Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta
mori pjesë në ceremoninë e diplomimit të Fakultetit të Ekonomisë në
Universitetin e Tiranës
Meta: Vendi sot ka nevojë për më
pak politikë dhe për më shumë ekonomi
Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta
mori pjesë në ceremoninë e diplomimit të Fakultetit të Ekonomisë në
Universitetin e Tiranës, që u zhvillua sot në mjediset e Pallatit të
Kongreseve.
Në fjalën e tij përshëndetëse, z.
Meta shprehu vlerësimin e tij për këtë institucion të rëndësishëm të arsimit të
lartë, ndërsa falënderoi për kontributin e tyre të vyer edhe disa nga
profesorët më të njohur të Fakultetit të Ekonomisë.
“E mirëprita ftesën, sepse vazhdoj ta
ndiej me shumë kënaqësi, por edhe përgjegjësi, veten time si pjesë të këtij
fakulteti, të këtij institucioni mjaft të rëndësishëm të arsimit të lartë
publik në vendin tonë, por edhe shumë të dashur për të gjithë ne që kemi
studiuar këtu. Edhe unë i përkas një brezi të diplomuarish në Fakultetit e Ekonomisë,
Universiteti i Tiranës, për të cilin ruaj kujtimet më të bukura, si çdo
student. Gjej rastin të shpreh edhe një herë nderimin dhe vlerësimin e posaçëm
për të gjithë profesorët, që nga Dhori Kule, Sulo Hadëri, Ahmet Mançellari e
gjithë të tjerët”, – tha z. Meta.
Duke iu drejtuar studentëve,
Kryetari i Kuvendi theksoi se kjo ditë simbolike për ta dhe për prindërit e
tyre është, jo vetëm e mbushur me gëzim, por edhe shpërblimi ndaj përpjekjeve të
tyre të jashtëzakonshme dhe sakrificave të panumërta të prindërve.
“Fakulteti i Ekonomisë i
Universitetit të Tiranës është jo rastësisht një nga institucionet e para të
arsimit të lartë në Shqipëri dhe përbën një nga burimet më të pashterueshme dhe
më të çmuara në vite sa i takon përgatitjes së specialistëve, të kuadrove, dhe
të drejtuesve të lartë për shoqërinë shqiptare, për ekonominë e saj dhe
institucionet më të rëndësishme ekonomike, financiare, publike dhe private. Ai
duket se harmonizon edhe sot përvojën e gjatë me cilësinë e lartë të
aktivitetit arsimor, kërkimor e shkencor, të profesorëve, asistentëve dhe
studentëve, për t’iu përshtatur dhe për t’u përballur, jo vetëm me sfidat
ekonomike që shtrohen për zgjidhje në ekonominë e vendit tonë, por edhe për të
qëndruar denjësisht në hapësirën konkurruese universitare dhe akademike në
Shqipëri”, – nënvizoi z. Meta, ndërsa u shpreh se liberalizimi i arsimit të
lartë ofron të tjera sfida dhe sipërmarrja për të mbetur në tregun e punës, të
ekonomisë së tregut, dhe për t’i kontribuar asaj.
Gjithashtu, Kryetari i Kuvendit tha
se proceset reformuese të arsimit të lartë përbëjnë një sfidë tjetër për të
gjithë të diplomuarit dhe kërkon një angazhim ndryshe për t’iu përshtatur edhe
me sukses këtyre proceseve.
“Besoj shumë se stafi juaj
pedagogjik dhe akademik është me aftësinë dhe mundësinë e kërkuar për të qenë
në krye të këtyre proceseve të rëndësishme, jo vetëm për arsimin e lartë, por
edhe të kërkesave në rritje të ekonomisë sonë kombëtare. Zhvillimi ekonomik i
një vendi modest si Shqipëria, kërkon domosdoshmërisht koncepte zhvillimore të
reja rajonale dhe globale. Vendi ynë përfaqëson një treg modest, por mund të
kthehet në një treg mjaft konkurrues dhe me interes vetëm duke u përfshirë
aktivisht në bashkëpunimin ekonomik rajonal dhe proceset integruese të
ekonomive të rajonit tonë”, – shtoi z. Meta.
Sakaq, Kryetari i Kuvendit, shprehu
bindjen se nëpërmjet angazhimit në të ardhmen, kontributi i të sapodiplomuarve do
të jetë një vlerë e shtuar për fakultetin dhe natyrisht për Shqipërinë e të
ardhmen e saj.
“Sot është mbyllur një nga kapitujt
më të rëndësishëm të jetës tuaj dhe nesër fillon një tjetër po aq i rëndësishëm
ku ju do të merrni përgjegjësi të reja. Ju uroj nga zemra të gjithëve shumë fat
dhe suksese në karrierën tuaj profesionale, duke qenë i bindur se nëpërmjet
angazhimit tuaj në të ardhmen, kontributi juaj do të jetë një vlerë e shtuar
për ju, për fakultetin tuaj, dhe natyrisht për Shqipërinë dhe të ardhmen e saj”,
– theksoi z. Meta, teksa iu drejtua prindërve të pranishëm në këtë ceremoni,
duke thënë se kjo është dita për të qenë si asnjëherë tjetër krenar e të lumtur
për sakrificat dhe investimin që kanë bërë për arsimimin dhe edukimin e
fëmijëve të tyre.
“Suksesi i tyre flet më shumë se
çdo fjalët e imja sot. Vendi ynë sot ka nevojë për më pak politikë dhe për më
shumë ekonomi. Jam i bindur që edhe ju do të kontribuoni në mënyrë që të çojmë
më tej mendimin krijues ekonomik në vend. Ekonomia është një shkencë mjaft
dinamike, ku duhet azhornuar çdo ditë dhe unë jam i sigurt që ju do të sillni
risi, sepse jam i bindur për cilësinë e fakultetit. Një nderim të veçantë për
pedagogët, të cilët kanë ditur të mbajnë lart emrin e këtij fakulteti, që kanë
ditur të përgatisin gjenerata të tëra studentësh të përgjegjshëm, të aftë dhe
me ambicie për të realizuar njohuritë e tyre. Suksesi juaj do të ndihmojë për
të lartësuar edhe më tej emrin e këtij fakulteti mjaft të rëndësishëm e të
dashur për të gjithë ne”, – tha ndër të tjera Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta
në fjalën e tij.





















