Prof. Dr. Lirim Hoxha/ Zbulim-shfrytëzimi i një fushe nafte në Detin Adriatik që duhet gjykuar

785
Prezantimi i Hank David, Drejtor i Zhvillimit të Bisnesit të Ri të kompanisë “ENERGAN OIL & GAS” mbi “Perspektivën e Greqisë Perëndimore”, në Seminarin i 2-të të Europës Juglindore, Athinë, 31 Tetor -1 Nëntor 2013, tregoi se zbulimet e suksesshme të fushave analoge, të ngjashme si objekti me pasqyrën (“mirror image”) të Sistemit të Naftës të Adriatikut Jugor të Italisë dhe Shqipërisë, mbështesin mundësinë dhe perspektivën për zbulime nafte dhe gazi në Greqinë Perëndimore.
Vendndodhjet e hidrokarbureve –analoge, fushat e naftës dhe gazit më të mëdha në tokë në Europë dhe fusha naftëmbajtëse Aquilla, zbuluar në Detin Adriatik në 1989 (On the Prospectivity of Western Greece Mr. Hank David, New Business Development Manager IENE, 2nd SE Europe regional Upstream Workshop Athens, October 31st- November 1st, 2013). Fusha Aquilla, me naftë dhe gaz në Detin Adriatik, e paraqitur në hartën e mësipërme, pa sistem koordinatash, ndodhet në karbonatet e Kretakut të Sipërm me API (graviteti standard specifik që përdoret nga industria e naftës) 36 (naftë e lehtë), është zbuluar në vitin 1989, ka prodhuar deri në 2013 rreth 30 MMBOE (30 Milion Barrela (fuçi) naftë ekuivalente) dhe ka patur prodhim në provë/test 10 000 Bopd (10 000 barrela nafte në ditë).
Fusha naftë-gazmbajtëse “Aquilla”
Fusha naftë-gazmbajtëse “Aquilla” ndodhet në vijën e drejtë që bashkon brigjet e Fasanos, Itali dhe brigjet e Divjakës, Shqipëri, e barabartë kjo largësi (në Google Earth) me 168km.
Duke përdorur raportet Brigjet e Fasano – Fusha naftë – gazmbajtëse “Aquilla” dhe Fusha naftë-gazmbajtëse Aquilla- Brigjet e Divjakës, rezulton se, largësia brigjet e Fasano – Fusha naftë-gazmbajtëse “Aquilla” është e barabarta me rreth 105km, kurse largësia Fusha naftë – gazmbajtëse Aquilla- Brigjet e Divjakës, është e barabarta me rreth 63km, pra në një raport 1.67:1, ose aksi i Fushës naftë-gaz mbajtëse “Aquilla” i bie që të ndodhet rreth 21km më në brendësi të Shelfit Kontiental Shqiptar të Zgjeruar. Nëse ky shelf do të ishte ndarë sipas Vijës së Mesme, largësitë do të ishin të barabarta me 84km. Natyrisht, në mbështetje të të dhënave më të sakta burimore duhet të risaktësohet vendndodhja e Fushës naftë – gazmbajtëse Aquilla, por nga harta e paraqitur s’ka asnjë dyshim se, ajo ndodhet brenda Shelfit Kontinental të Zgjeruar Shqiptar. Se sa me vlera është ky rishikim i fushës naftëmbajtëse të “Aquillës” për Shqipërinë, mjafton të nisemi nga çmimi i shitjes vetëm me 40 USD për fuçi, të ardhurat kanë qenë 400 000 USD në ditë, dhe ato totale deri në vitin 2013 kanw qenë 1 200 000 USD. 
Ratifikimi i konventës nga Shqipëria
Shqipëria ka qenë shtet pjesëmarres dhe ka ratifikuar Konventën mbi Shelfin Kontinental në 1964, që është një traktat ndërkombëtar që vendos të drejtat e një shteti sovran mbi Shelfin Kontinental që e rrethon atë (Convention on the Continental Shelf by the United Nations. (https://en.wikisource.org/wiki/Convention_on_the_Continental_Shelf). Shqipëria, me Dekret N0- 4650 të 9 marsit 1970, ka paraqitur pretendimet e veta për Shelfin Kontinental, mbështetur në parimin e OKB, si: “ Fundi i Detit dhe nëndyshemeja e tij (Detit) të zonave nënujore afër Bregut, por jashtë zonës së Detit Territorial, në një thellësi deri 200m ose, matanë këtij kufiri, ku thellësia e ujërave lejon të bëhen zbulime të burimeve natyrore të zonave në fjalë (International Boundaries Research Unit MARITIME BRIEFING Volume 1 Number 8, The Maritime Boundaries of the 
Adriatic Sea, UK, 1996).,duke shprehur qartë të drejtat përtej 200 miljeve nautike (370.4 km) dhe në ujëra të thella që përcakton “Shelfi Kontinental i Zgjeruar”. Këto praktika janë ndjekur në Mesdheun Jugor në zbulimin e gazit/naftës nga Qipro Greke që ka shpuar larg brigjeve të saj në një thellësi uji 1524m dhe Izraeli në ujëra me thellësi uji rreth 1,670m. 
Të drejtat e Shtetit Bregdetar 
Mendoj se “Albpetrol” dhe “AKBN” duhet ta shqyrtojnë me vëmendje këtë rast dhe të kërkohet: Zbatimi i Nenit 76 të UNCLOS. (GeoLIMITShttp://www.geolimits.com/services/extended-continental-shelf/continental-shelf/); dhe të Nenit 77, që përcakton të drejtat e Shtetit Bregdetar mbi Shelfin Kontinental. 
1. Shteti Bregdetar ushtron mbi Shelfin Kontinental të drejta sovrane me qëllim kryerje zbulimi ne të dhe shfrytëzim të burimeve të tij natyrore. 
2. Të drejtat e përmendura në paragrafin 1 janë ekskluzive, në kuptimin se nëse Shteti Bregdetar nuk kryen zbulime në Shelfin Kontinental ose nuk shfrytëzon burimet e tij natyrore, askush nuk mund të ndërmarrë këto aktivitete pa pëlqimin e shprehur të shtetit bregdetar. 
3. Të drejtat e Shtetit Bregdetar mbi Shelfin Kontinental nuk varen nga okupimi (zaptimi), efektiv apo imagjinar, ose nga ndonjë deklaratë e shprehur si dhe paragrafi mbi Burimet natyrore (minerale dhe burime të tjera jo të gjalla); si dhe neneve 78 dhe 79 që parashikojnë të drejtat kur Vija Ndarese kalon midis një vendburimi të dhënë, statusin legal për ujërat sipërfaqesore, kabllot nënujore dhe tubacionet, operacionet në ishujt artificiale, instalimet dhe strukturat e ndryshme që duhet të kenë pëlqim nga te dy palet. Nga sa më sipër, ngrihet një pyetje serioze: Me ç’licencë janë kryer operacionet e zbulim – shfrytëzimit në fushën naftëmbajtëse Aquilla? Llogjika ta do që shteti shqiptar nuk duhet ta ketë licencuar, sepse as është bërë i njohur ky rast dhe as ka ndarë prodhim me këtë kompani.Të paktën, me çfarë dinë shqiptarët! Skenarë të tjerë mbeten të mundshëm. Zbulimet shumë të rëndësishme të bëra në Itali (në tokë, në Gadishullin Apenin) dhe Adriatikun Verior dhe ato të pritshme të naftës dhe gazit, për analogji me Italinë, në det dhe në tokë, në Mal të Zi, sistemet e provuar për hidrokarburet, në det në Kroaci, si dhe rasti i Fushës Aquilla, provojnë qartë se, monitorimi i Shelfit Kontinental të Zgjeruar i Deti Adriatik Shqiptar, merr rendësi të dorës së parë, siç është edhe rasti i Aquillës, të cilin u përpoqa ta argumentoj.
Sigal