Meta: Ripërtëritja e besimeve në progres të pandalshëm

516
Abaz Aliut zu Tomor, erdhi afër nesh, Shqipëria s’mbet e gjorë se Zoti e desh 
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta mori pjesë sot paradite në pelegrinazhin në Malin e Tomorit, me rastin e festës bektashiane të Abaz Aliut.
Në prani të Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve, Hirësisë së Tij Haxhi Baba Edmond Brahimajt dhe mijëra besimtarëve bektashianë, Presidenti Meta u shpreh: 
“Të dashur besimtarë dhe qytetarë që jeni ngjitur këtu në malin e Tomorit!
Është kënaqësi e jashtëzakonshme të jem sot këtu dhe të shoh këtë pjesëmarrje të jashtëzakonshme, që unë personalisht nuk do ta kisha imagjinuar 25 vite më parë kur bashkë me Kryegjyshin e atëhershëm botëror të Bektashinjve, Baba Reshatin erdhëm këtu për të rifilluar një traditë të ndërprerë për gati disa dekada. Atëherë ishin shumë pak njerëz dhe besimtarë këtu, por sot, mbrëmë e gjatë gjithë këtyre ditëve kanë qenë kaq shumë, duke e shndërruar këtë në një ndër pelegrinazhet më të njohura dhe më të suksesshme jo vetëm brenda vendit, por edhe në nivel ndërkombëtar. Dhe në 25 vite ripërtëritja e traditave të mrekullueshme të bektashizmit, por edhe të besimeve të tjera në vendin tonë, ka ardhur gjithnjë e më shumë në një progres të pandalshëm. Ndaj sot një mirënjohje e jashtëzakonshme shkon për përpjekjet titanike të të ndjerit Kryegjyshit të atëhershëm, Baba Reshatit, por edhe të përpjekjeve që bën sot Kryegjyshi Baba Edmond Brahimi dhe i gjithë stafi i tij anembanë vendit. Ndryshimet ndihen këtu pavarësisht se ka nevojë për të përmirësuar më tej infrastrukturën, pasi edhe rritja e numrit në progresion të jashtëzakonshëm të vizitorëve, të besimtarëve, të qytetarëve, pasi këtu vijnë qytetarë nga të gjitha besimet, këtu vijnë gjithashtu mjaft turistë dhe mjaft vizitorë të huaj, është e domosdoshme. Unë dua të theksoj edhe një herë se bektashizmi ka vlera të jashtëzakonshme, jo vetëm sa i takon lirisë së besimit, por sidomos për kontributin e jashtëzakonshëm që ka dhënë historikisht për të vaditur me dashuri me përkushtim dhe palodhshmëri rrënjët e atdhedashurisë. Bektashizmi dhe Shqiptaria janë një dhe të pandara. Ne jemi sot këtu të përkujtojmë sakrificat dhe modelin e jashtëzakonshëm, fuqinë që vazhdon t’i japë, frymëzimin e pandërprerë që vjen nga Abaz Aliu, ky luftëtar dhe ky martir i jashtëzakonshëm i dinjitetit të lirive njerëzore, i cili është sot vazhdon të frymëzojë. Ndaj jo më kot edhe poeti i rilindjes sonë kombëtare, Naim Frashëri, kur donte të shtonte forcën e besimit, jo vetëm të besimtarëve bektashinj, por të gjithë shqiptarëve te mundësitë e tyre për të parë dritë dhe për t’u shkëputur nga errësira, jo më kot ai la ato vargje të jashtëzakonshme: “Abaz Aliu zu Tomor, erdhi afër nesh, Shqipëria s’mbet e gjorë se Zoti e desh”. Mali i Tomorit dhe figura e Abaz Aliut përfaqësojnë një fuqi hyjnore dhe të mbinatyrshme për t’i frymëzuar jo vetëm besimtarët, por të gjithë njerëzit për të luftuar për vlerat më të mira njerëzore. Për solidaritetin, për dinjitetin njerëzor, për të shprehur mirënjohjen për sakrificat që bëhen për të mirën e njerëzimit. Ndaj edhe kjo fuqi e mbinatyrshme do të vazhdojë të frymëzojë dhe të tërheqë si një magnet akoma dhe më shumë qytetarë akoma dhe më shumë njerëz të cilët kërkojnë të gjejnë forcë në sfidat që kanë për të ardhmen e tyre. Njëkohësisht dua të shpreh mirënjohjen më të thellë për Kryegjyshin Botëror, Baba Edmond Brahimaj dhe të gjithë ekipin e tij për shembullin që japin vazhdimisht për të forcuar një nga vlerat më të jashtëzakonshme që ka vendi dhe kombi ynë: tolerancën dhe bashkëjetesën ndërmjet besimeve të ndryshme. Sepse kjo është një forcë e jashtëzakonshme për vendin tonë, për kombin tonë, pasi siç ka thënë rilindësi tjetër, Vaso Pasha, në mënyrë të veçantë “feja e shqiptarit është shqiptaria”.

Kjo na bashkon të gjithëve ndaj edhe këtu në malin e Tomorit vijnë gjithnjë e më shumë besimtarë të besimeve të tjera dhe ajo që i sjell këtu është në mënyrë të veçantë atdhedashuria. 

Të dashur pjesëmarrës në këtë eveniment të jashtëzakonshëm, uroj që Abaz Aliu t’ju japë forcë dhe t’ju ndihmojë me shembullin dhe me frymëzimin e tij për të bërë të gjithë punë të mira dhe vepra të mira në interes të familjeve tona e në mënyrë të veçantë në interes të vendit dhe të kombit tonë!” – përfundon fjalën e tij, Kreu i Shtetit Ilir Meta. 
Sigal