Mehmetaj: Gratë nuk kanë nevojë për festa, por për politika konkrete që i fuqizojnë ato intelektualisht dhe ekonomikisht

378
Sigal

Ish-deputetja e LSI, Kejdi Mehmetaj nëpërmjet një postimi në Facebook ka ndarë momente nga aktivitetet e 8 marsit ku së bashku me vajzat dhe gratë e “Platformës Kombëtare për Gratë” zhvilloi një konferencë  nga e cila dolën me disa propozime konkrete.

Postimi i plotë i Kejdi Mehmetaj:

Sot pata kënaqësinë ti bashkohesha zonjave të nderuara aktiviste për të drejtat e vajzave dhe grave përmes “Platformës Kombëtare për Gratë” të cilat zhvilluan takimin e tyre rajonal në qytetin e Fierit.

Dita e tyre filloi sot me një protestë simbolike në sheshin e qytetit dhe u mbyll me një konferencë nga e cila dolën me disa propozime konkrete.

Dhuna, mungesa e vendeve të punës, mungesa e edukimit cilësor, pabarazia me të cilën trajtohen në çdo situatë, vështirësitë që hasin kur tentojnë të jenë pjesë e vendimarrjes janë disa prej problemeve me të cilat gratë shqiptare përballen çdo ditë dhe njëkohësisht probleme të cilat nuk trajtohen seriozisht nga qeveria dhe madje as nga shoqëria jonë.

Gratë dhe vajzat nuk kanë nevojë për festa, madje as për lule, por për vlerësim e respekt. Kanë nevojë për politika konkrete që i fuqizojnë ato intelektualisht dhe ekonomikisht. Të tjerat vijnë vetiu…

Unë uroj që ne të gjitha ta gjejmë forcën brenda vetes për të reaguar e për të luftuar pa u ndalur për të drejtat tona e njëkohësisht shpresoj se shoqëria jonë do të mësojë ti promovojë gratë frymëzuese si modelet më të mira për brezat e rinj.