Më 4 qershor prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla zbardh dosjet e kandidatëve të inkriminuar

483
Në datën 4 qershor, Prokurori i Përgjithshëm do të ketë në dorë, listën me emrat e kandidatëve në zgjedhjet vendore, të cilët kanë proçese gjyqësore të hapura. Lajmi konfirmohet për gazetën “Telegraf” nga grupi i prokurorëve të cilët janë ngarkuar në proçesin e verifikimit të rasteve, në prokuroritë e rretheve. Në 13 maj, Prokurori i Përgjithshëm lëshoi një urdhër drejtuar prokurorëve, ku kërkohej informacion mbi proçeset e hapura ndaj kandidatëve të zyrtarizuar për Kryetarë të Bashkisë. Prokurori i Përgjithshëm u kërkon vartësve të tij verifikimin e çdo të dhëne për kandidaturat dhe hartimin e raporteve, të cilat ishte percaktuar se duhet të depozitoheshin brenda datës 21 Maj pranë Komisionit parlamentar për Dekriminalizimin. Prokuroria e Përgjithshme veproi kështu, duke patur edhe udhërrëfyes apelin e ambasadës amerikane dhe të ambasadorëve të tjerë të vendeve të BE në Tiranë, të cilët monitorojnë nga afër procesin zgjedhor, u bënë thirrje subjekteve politike e zgjedhore, që të verifikojnë çdo kandidat të tyre, nëse kanë apo jo persona me rekorde kriminale dhe t’i heqin nga listat, përndryshe, përpara zgjedhjeve, ato do të bëjnë publike çdo fakt që kanë ndaj tyre. 

Konfirmohen botimet e “Telegraf”
Kohë më parë gazeta “Telegraf” ku, duke iu referuar burimeve të sigurta, ka shkruar se para zgjedhjeve të 21 qershorit, do të publikohen lista e kandidatëve të rregjistruar për kryebashkiakë dhe anëtarë të këshillave bashkiakë të cilët janë me rekorde kriminale dhe që do të hiqen nga listat përkatëse. Kështu, që duke iu referuar burimeve pranë Prokurorisë së Përgjithshme, deri tani konfirmohet se në këtë prokurori janë përcjellë pjesa më e madhe e të dhënave, që kanë dërguar prokuroritë e rretheve, nga të cilat rezulton se ka kandidatë që aktualisht figurojnë persona të marrë të pandehur. Nuk bëhen të ditur as emra, as sa është numri i tyre pasi proçesi është ende në fazën e grumbullimit të të dhënave.

Personat e inkriminuar, dhuruesit e parave e votave për partinë
Partitë politike, e dinë shumë mirë edhe të kaluarën penale të çdo kandidati të tyre, por për interesa personale, partiake, bëjnë qorrin e shurdhin, të paditurin, dhe pranojnë që të përfaqësohen në parlament dhe në pushtetin vendor, pikërisht me persona me rekorde kriminale, për shumë arësye. Së pari, këta persona të inkriminuar janë dhuruesit financierë të partie, apo drejtuesve të partive, paçka se këto burime financiare kanë ardhur nga bota e krimit, janë të paligjshme. Së dyti, personat e inkriminuar mund të sigurojnë partisë edhe shportat me vota, në shkëmbim të një mandate parlamentar, apo si kryebashkiakë. Kjo është arësyeja që partitë parlamentare, të paktën në këtë pikë, kanë arritur konsensusin, që në Kodin Zgjedhor, të mos ketë ligj që të pengojë personat e inkriminuar për t’u bërë deputet e kryebashkiakë, ndaj edhe në këto zgjedhje, partitë politike nuk kishin vullnetin politik, që të bënin verifikimin e kandidatëve të tyre, përveçse u morrën me disa deklarata tulumbace, kundër njëri-tjetrit, pa ndonjë veprim konkret. 

Konsesus politik për të rregjistruar kandidatë të tjerë
Edhe pse Kodi Zgjedhor tashmë e ndalon, që çdo kandidat që dorëhiqet, apo hiqet nga lista, nuk mund të zëvendësohet, ky ngërç ligjor, mund të kapërcehet, nëse Kuvendi, KQZ dhe partitë politike arrijnë në një konsensus të gjerë dhe bëjnë një marrëveshje, që të zëvendësojnë kandidatët që kanë rekorde kriminale dhe në asnjë mënyrë nuk duhen lejuar që të votohen në 21 qershor. Mbase subjektet politike e zgjedhore, nuk kanë interesa që të bëhet kjo marrëveshje, derisa kishin kohën e mjaftueshme, që të verifikonin kandidatët e tyre, kishin mundësinë, që të bënin ndryshime në Kodin Zgjedhor dhe të kishin përfshirë edhe ligjin e dekriminalizimit dhe të mos arrinin në këtë pikë, që vetëm disa ditë para zgjedhjeve, prokuroria e Përgjithshme të zbardhë listën e kandidatëve me rekorde kriminale dhe t’u kërkojë subjekteve politike e zgjedhore që të heqin këta kandidatë nga lista e garimit. PD e bëri (vullnetarisht) me kandidatin e saj në Këlcyrë, Gentian Muhameti. Ishkryetari i KQZ, Kristaq Kume, në një prononcim për gazetën “Telegraf” pohoi, se edhe tani, partitë politike, nëse arrijnë në konsensus mund të bëjnë një marrëveshje dhe të zëvendësojnë kandidatët e inkriminuar, e kjo është në interesin e shoqërisë, pasi, sipas Prof. Kristaq Kume, nuk duhet kurresi, që kandidatët e inkriminuar të votohen e të zgjidhen në 21 qershor. Ndërkohë, konstitucionalisti Niazi Jaho, shprehet se duhet që partitë politike të mos kandidojnë asnjë person, që mund të jetë dënuar, qoftë edhe 60 vjet më përpara. 
Flasin për “Telegraf”
Prof. Dr. Kristaq Kume: “ Partitë të arrijnë në marrëveshje politike që të zëvendësojnë kandidatët e inkriminuar
-A duhet që Kuvendi, KQZ e partitë politike, të zëvendësojnë tani me një marrëveshje konsensusi, kandidatët që kanë rekorde kriminale?
Për mendimin tim te ne ngjarje të tilla, domethënë, që të zbatohen vendime të një marrëveshjeje politike, një konsensus i gjerë politik, ka ndodhur dhe nuk është një rast i vetëm, që marrëveshja politike ka qënë më e fuqishme se sa ligji. Kur kanë rënë dakort palë politike, kanë arritur të ndryshojnë gjithçka, duke mos iu referuar ligjit, por duke iu referuar marrëveshjes politike. Një veprim i tillë, në rastin konkret, për mendimin tim, nëse do të ndodhte, do të ishte më shumë në favor të së mirës, se sa jo pozitivja që sjell pikërisht, në kushte t e ligjit të shtetit të së drejtës. E rëndësishme është, për mua, që kandidatët, që garojnë, ata që do votohen në 21 qershor 2015, të jenë njerëz pa të kaluar kriminale. Për ta parandaluar këtë gjë, interesi i shoqërisë është që ata kandidatë të inkriminuar, të hiqen menjëherë nga listat e garimit dhe të bëhet urgjentisht zëvendësimi i tyre, edhe tani, pavarësisht, nga koha dhe mjeti që do realizohet kjo. Është shumë e rëndësishme kjo, se sa çdo gjë tjetër, qoftë edhe shkelja e Kodit Zgjedhor. 
Niazi Jaho, konstuticionalist
Për mua, duhej që asnjë kandidat të mos të ketë të drejtën që të kandidojë, nëse ka qënë I dënuar, qoftë edhe para 60 vjetësh. Por është e çuditshme, që në Kodin Zgjedhor, që nga 2001 e deri tani nuk ka dispozitë që të pengojë kandidimin e personave të dënuar, as për deputetë, as për kryetarë bashkie dhe anëtarë për këshillat bashkiakë, kur ndërkohë, ka dispozitë që pengon zgjedhjen e anëtarëve të KZAZ, të KQV nëse ata janë dënuar më parë. 
Sigal