Kina jehonë takimit të Presidentit Meta me Ministrin e Jashtëm të Kinës, Wang Yi

254
Takimi mes Presidentit  të Republikës së Shipërisë, Ilir Meta dhe Ministrit të Jashtëm të Kinës, Wang Yi ka gjetur jehonë në  shtypin kinez dhe diplomacinë e saj. Agjencia  shtetërore e lajmeve “CGTN” dhe ambasada kineze kanë shpërndarë njoftimin nëpërmjet statuseve në Twitter, ku theksohet se ky takim i hap rrugë forcimit më tej të marrëdhënieve tradicionale dhe miqësisë mes dy vendeve dhe popujve. Ambasada kineze e mbyll njoftimin e saj për takimin miqësor duke deklaruar se: “Miqësia tradicionale është në kujtimet tona”.
Sigal

Ja njoftimi i zyrës së shtypit të Presidencës:

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta zhvilloi sot një takim miqësor me Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës Popullore të Kinës, Sh.T.Z. Wang YI. Presidenti Meta vlerësoi miqësinë tradicionale dhe marrëdhëniet mes dy vendeve dhe popujve, si dhe shprehu dëshirën për t’i forcuar edhe më tej ato në të ardhmen. “Zhvillimi i marrëdhënieve ekonomiko-tregtare, shkëmbimet në bujqësi, turizëm, kulturë dhe arsim janë fusha me interes dhe me dobi reciproke për vendet dhe popujt tanë”, – nënvizoi Kreu i Shteti gjatë takimit. Presidenti Meta, duke theksuar rëndësinë e rolit të Shqipërisë, si anëtare jo e përhershme e Këshillit të sigurimit të OKB-së për vitet 2022-2023, që përkon edhe me 50-vjetorin e anëtarësimit të RP të Kinës në OKB, e siguroi Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës Popullore të Kinës, Sh. T. Z. Wang YI për bashkëpunim në funksion të forcimit të mëtejshëm të paqes dhe stabilitetit kudo në botë.