Mark Marku: Të gjitha rrugët e Ramës të çojnë në diktaturë

586
Sigal

Analisti Mark Marku deklaron se të gjitha shfaqjet dhe veprimet e Ramës të bëjnë të mendosh se vendi po shkon drejt diktarurës. Në emisionin “Provokacija”, Marku e ilustroi idenë e tij me disa detaje, duke filluar nga monopolet në ekonomi në kontrollin e plotë të gjitha institucioneve.

“Unë nuk mendoj që do shkojmë në diktaturë që të jemi të qartë sepse është e pamundur për kushtet, për kohën etj. Por të gjitha shfaqjet dhe veprimet e Ramës të çojnë drejt kësaj. Diktaturat dhe regjimet vendosen sipas rrethanave shoqërore, kanë specifika të ndryshme, nuk është diktaturë klasike. Jam dakord, në diktaturë nuk do isha sot se do vinin të më arrestonin këtu në studio, por ato që quhen diktatura moderne janë shumë më të kamufluara sidomos në një rend ku kryesisht është i prirur drejt demokracisë”, tha Marku.

Profesori i gazetarisë shtoi se “ku e gjykoj pse ka disa shenja të forta të diktaturës ose të derives totalitare? E para ka shkatërruar parimet e ekonomisë së tregut. Nuk ka konkurrentë, paratë shkojnë në mënyrë të projektuar tek 6,7, 8 vetë. Diktaturat godasin kryesisht konkurrencat ekonomike. Vendosin monopole, bëjnë arbitraritete. Kjo është shenja e parë. Ka çuar në eliminimin e të gjitha institucioneve që bëjnë atë balancën e pushtetit. Kjo është diktaturë, sepse demokracia kjo është, një institucion e pengon tjetrin. Rama e ka shumë problem që më pengon ky që të bëj këtë. Gjithë këtë sistem Rama ka shkuar duke e zhdukur pak nga pak dhe ka arrit në një parlament qesharak, që e kontrollon totalisht vetë, me bashki që i kontrollon vetë”.