Mazhoranca arrin marrëveshje me grupin e Alibeajt për Presidentin: Nuk do ketë raund të katërt e të pestë. Mediu dhe Duka propozojnë Dashamir Shehin. Reagon opozita: Në dorë e ka Rama

157
Sigal

 

Pas dështimit të raundit të parë të zgjedhjes së presidentit, Partia Socialiste dhe opozita, janë ulur së bashku, në përpjekje për të gjetur një kompromis paraprak për presidentin e ri të vendit. Takimi mes përfaqësuesve të grupeve parlamentare u zhvillua në Kryesinë e Kuvendit. Por duket se takimi nuk ka pasur një rezultat konkret për fatin e Presidentit të ri teksa duket se ka pasur një pakt të parë mes mazhorancës dhe opozitës të përfaqësuar nga deputeti i Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj. Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, tha se deri në raundin e tretë nuk do të bëjnë propozime për presidentin, ndërsa do presin ato të opozitës me kusht që propozimet të mos jenë nga “katrani” siç e cilësoi ai Komisionin e Rithemelimit. Pra duket se procesi për përzgjedhjen e një emri për presidentin e ri po kthehet në një farsë, e cila vijon. Kjo kërkesë e Ballës u pranua nga kreu i grupit parlamentar demokrat, Enkelejd Alibeaj, që tha se nëse do të ketë shkelje të rregullave, do të konsiderohet shkelje e marrëveshjes. Gjatë mbledhjes ka qenë vetë deputeti i PD Enkeled Alibeaj i cili është treguar i  prerë duke thënë se nuk do të ketë raund të katër apo të pestë. Alibeaj tha se opozita ka të drejtën e propozimit dhe për aq kohë sa po kryhen negociata mes palëve procesi nuk do të zgjatet.  Në mbledhjen e Komisionit Balla është shprehur: “Deri në raundin e tretë propozimet i keni ju, ne nuk po propozojmë deri në raundin e tretë. Bëni si ta doni ju. Mos harroni nëse doni të konsultoni ndonjë emër me ne na njoftoni kur. Nëse doni të ecni në mënyrë ekskluzive, atëherë ramë dakord, pranohet dokumenti juaj deri në raundin e tretë. Në raundin e katërt e ka thënë Kushtetuta si zgjidhet, ratë dakord? E dini se kemi vënë një kusht, që kandidat që vjen nga katrani me bojë nuk pranojmë. Ne nuk do të propozojmë kandidat, pa propozuar ju, ju do të propozoni, dhe ne do ta mendojmë dhe më pas do të shprehemi me votë.” Teksa ka qenë Alibeaj i cili ka pranuar këtë marrëveshje të propozuar nga Balla. Alibeaj ka deklaruar “Po, pranojmë, por ki parasysh. Çdo shkelje siç e ke lexuar, e këtyre rregullave është shkelje e marrëveshjes.” Gjatë mbledhjes në diskutime janë përfshirë edhe Damian Gjiknuri i cili i ka kërkuar deputetit të PD Alibeaj më shumë vendosmëri dhe të heqë dorë nga sofizmat për ti hapur rrugë procesit të përzgjedhjes së emrit të ri të Presidentit. Damian Gjiknuri:Transparenca nuk mund të mbulojë frikën e vendimmarrjes. Ne jemi gati që ju të na sillni 4 emra, që ju mendoni se mund të jenë atraktivë, brenda kritereve që vetë ju keni vendosur. Hajde që të ulemi e na provoni, për sinqeritetin e bashkëpunimit, këtë ua themi shumë miqësisht. Nuk kemi pse të rrimë 4 orë para kamerave dhe të bëjmë sofizma.” Kreu i PAA Agron Duka gjatë mbledhjes së Konferencës së Krytarëve teksa po diskutohej për presidentin e ri, u shpreh se opozita duhet të shkojë me një propozim, pavarësisht nëse kjo do të pranohet apo jo. Po ashtu Duka tha se ai vetë do të angazhohet për të mbledhur 20 firma, në mënyrë që të propozohet një kandidat. Agron Duka: “Kaq e vështirë qenka kjo punë? Një process që është i qartë. Maxhoranca thotë që bën një gjysmë oferte. Sillet një popozim. A kemi zgjidhje tjetër ne? Nëse maxhoranca thoshte që në fillim që ju do e zgjidhni, sillni kandidaturat. Unë për vete mendoj që duhet të gjejmë gjuhë bashkëpunimi, do të tentoj edhe vetë personalisht të gjejmë 20 firma, të sjellim ju, them se do e digjni.” Kreu i Partisë Republikane Fatmir Mediu gjatë mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve u shpreh se të gjithë deputetët e opozitës duhet të propozojnë emra për kandidatë për presidentin e ri të vendit. Sipas Mediut në këtë mënyrë të përfshihen të gjithë, dhe jo vetëm ata që plotësojnë 84 votat për zgjedhjen e kreut të ri të vendit. Po ashtu Mediu u shpreh se opozita duhet të dalë me kandidatë të përbashkët ose të tërhiqet nga procesi. Fatmir Mediu: “Hyrja pa kandidaturë i jep shans justifikimit të një farse të zgjedhjes së presidentit. Ose të dalim në mënyrë të përbashkët me një kandidat osë të mbajmë një qëndrim për të mos qenë pjesë e këtij procesi.  Nuk kemi më kohë.” Deputetja e Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Mesila Doda tha se Kuvendi dhe deputetët po humbin kohë dhe mundësi duke mos biseduar me kandidaturat. Në fjalën e saj gjatë Konferencës së Kryetarëve, Doda tha se deputetët nga të gjithë palët duhet që të përfshiheshin në një proces real, ndërsa shtoi se kishte shumë rezerva lidhur me gjithë diskutimet.  Mesila Doda: “Ky parlament ka një histori, ka një memorie të veten. Çdo raund që ikën pa kandidat është një mundësi e humbur. Nuk besoj se politika shqiptare nuk e ka këtë mundësi që të debatojmë për një President. A ka mundësi të futemi në një proces real? Kreu i grupit parlamentar të PD-së në këtë përballje me mazhorancën ka marrë në takim deputetët Orjola Pampuri dhe Arbër Agalliu, ndërkohë që të pranishëm ishin edhe përfaqësues të tjerë nga opozita, Fatmir Mediu, Agron Duka, Mesila Doda. Në takimet e mëparshme, në kuadër të konferencës së kryetarëve, të pranishëm në mbledhje kanë qenë deputetet Grida Duma dhe Jorida Tabaku, të cilat duket se nuk kanë qenë në një linjë me Alibeajn për takimin e sotëm. Kujtojmë se raundi i parë për zgjedhjen e Presidentit u dogj pa asnjë candidature, ndërsa deri në raundin e dytë më 23 Maj palët kanë afat për një emër konsensual. Debatet deri tani janë fokusuar kryesisht te kriteret që do të duhet të përmbushi presidenti i ri i vendit, dhe palët janë treguar skeptike për të dhënë emra konkretë, që do të mund të gjenin një mbështetje me bazë të gjerë jo vetëm në Kuvend por edhe në publik.

Mediu dhe Duka e propozuan për president. Dashamir Shehi reagon për herë të parë: Në dorë e ka Kryeministri Rama

Dashamir Shehi është emri që dy nga deputetët e opozitës Fatmir Mediu dhe Agron Duka kanë diskutuar si një propozim të mundshëm për President të Republikës së Shqipërisë.

Shehi u shpreh falënderues ndaj kolegëve të tij për propozimin, por shtoi se kjo mbetet një hipotezë, pasi janë dhe grupet e tjera në parlament, që përfaqësojnë dhe ato opozitën që do të paraqesin emrat e tyre.

Shehi theksoi se nëse palët do të propozonin emrin e tij, ai do e mirëpriste, por në fund do të jetë Rama dhe mazhoranca ata që do të vendosin për zgjedhjen e Presidentit të ri.

“Janë të gjitha manovra përpara, nuk merremi ne me këtë. Ne kemi detyrimin për të propozuar një emër. Unë i falënderoj, por kjo është një hipotezë politike. Në dorë e ka Rama. Të shohim kë do të propozojë PD-ja e ndarë në dy pjesë. Nëse i pëlqej popullit opozitar le të më votojnë, por siç e thashë janë të gjitha manovra politike”, -deklaroi Shehi.