Meta pret ambasadorin e ri çek: Potenciale për bashkëpunim në bujqësi e turizëm

457
Kryetari i Kuvendit Ilir Meta priti sot Ambasadorin e ri të Republikës Çeke në Shqipëri z. Jaroslav Ludva, të cilit i uroi mirëseardhjen në vendin tonë dhe suksese në detyrën e re.
Kryetari i Kuvendit, z. Meta vlerësoi marrëdhëniet dypalëshe dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Republikës Çeke ndaj integrimit evropian të Shqipërisë, duke nënvizuar se në këtë drejtim bashkëpunimi ndërparlamentar është duke u thelluar më tej.

Ambasadori i Republikës Çeke në Shqipëri z. Jaroslav Ludva shprehu kënaqësinë e marrjes së detyrës së re në Shqipëri dhe rikonfirmoi vullnetin e palës çeke për intensifikimin e bashkëpunimit dypalësh.

Në këtë kuadër u theksua modeli i Grupit të Vishegradit dhe kontributi ndaj Fondit të Ballkanit Perëndimor me seli në Tiranë.

Meta, duke konfirmuar vullnetin e Kuvendit për intensifikimin e marrëdhënieve, vuri në dukje së bashku me Ambasadorin Ludva potencialet e shumta për rritjen e bashkëpunimit dypalësh, veçanërisht në fushat e bujqësisë dhe turizmit, duke vlerësuar numrin gjithnjë në rritje të turistëve çekë në vendin tonë.
Sigal