Mbyllja e universiteteve për 1 muaj, Mehmetaj: Kundër plehrave, pro edukimit!

55

Vetëm pak ditë para nisjes së vitit të ri akademik, Komiteti Teknik i Ekspertëve për pandeminë ka marrë vendimin të propozojë mbylljen e universiteteve për 1 muaj. Lidhur me këtë ka reaguar edhe ish-deputetja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Kejdi Mehmetaj, e cila përmes rrjeteve sociale shprehet se kokëfortësia e qeverisë për të mos u treguar qytetarëve të vërtetën dhe dashakeqësia e neglizhenca në mos marrjen e masave dhe përgatitjen e buxheteve të nevojshme për përballimin e pandemisë në shkolla na sjell sot në ditën që qeveria duhet të bëjë transparencë të plotë të situatës.

“Përgjatë gjithë verës por edhe këto dy muaj vjeshte përpara fillimit të universitetit kemi bërë vazhdimisht thirrje për Qeverinë, Universitetet e studentët për të parashikuar mësimin online. Kokëfortësia e qeverisë për të mos u treguar qytetarëve të vërtetën dhe dashakeqësia e neglizhenca në mos marrjen e masave dhe përgatitjen e buxheteve të nevojshme për përballimin e pandemisë në shkolla na sjell sot në ditën që: Studentët kanë paguar konviktet/ shtëpitë me qera; Studentët e familjet e tyre kanë bërë të gjithë shpenzimet për vitin e ri akademik (të cilat me mësimin në kushte shtëpie janë të evitueshme); Studentët e familjet e tyre duhet të planifikojnë një buxhet të ri për kompjuter e internet; Universitetet janë të papërgatitura teknikisht për zhvillimin e mësimit online. Ndërkohë që pothuaj të gjitha vendet e rajonit, Europës e më tej e kanë lajmëruar zhvillim e mësimit online që në verë, qeveria jonë e lajmëron 4 ditë përpara fillimit të vitit akademik. Tamam duke u tallur me qytetarët e duke abuzuar me paratë tona. Besoj se Ministria e Arsimit e ka të qartë që mësim online nuk quhet komunikimi në Zoom për 45 minuta, besoj e ka të qartë gjithashtu se nuk është detyra e pedagogëve të gjejnë e paguajnë platforma për mësimin online. Në këtë situatë lindin disa pyetje që duan përgjigje: Cili është buxheti që ka programuar qeveria për të mundësuar zhvillimim e mësimit online në universitete? A ka parashikuar qeveria të rimbursojë tarifat e universiteteve për studentët duke marrë në konsideratë se ata nuk do të jenë fizikisht në shkolla? A kanë parashikuar qeveria dhe bashkitë përgjegjëse të konvikteve tu kthejnë studentëve mbrapsht pagesat që kanë kryer? A ka parashikuar qeveria buxhet për studentët të cilët nuk munden të përballojnë shpenzimet për kompjuter e internet? Pyetjet më sipër janë retorike, pasi dihet tashmë nga të gjithë që kjo qeveri nuk ka para as për arsim e as për shëndetësi por vetëm për koncesione e PPP. Kundër plehrave, pro edukimit!”, u shpreh ish-ligjvënësja e LSI-së, Kejdi Mehmetaj.