Meta mori pjesë në hapjen e punimeve të Asamblesë së 25-të të Agjencive të Lajmeve të Vendeve të Detit Mesdhe

459
Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta mori pjesë në hapjen e punimeve të Asamblesë së 25-të të Agjencive të Lajmeve të Vendeve të Detit Mesdhe (AMAN).
Në fjalën përshëndetëse, Kryetari i Kuvendit deklaroi se vendet e rajonit të Mesdheut kanë një potencial të jashtëzakonshëm për zhvillimin ekonomik dhe në mënyrë të veçantë për zhvillimin e turizmit.  Duke e cilësuar Mesdheun si një nga rajonet më tërheqëse në botë, me një bukuri natyrore të jashtëzakonshme, me një pasuri të trashëgimisë kulturore nga më të veçantat dhe nga më të rëndësishmet, Kryetari i Kuvendit theksoi rëndësinë e rritjes së bashkëpunimit dhe nevojës për të kuptuar rëndësinë e stabilitetit, rëndësinë e sigurisë, rëndësinë e bashkëpunimit në mënyrë që të mos e cenojnë më tej shfrytëzimin e këtij potenciali të jashtëzakonshëm për zhvillim, për mirëqenie, në interes të gjithë qytetarëve.
“Sot kur bota po përjeton procesin e globalizimit, është e qartë që konkurrenca nuk zhvillohet më apo nuk është e përqendruar më midis vendeve fqinje, apo mikro-rajoneve fqinje, por është duke u zhvilluar midis rajoneve më të mëdha dhe në këtë kuptim, ne duhet ta konsiderojmë edhe Mesdheun si një rajon të përbashkët ku fryma e bashkëpunimit, fryma e mirëkuptimit, duhet të dominojë. Dhe në këtë drejtim mediat kanë një rol të jashtëzakonshëm për të luajtur në aspektin pozitiv”, – tha z. Meta.

Kryetari i Kuvendit theksoi rëndësinë e madhe që ka media dhe turizmi për të përmirësuar komunikimin midis popujve, sidomos të atyre që kanë patur probleme në të kaluarën me njëri-tjetrin.
“Deri nga viti ’97-’98, Mali i Zi, i cili ishte pjesë e Jugosllavisë, dhe dihen raportet e Shqipërisë me Jugosllavinë në të kaluarën dhe problemet që ka patur populli shqiptar në Kosovë dhe në përgjithësi në ish-Jugosllavi, gjë që ndikonte që raportet midis Shqipërisë dhe Malit të Zi të konsideroheshin apo të përjetoheshin, të perceptoheshin si marrëdhënie jo miqësore, por si marrëdhënie më shumë armiqësore. Por vetëm në dy tre vjet, për shkak të heqjes së vizave, për shkak të komunikimit, për shkak të zhvillimit të turizmit, ky perceptim u përmbys krejtësisht dhe marrëdhëniet jo thjesht të Shqipërisë me Malin e Zi që janë të shkëlqyera, pra midis institucioneve, qeverive, parlamentareve, por marrëdhëniet midis njerëzve, midis shqiptarëve dhe malazezëve janë të jashtëzakonshme”, – shtoi z. Meta. 
Gjithashtu, z. Ilir Meta theksoi rëndësinë që ka turizmi, komunikimi dhe media për të përmirësuar klimën dhe perspektivën e marrëdhënieve midis vendeve.
“Shohim që ka media në Shqipëri që për shkak të interesave të kompanive të caktuara të cilat kanë interes për të promovuar turizmin e shqiptarëve jashtë Shqipërisë, përhapin lajme dizinformuese dhe keqinformuese për standardet e turizmit në Shqipëri, për problemet e cilësisë të detit, të ujit të pijshëm, e kështu me radhë, me qëllim për të frikësuar turistët shqiptar apo të tjerë për të bërë pushimet e tyre në Shqipëri dhe për t’i bërë ato në vende të tjera në mënyrë që të përfitojnë këto agjenci. Është shumë e rëndësishme që të theksojmë që mediat duhet të jenë objektive gjithmonë. Ne nuk themi të fshehin realitetin, të fshehin të vërtetën, përkundrazi. Sepse realiteti dhe e vërteta është një mjet për të adresuar probleme dhe për të përmirësuar kushtet e zhvillimit të turizmit. Por dua të theksoj rëndësinë që kanë mediat në të dyja rastet, si për mirë, ashtu edhe për keq. Në këtë drejtim ne besojmë në përgjegjësinë dhe përgjegjshmërinë tuaj në pasqyrimin objektiv të këtij aktiviteti, në promovimin e potencialeve të gjithë rajonit dhe të gjithë vendeve tona”, – vijoi z. Meta, duke shtuar se ky duhet të jetë dhe është një nga fokuset kryesore të këtij bashkëpunimi. 
Më tej, Kryetari i Kuvendit tha se lufta pozitive për të tërhequr sa më shumë turistë në rajonin tonë ndihmon të gjitha vendet tona dhe çdo promovim pozitiv i potencialeve të vendeve tona respektive, është një kontribut që secili prej nesh jep edhe për vendin e tij.
Gjithashtu, z. Meta shtoi se krahas përmirësimit të imazhit të gjithë rajonit, mbrojtja e mjedisit është një sfidë e jashtëzakonshme në rajon sepse cenimi i mjedisit është një kërcënim për zhvillimin e turizmit në të ardhmen. 
“Është mjaft e rëndësishme të rriten kapacitetet e çdo vendi në mbrojtjen e mjedisit, por njëkohësisht duhet një bashkëpunim dhe një transparencë më e madhe midis vendeve të rajonit. Sepse në rast se një vend ndjek një politikë të papërgjegjshme, kjo nuk dëmton vetëm detin apo mjedisin në atë vend, por e dëmton edhe më gjerë, gjë që kërkon patjetër që të gjitha vendet tona të respektojnë detyrimet ndërkombëtare dhe të bashkëpunojmë që të kemi një standard sa më të larë të ruajtjes, të mbrojtjes dhe të zhvillimit të mjedisit si një garanci për të zhvilluar në mënyrë afatgjatë industrinë e turizmit në dobi të mirëqenies së qytetarëve tanë”, – deklaroi ndër të tjera Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta në fjalën e tij përshëndetëse. 
Gjatë kësaj Asambleje, drejtues dhe përfaqësues të agjencive të lajmeve, zyrtare dhe publike, nga 22 vende, diskutuan për ndjeshmëritë dhe rolin që duhet të luajnë këto institucione të rëndësishme mediatike në promovimin e turizmit në këtë rajon dhe sfidat në periudhën aktuale.
Fjala e plotë e Kryetarit të Kuvendit, z. Ilir Meta
I nderuar z. Podgorica
Të nderuar deputetë dhe drejtues të agjencive të Mesdheut. 
Është kënaqësi për mua si Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë të marr pjesë në këtë aktivitet mjaft kuptimplotë, që zhvillohet në Tiranë. 
Ne patëm kënaqësinë përpara tre muajsh të mikprisnim në Tiranë Asamblenë parlamentare të Mesdheut, që ishte një ngjarje mjaft e rëndësishme duke patur në konsideratë zhvillimet e reja në Mesdhe dhe impaktin që ato kanë për sigurinë e rajonit tonë dhe të popujve tanë, por padyshim edhe impaktin që kanë për zhvillimin ekonomik të rajonit tonë. 
Po kështu dje në Tiranë përfundoi punimet Asambleja Parlamentare e NATO-s, në prag të Samitit të NATO-s në Varshavë. Një eveniment tepër i rëndësishëm, ku një çështje e vazhdueshme ishte pikërisht edhe situata në rajonet tona të Mesdheut dhe evidentimi i ndryshimeve, që kanë ndodhur në mjedisin strategjik të sigurisë në këtë rajon që kërkon një bashkëpunim më të fuqishëm ndërkombëtar për të stabilizuar vatrat e konfliktit dhe njëkohësisht përhapjes së krizave humanitare të cilat kanë tronditur deri edhe vendet kryesore të Bashkimit Europian, por padyshim edhe vendet e rajonit tonë.
Nuk mund të mos flasim për këto çështje kaq të mprehta, të cilat nuk rrezikojnë vetëm industrinë e turizmit, që në mjaft prej këtyre vendeve që dikur kanë qenë mjaft atraktive për turistët nga e gjithë rajoni, por dhe nga e gjithë bota, tashmë janë dëmtuar në mënyrë mjaft serioze, ndërkohë që edhe imazhi i tyre, dhe i vendeve përreth tyre është gjithashtu një faktor dekurajues për nxitjen dhe zhvillimin e turizmit. 
Në këtë drejtim, unë besoj se është mjaft e rëndësishme që të kuptojmë si vendet e rajonit të Mesdheut potencialin e jashtëzakonshëm që ky rajon ka për zhvillimin ekonomik, që ka për zhvillimin e turizmit në mënyrë të veçantë, pasi është një nga rajonet më tërheqëse në botë, me mjaft veçanti, me një bukuri natyrore të jashtëzakonshme, me një pasuritë trashëgimisë kulturore nga më të veçantat dhe nga më të rëndësishmet. Natyrisht duhet një bashkëpunim shumë i madh për të kuptuar rëndësinë e stabilitetit, rëndësinë e sigurisë, rëndësinë e bashkëpunimit në mënyrë që të mos e cenojnë më tej shfrytëzimin e këtij potenciali të jashtëzakonshëm për zhvillim, për mirëqenie, në interes të gjithë qytetarëve tanë.
Sot kur bota po përjeton procesin e globalizimit, është e qartë që konkurrenca nuk zhvillohet më apo nuk është e përqendruar më midis vendeve fqinje, apo mikro-rajoneve fqinje, por është duke u zhvilluar midis rajoneve më të mëdha dhe në këtë kuptim, ne duhet ta konsiderojmë edhe Mesdheun si një rajon të përbashkët ku fryma e bashkëpunimit, fryma e mirëkuptimit, duhet të dominojë.
Dhe në këtë drejtim mediat kanë një rol të jashtëzakonshëm për të luajtur në aspektin pozitiv. Unë personalisht do të vija theksin te rëndësia e madhe që ka media, që ka turizmi për të përmirësuar komunikimin midis popujve, sidomos të atyre që kanë patur probleme në të kaluarën me njëri-tjetrin. Dhe për këtë dua t’ju jap disa shembuj që kanë lidhje me rajonin tonë apo dhe me rastin e Shqipërisë. 
Deri nga viti ‘97-‘98, Mali i Zi, i cili ishte pjesë e Jugosllavisë, dhe dihen raportet e Shqipërisë me Jugosllavinë në të kaluarën dhe problemet që ka patur populli shqiptar në Kosovë dhe në përgjithësi në ish-Jugosllavi, gjë që ndikonte që raportet midis Shqipërisë dhe Malit të Zi të konsideroheshin apo të përjetoheshin, të perceptoheshin si marrëdhënie jo miqësore, por si marrëdhënie më shumë armiqësore. 
Por vetëm në dy tre vjet, për shkak të heqjes së vizave, për shkak të komunikimit, për shkak të zhvillimit të turizmit, ky perceptim u përmbys krejtësisht dhe marrëdhëniet, jo thjesht të Shqipërisë me Malin e Zi që janë të shkëlqyera, pra midis institucioneve, qeverive, parlamentareve, por marrëdhëniet midis njerëzve, midis shqiptarëve dhe malazezëve janë të jashtëzakonshme. 
Njëkohësisht dua të theksoj rëndësinë që turizmi, komunikimi, media, japin për të përmirësuar klimën dhe perspektivën e marrëdhënieve midis vendeve dhe kam qenë mjaft i kënaqur që në vitet e fundit ka patur një rritje të numrit të turistëve serb në Shqipëri. Por jo vetëm kaq, ka patur një reflektim pozitiv në Serbi, në media, në portalet e Serbisë për mundësitë që ofron Shqipëria për turistët e huaj, edhe për turistët serb dhe për klimën miqësore që ata gjejnë këtu. Dhe kjo është mjaft pozitive.
Ndërkohë që duke u kthyer tek fenomeni që përmendi z. Podgorica, shohim që ka media në Shqipëri që për shkak të interesave të kompanive të caktuara, të cilat kanë interes për të promovuar turizmin e shqiptarëve jashtë Shqipërisë, përhapin lajme dizinformuese dhe keqinformuese për standardet e turizmit në Shqipëri, për problemet e cilësisë të detit, të ujit të pijshëm, e kështu me radhë, me qëllim për të frikësuar turistët shqiptar apo të tjerë për të bërë pushimet e tyre në Shqipëri dhe për t’i bërë ato në vende të tjera në mënyrë që të përfitojnë këto agjenci.
Ne nuk jemi kundër promovimit të turizmit të vendeve të tjera, përkundrazi. Por është shumë e rëndësishme që të theksojmë që mediat duhet të jenë objektive gjithmonë. Ne nuk themi të fshehin realitetin, të fshehin të vërtetën, përkundrazi. Sepse realiteti dhe e vërteta është një mjet për të adresuar probleme dhe për të përmirësuar kushtet e zhvillimit të turizmit. Por dua të theksoj rëndësinë që kanë mediat në të dyja rastet, si për mirë, ashtu edhe për keq. Në këtë drejtim ne besojmë në përgjegjësinë dhe përgjegjshmërinë tuaj në pasqyrimin objektiv të këtij aktiviteti. Në promovimin e potencialeve të gjithë rajonit dhe të gjithë vendeve tona. Dhe mendoj se ky duhet të jetë dhe është një nga fokuset kryesore të këtij bashkëpunimi, pasi dihet që dhe turistët, sidomos ata që vijnë nga larg, nuk do të donin ti kalonin të gjitha ditët e tyre në një vend të caktuar. Do të donin të vizitonin sa më shumë vende dhe në këtë mënyrë, lufta pozitive për të tërhequr sa më shumë turistë në rajonin tonë ndihmon të gjitha vendet tona dhe çdo promovim pozitiv i potencialeve të vendeve tona respektive, është një kontribut që secili prej nesh jep edhe për vendin e tij.
Përmirësimi i imazhit të gjithë rajonit ndikon absolutisht pozitivisht në rritjen e potencialeve të çdo vendi për t’u zhvilluar më shumë dhe për të tërhequr sa më shumë turistë.
Ndërkohë që mbrojtja e mjedisit është një sfidë e jashtëzakonshme në rajonin tonë, sepse cenimi i mjedisit është një kërcënim për zhvillimin e turizmit në të ardhmen dhe mjedisi mund të cenohet në radhë të parë nga vetë ne. Prandaj është mjaft e rëndësishme të rriten kapacitetet e çdo vendi në mbrojtjen e mjedisit, por njëkohësisht duhet një bashkëpunim dhe një transparencë më e madhe midis vendeve të rajonit. Sepse në rast se një vend ndjek një politikë të papërgjegjshme, kjo nuk dëmton vetëm detin apo mjedisin në atë vend, por e dëmton edhe më gjerë, gjë që kërkon patjetër që të gjitha vendet tona të respektojnë detyrimet ndërkombëtare dhe të bashkëpunojmë që të kemi një standard sa më të larë të ruajtjes, të mbrojtjes dhe të zhvillimit të mjedisit si një garanci për të zhvilluar në mënyrë afatgjatë industrinë e turizmit në dobi të mirëqenies së qytetarëve tanë.
Dua të shpreh vërtetë kënaqësinë, që ju të gjithë jeni në Tiranë dhe jam i bindur që gjithë ata që vijnë për herë të parë, padyshim që do të jenë të motivuar për të ardhur përsëri dhe kjo i ndodh të gjithëve që vijnë për herë të parë në Shqipëri. Natyrisht edhe kjo ka të bëjë me perceptimin jo shumë të drejtë, që ekziston për vendin tonë, për të cilin ne duhet të punojmë akoma më shumë për ta përmirësuar dhe ku mediat tona, por edhe mediat tuaja, kanë një rol shumë më të rëndësishme. Sepse ka ende shumë njerëz në rajonin tonë, edhe në vendet fqinje, përveç se në vendet më të largëta, të cilët kanë perceptimin e një Shqipërie të shumë kohëve më parë, ndërkohë që Shqipëria sot është një vend jashtëzakonisht i stabilizuar, i qëndrueshëm, demokratik dhe me një potencial zhvillimi të jashtëzakonshëm. Por mbi të gjitha me njerëz mjaft miqësorë, bujarë dhe ky është një tjetër faktor i rëndësishëm edhe për zhvillimin dhe mikpritjen e turistëve në të ardhmen.
Sigal