Bozdo: Projekti Veliaj, zvogëlim në planin origjinal të bashkisë së Tiranës

480
Partia Demokratike nëpërmjet ish-nënkryetarit të bashkisë së Tiranës, Eno Bozdo, ka kundërshtuar projektin Veliaj për bulevardin e ri të Tiranës, duke e konsideruar atë si një zvogëlim në miniaturë të projektit origjinal të bulevardit dhe Lumit të Tiranës të bërë nga demokratët.
Ish-nënkryetari i bashkisë së Tiranës, Eno Bozdo, nëpërmjet një deklarate për mediat u shpreh se “Parku që ofroi sot Veliaj, është minimalisht pesë herë më i vogël se hapësira e gjelbër që ofron projekti origjinal i Bulevardit dhe Lumit të Tiranës”.
“Sot Veliaj përsëri gënjeu në përpjekje për t`i mbushur mendjen opinionit publik se po afron gjelbërim për Tiranën; në të vërtetë, kjo “ofertë” e maskuar thjesht redukton hapësirat e gjelbërta. Praktikisht nuk do të ketë më Bulevard, ndërsa projekti orgjinal (që Veliaj shpalli sot të pavlefshëm) kishte 300 mijë m2 gjelbërim të planifikuar, pa llogaritur këtu rreth 1 milionë m2 gjelberim shtesë që Tirana përfiton nga projekti i Lumit të Tiranës”, tha Bozdo.
Ai theksoi se “1.3000.000 m2 gjelbërim gjithsej i dhuroheshin Tiranës nga projekti origjinal, që Veliaj anuloi sot me një të rënë të lapsit, ndërsa i premton kryeqytetit një park të ri, i cili në rastin më të mirë do të jetë sa 1/5 e gjelbërimit të projektit të parë. Me sa duket, arsyet e vërteta të bllokimit për më shumë se dy vite te projektit të Bulevardit dhe të Lumit të Tiranës janë thjesht interesa betoni”.
Sigal