Meta: Austria, një avokate e mirë e Shqipërisë

498
Presidenti i Republikës, Ilir Meta, bisedoi dje në një takim të veçantë me sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Jashtme të Austrisë, Dr.Michael Linhart, lidhur me marrëdhëniet dypalëshe dhe integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Presidenti Meta vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera, historike e tradicionalisht miqësore e të bashkëpunimit mes dy vendeve, dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme e të gjithanshme të Austrisë për Shqipërinë dhe shqiptarët. Duke iu referuar procesit të integrimit evropian të vendit, Kreu i Shtetit vlerësoi se, Austria ka qenë një nga avokatet më të mira të këtij procesi. Presidenti shprehu gjithashtu besimin se, gjatë Presidencës austriake të BE-së, Shqipëria dhe rajoni i Ballkanit Perëndimor do të jenë në qendër të vëmendjes së BE-së dhe procesi i zgjerimit do të vijojë me veprime konkrete. Të dy bashkëbiseduesit vlerësuan progresin e gjithanshëm të Shqipërisë dhe ndanë të njëjtin mendim se, në këtë fazë të zhvillimit të vendit dhe afrimit me BE-në, imperative mbetet implementimi me sukses i reformës në drejtësi dhe vendosja e besimit tek shteti i së drejtës, duke vlerësuar se nga suksesi i saj varet përmirësimi i klimës së biznesit dhe rritja e investimeve të huaja. Një vëmendje të veçantë iu kushtua edhe zhvillimeve në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ku Presidenti Meta vlerësoi ndër të tjera, rolin dhe kontributin e Austrisë si Kryesuese e Radhës së OSBE-së, për forcimin e mëtejshëm të paqes dhe stabilitetit në këtë rajon.
Sigal