësuar klimën e biznesit në vendit tonë dhe për të tërhequr më shumë investime të huaja, natyrisht edhe investime gjermane.
Njëkohësisht kemi diskutuar edhe për situatën në rajon, për të forcuar bashkëpunimin rajonal, por edhe bashkëpunimin e vendeve tona me Bashkimin Europian dhe Gjermaninë në kuadër të përballimit të sfidave të reja, sikurse është edhe përballimi i krizës së refugjatëve, që është një shqetësim serioz dhe që natyrisht ka të bëjë edhe me stabilitetin e rajonit tonë, por edhe në ruajtjen e vlerave të vetë Bashkimit Europian.
Shpreh kënaqësinë për interesimin e vazhdueshëm dhe në rritje të Gjermanisë, por në mënyrë të veçantë të CSU-së ndaj vendit tonë, interesim që do të vazhdojë edhe në të ardhmen me rritjen e mëtejshme të shkëmbimeve tona parlamentare, si në kuadër të marrëdhënieve midis dy vendeve, pra Shqipërisë dhe Gjermanisë, ashtu edhe në kuadër të marrëdhënieve të Shqipërisë me Landin e Bavarisë.
Z. Florian Hahn
Faleminderit z. Meta. Është një kënaqësi për mua që të jem këtu sot si mik i juaji, i Kuvendit të Shqipërisë dhe i qeverisë shqiptare. Ju e thatë me të drejtë që Bavaria ka qenë tradicionalisht një partner i veçantë i Shqipërisë. Kryeministri i famshëm i Bavarisë, z. Franc Jozef Shtraus vizitoi Shqipërinë në vitet 1980, dhe kjo ishte një vizitë historike në atë kohë.
Ndaj është normale që ne kemi marrëdhënie të thella me Shqipërinë. Ne po e ndjekim zhvillimet në Shqipëri dhe do t’ju ndihmojmë, do t’ju mbështesim në rrugëtimin tuaj drejt Bashkimit Europian.
Shohim që po bëni shumë reforma, të cilat janë të domosdoshme në këtë proces, dhe në këtë drejtim do ju mbështesim, sidomos në Reformën në Drejtësi. Nga perspektiva evropiane, Shqipëria është shumë e rëndësishme për ne në rajon. Është një faktor stabilizues në rajon. Këtë e dimë dhe ju jemi shumë mirënjohës.
Duam të punojmë shumë së bashku, jo vetëm përsa i përket krizës së refugjatëve, por edhe në aspektin ekonomik, sepse është shumë e rëndësishme për Shqipërinë që të ketë investime. Të ketë më shumë punë për njerëzit në Shqipëri. Ndaj do ta mbështesim miqësinë, marrëdhëniet mes kompanive shqiptare dhe atyre gjermane.
Ndaj nuk mbaron gjithçka me takimin e sotëm, ne do të vazhdojmë të punojmë, po bëjmë plane për hapat e mëtejshëm dhe do ta bëjmë që kjo të jetë një histori suksesi.
Faleminderit për mikpritjen tuaj, për miqësinë tuja dhe jam i bindur se do të kemi një të ardhme të ndritur. 
Sigal