Meta dhe Rama, homazhe në Varrezat e Dëshmorëve. Nderim për 28 mijë të rënët dhe veteranët e Luftës

553
73-Vjetori i Çlirimit, Meta dhe Rama, homazhe në Varrezat e Dëshmorëve
Politika vazhdon të festojë e ndarë 28 dhe 29 Nëntorin, asnjë deklaratë pas ceremonisë në Varrezat e Dëshmorëve
Sikundërse në 28 Nëntor në Vlorë, edhe në 29 tek Varrezat e Dëshmorëve, Ilir Meta, Gramoz Ruçi dhe Edi Rama ishin bashkë. Ata kryen homazhe dhe vendosën kurora me lule tek monumenti “Nëna Shqipëri” në nderim të 28 mijë dëshmorëve në Luftën për çlirim gjatë pushtimit nazi-fashist. Zyrtarët e lartë, ndryshe nga vitet e tjera nuk përcollën urime përmes kamerave. Politika shqiptare e feston sërish e ndarë Ditën e Çlirimit të vendit, edhe pse 29 Nëntori është data zyrtare e kujtimit të kësaj dite. Të majtët respektojnë 28 Nëntorin si Ditën e Pavarësisë dhe 29 Nëntorin si Ditën e Çlirimit, ndërkohë që të djathtët i përkujtojnë të dy festat më 28 Nëntor. Autoritetet më të larta të shtetit, përfaqësues të Partisë Socialiste dhe aleatëve të saj dhe veteranë nderuan dje dëshmorët e rënë për liri, duke bërë homazhe pranë Varrezave të Dëshmorëve. Ndërkohë Partia Demokratike nderoi të martën kujtimin e të rënëve duke vendosur kurora me lule pranë monumentit “Nënë Shqipëri”. Debati për Festën e Çlirimit mbetet ende i ndezur në politikën shqiptare, ku e djathta ndjek të njëjtin model si gjatë mandatit të saj të parë qeverisës, kur ndryshoi datën e Çlirimit, nga 29 Nëntori më 28 Nëntor, pasi sipas saj, kjo e fundit ishte zgjedhur nga regjimi komunist duke falsifikuar historinë. Pas përfundimit të ceremonisë në varrezat e dëshmorëve, zyrtarët u larguan. Mesazhet që nuk u dhanë pas ceremonisë, drejtuesit e vendit, i dhanë gjatë aktiviteteve të ditës. Kështu kryeministri Edi Rama bëri një deklaratë gjatë një aktiviteti të zhvilluar nga Ministria e Mbrojtjes me rastin e 29 Nëntorit. Ai tha se simbolika e 29 Nëntorit përmban një thirrje gjithnjë aktuale, për të gjithë shqiptarët për të vijuar me vendosmëri përpjekjen për Shqipërinë që duam, me shtet, punë e mirëqenie. Kryeministri thotë se kjo ditë vendosi Shqipërinë dhe shqiptarët si pjesë e koalicionit fitues.

“Të vazhdojmë rrugën tonë të përbashkët të afrimit të përditshëm me familjen evropiane, si një aspiratë e kahershme dhe angazhim i palëvizshëm i të gjithë shoqërisë sonë, i të gjitha forcave politike dhe pa diskutim i qeverisë sonë të re”, u shpreh Rama.
Ndërkohë Presidenti Ilir Meta, përveç ceremonive zyrtare të organizuara me rastin e 73-vjetorit të çlirimit të vendit, ka postuar në rrjetet sociale edhe një foto me Lili Verdhën, vajzën e një partizani të njohur. “Ishte një kënaqësi e veçantë që 29 Nëntorin ta festoj me vajzën e një partizani të njohur, Lili Sali Verdhën, e cila është Konsulle e Përgjithshme Nderi e Shqipërisë në Finlandë dhe bën një punë të mrekullueshme për promovimin e Shqipërisë”, shkruan Meta në rrjetet sociale.
Sigal