Mashtrimi i Ramës me Dick Martin dhe paragrafi që fshehu përqasuesi i PS

430
Kryeministri më paska përmendur sot për rolin si përfaqësues i LSI për miratimin e Raportit të Dick Martit?! Qëllimi është i qartë, ndonëse i dëshpëruar e absurd: T’i lidhë zhvillimet sot në Kosovë dhe veprimtarinë e Gjykatës Speciale, si përgjegjësi e LSI dhe përfaqësuesve të saj në qeverisje?!
Sigurisht që bëhet fjalë për peridhën kur unë isha Ministër i Punëve të Jashtme në Qeverinë Berisha. Dhe ngjarja në fjalë është diskutimi dhe miratimi i Rezolutës 1782, datë 17 janar 2011, të Këshillit të Evropës, miratuar me 169 vota pro, 8 kundër, dhe 14 abstenime.
Në këtë sesion të Këshillit të Evropës, merrte pjesë delegacioni i Kuvendit të Shqipërisë, me deputetët Rusmaili, Gjiknuri dhe Idrizi. Është shumë e qartë nga procesverbali i mbledhjes, se të tre përfaqësuesit e Kuvendit e kanë mbështetur Rezolutën në thelbin e saj, dmth për hetimin e pretendimeve të raportit të Dik Martit. Po kështu, është e vërtetë se pas mospranimit të disa amendimeve nga Asamblea, deputetët Gjiknuri dhe Idrizi votuan kundër Rezolutës. Sot, disa media pranë Kryeministrit, me qëllim që vetëm nxjerrjes së të vërtetës nuk i shërben, me variantin copy-paste, kishin bërë një paraqitje të paplotë të fjalës së përfaqësuesit të PS në diskutimet për Rezolutën.
Ja çfarë paragrafi i mungonte diskutimit të Përfaqësuesit të PS, të paraqitur sot me mburrje në media, gjoja si kundër Rezolutës.
Gjiknuri:
“…..
Kështuqë, i kërkoj Asamblesë të mbështesë amendimet e propozuara nga delegacioni shqiptar, që kërkojnë një hetim të plotë të çështjes dhe që të menjanohet deklarimi paraprak fajtor të një organizate politike për arsyen e vetme se ajo luftoi për çlirimin e një populli të shtypur.”
Pra, është e qartë si drita e diellit që përfaqesuesi i PS ka kërkuar “hetim të plotë të çështjes” dhe kundërshtimi ishte për frazime/amendime të caktuara të Rezolutës, jo për thelbin e saj.
Shtrohet pyetja, MOS PËRFAQËSUESI I PS NUK E PYETI KRYEMINISTRIN E SOTËM – KRYETARIN E PS në atë kohë- për mbështetjen që i bëri Rezolutës?!
Si ministër i Punëvë të Jashtme i Qeverisë Berisha, dhe si përfaqësues i LSI në atë qeverisje, jam shumë krenar për gjithë veprimtarinë e asaj qeverie në mbështetjen e shtetit të ri të Kosovës, të njohjeve ndërkombëtare e integrimit në organizatat rajonale e ndërkombëtare, të pjesmarrjes së parë zyrtare të Kosovës në Këshillin e Evropës, ndërsa gjatë presidencës së Shqipërisë në Këshillin e Evropës, isha President i tij, e më tej, në gjithe forumet ndërkombëtare ku përfaqësohej Republika e Shqipërisë. Drejtësinë e qëndrimeve të mbajtura atëherë për Kosovën e ka vërtetuar koha.
Nuk është aspak qëllimi i sotëm të sqaroj veprimtarinë time në mbështetje të Kosovës, që në 1999, si Kordinatori i parë i Njësisë për Menaxhimin e Emergjencës (krizë gjatë luftës për çlirimin e Kosovës), as si ministër i Jashtëm, e as më pas. Sigurisht, që do ta bëj nëse do të jetë e nevojshme. Por nuk mund të mos shpreh keqardhjen e thellë që çështje të tilla me rëndësi mbarëkombëtare, si veprimtaria e Gjykatës Speciale në Kosovë, të mos trajtohen me përgjegjësi maksimale nga qeveria këtej e në kordinim me atë matanë kufirit, por të bëhen çështje në funksion të show-ut politik të momentit.
Për këtë çështje kam shkruar edhe në statusin e djeshëm në FB!
p.s. Për çdo gjë të deklaruar në këtë status, janë të disponueshme dokumentet zyrtare përkatës. (Më poshtë po bashkëngjis dy ekstrakte nga diskutimet e deputeteve që votuan kundër Rezolutës, si edhe letrën që si ministër i Jashtëm i Shqipërisë i dërgova gjithë Ambasadorëve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, një ditë përpara se Këshilli të diskutonte për Kosovën, ku paraqitet qëndrimi i Qeverisë Shqiptare në atë kohë për Raportin e Dik Martit, qëndrim që u vlerësua nga Ambasadorët e vendeve partnere që çliruan Kosovën, veçanërisht nga ata të SHBA-së, Britanisë dhe Gjermanisë).
Sigal