Mesazhi i madh ushqen brenda nesh ndjenjën e faljes, të tolerancës dhe të harmonisë

471
Presidenti Meta merr pjesë 25-vjetorin e vizitës apostolike të Papa Shën Gjon Palit II në Shqipëri
Presidenti i Republikës, Meta ishte i pranishëm në festën e shenjtë të Zojës së Shkodrës, duke marrë pjesë në meshën solemne të mbajtur në Kishën katolike të “Zojës së Këshillit të Mirë”. Duke përkujtuar gjithashtu edhe 25-vjetorin e vizitës apostolike të Papa Shën Gjon Palit II në Shqipëri, Presidenti i Republikës në fjalën e rastit, iu drejtua Arqipeshkëvit të Dioqezës Shkodër-Pult, Imzot Anxhelo Masafras si dhe besimtarëve të shumtë, duke theksuar se dita kur Ati i Shenjtë, Papa Shën Gjon Pali II shkeli për herë të parë tokën shqiptare, e puthi dhe e bekoi atë, ka mbetur, jo vetëm për shqiptarët, por edhe për botën mbarë, një tablo biblike, prekëse e madhështore, që nuk mund të shuhet kurrë nga kujtesa historike e kombëtare.
Data 25 prill 1993, dita kur Ati i Shenjtë, Papa Gjon Pali II shkeli për herë të parë tokën shqiptare
Data 25 prill 1993, dita kur Ati i Shenjtë, Papa Gjon Pali II shkeli për herë të parë tokën shqiptare, e puthi dhe e bekoi atë, ka mbetur, jo vetëm për shqiptarët, por edhe për botën mbarë, një tablo biblike, prekëse e madhështore, që nuk mund të shuhet kurrë nga kujtesa njerëzore e as nga kujtesa historike e kombëtare. Vizita e parë e Atit të Shenjtë në Shqipëri ndodhi në momentet e shndërrimeve dhe transformimeve të mëdha politike dhe shpirtërore të vendit tonë. Vizita e Papa Gjon Palit II në Shqipëri ishte një rreze drite drejt paqes, ishte një shpresë për një jetë më të mirë, ishte një mbështetje e fuqishme për të gjithë shqiptarët, ishte një shenjë e Zotit për dheun e një populli të lashtë dhe martir, dheun e Gjergj Kastriotit Skënderbeut – Heroit tonë Kombëtar, vendin e Papa Domeniko Xhovani Albanit dhe atdheun e Shenjtores së mbarë njerëzimit “Nënës Tereza”.
Ati i Shenjtë: “Ndjenja e hakmarrjes është një ndjenjë që rrënon”
“Ndjenja e hakmarrjes është një ndjenjë që rrënon” këshilloi Ati i Shenjtë gjatë kësaj vizite dhe “Ndjenja e atdhetarizmit nuk duhet të degjenerojë në një nacionalizëm agresiv”. Ky mesazh i madh ushqen brenda nesh ndjenjën e faljes, të tolerancës dhe të harmonisë, të dashurisë për njëri-tjetrin dhe të vetëpërmbajtjes. Koha provoi se nacionalizmi agresiv do të përgjakte popujt e Ballkanit duke lënë pas frikë, urrejtje dhe armiqësi të mëdha e plagë ende të pashëruara. Ai u bëri thirrje të gjithë popujve të Ballkanit për të hequr dorë nga intoleranca fetare, e cila jo shumë larg nga Shqipëria po përgjakte besimtarët myslimanë, katolikë dhe ortodoksë ndërmjet tyre. Intoleranca fetare prodhon ksenofobi. Këtë mesazh Ati i Shenjtë e bëri pikërisht nga Shqipëria, modeli i tolerancës dhe harmonisë ndërfetare, të trashëguar brez pas brezi, thesar të cilin të gjithë ne duhet ta ruajmë e ta përsosim gjithnjë e më shumë. Në këtë përvjetor të vizitës së parë të Papa Gjon Palit II në Shqipëri ne kujtojmë njëkohësisht edhe 25-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Republikës së Shqipërisë dhe Shtetit të Vatikanit, marrëdhënie të cilat kanë një të ardhme dhe perspektivë të shkëlqyer. Ne i mbetemi mirënjohës thellësisht Shtetit të Vatikanit, Papa Shën Gjon Palit II dhe Atit të Shenjtë, Papa Françeskut për mbështetjen dhe inkurajimin e vazhdueshëm të Shqipërisë dhe shqiptarëve. 
Sigal