Meta fut projektligjin “Statusi i naftëtarit”, në agjendën e seancave të muajit Janar-2017

567
Sigal

Për
kryeparlamentarin Ilir Meta, punët e vitit 2016, janë finalizuar edhe me futjen
e projektligjit “Statusi Naftëtarit”, në agjendën e seancave parlamentare të
muajit Janar-2017. “Statusi i naftëtarit”, ka qenë prioritet i veprimtarisë dhe
programit të LSI e cila ka këmbëngulur, që qeveria aktuale ta hartojë si
projekt-ligj të posaçëm, ashtu siç u veprua edhe me ligjin për “Statusin e
Ushtarakut”, për “Statusin e Familjeve të Dëshmorëve të Atdheut”, për “Statusin
e Veteranit të Luftës”, për “Statusin e Nëpunësit Civil” dhe për “Statusin e
Minatorit”. Tashmë me nismën e LSI dhe përkujdesjen e kryeparlamentarit Meta,
ky status i punonjësve të naftës është bërë projekt-ligj dhe pritet që në
muajin Janar 2017 të futet për diskutim dhe miratim në parlament. Sipas
projekt-ligjit, “Statusi i naftëtarit” përcakton pozitën juridike, ekonomiko,
financiare dhe shoqërore, kërkesat e përgjithshme të pranimit, të drejtat,
detyrimet dhe kufizimet e punonjësve e ish-punonjësve të industrisë së naftës e
të gazit, për arsye të karakterit të veçantë të punës dhe ndikimin e punës që bëjnë,
në shëndetin e tyre. Paga e punonjësve të industrisë së naftës dhe të gazit,
sipas projekt-ligjit të statusit, do të përcaktohet sipas kontratës kolektive
të punës dhe kjo pagë nuk mund të jetë më e ulët se 150 % e pagës minimale, në
shkallë vendi Personat, që do të gëzojnë “Statusin e naftëtarit”, dhe që kanë
vjetërsi-burrat mbi 20 vjet dhe gratë mbi 15 vjet, por që janë të papunë në
momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji, përveç përparësisë në ripunësim, kanë
të drejtën e përfitimit financiar sipas kushteve dhe procedurave të përcaktuara
me vendim të Këshillit të Ministrave, i cili, në asnjë, rast nuk mund të jetë
më i vogël se 80% e pagës minimale në shkallë vendi. Kanë të drejtë të kërkojnë
pension pleqërie, si punonjës të industrisë së naftës dhe gazit, punonjësit të
cilët plotësojnë këto kushte: Burrat që plotësojnë moshën 60 vjeç dhe kanë një
periudhë të përgjithshme sigurimi 30 vjet e më shumë, nga të cilat jo më pak se
20 vjet në procese; gratë që plotësojnë moshën 55 vjeç dhe kanë një periudhë të
përgjithshme sigurimi 30 vjet e më shumë, nga të cilat jo më pak se 15 vjet në
procese pune. Këtu bëjnë përjashtim personat që kanë kryer punë si operator
(përgjegjës kyçi) dhe ndihmës-operator (punëtor pastrimi) dhe traktorist në
brigadat e remontit nëntokësor të puseve të naftës e të gazit, kryesondator,
pontist dhe punëtor i kyçit në shpimin e puseve të kërkimit dhe të zhvillimit
të vendburimeve, punonjës në repartet e koksit të rafinerive të naftës. Mosha e
daljes në pension për këta persona është 60 vjeç për burrat dhe 55 vjeç për
gratë dhe me periudhë të përgjithshme sigurimi 30 vjet për burrat dhe 25 vjet
për gratë dhe vjetërsi në këto profesione sa gjysma e vjetërsisë së
përgjithshme.