Mandati i dytë, nis sot furtuna “Rama”

596
Kryeministri Rama dhe qeveria e tij e re do të nisin sot mandatin e dytë qeverisës për socialistët. Menjëherë pas betimit para presidentit të Republikës, Ilir Meta, shefi i qeverisë dhe ministrat e tij do të drejtohen në sallën e mbledhjeve të Këshillit të Ministrave për t’u vënë vulën vendimeve të para. Veç vendimit simbolik për shpalljen e Vitit të Skënderbeut më 2018-n, ekzekutivi pritet të miratojë edhe një sërë vendimesh të rëndësishëm. Një prej tyre do të jetë vendimi për kufizimin e përdorimit të certifikatave, i paralajmëruar tashmë nga kryeministri Rama. Gjithashtu, në listën e vendimeve të para është përfshirë edhe shkrirja e Drejtorisë së Kontrollit të Mjeteve dhe Sigurisë Rrugore, e njohur si një trupë inspektuese. Krahas saj, qeveria do të miratojë, ndoshta në mbledhjet e ardhshme, edhe organigramën e re të inspektorateve, që do të mbeten vetëm 6. 
Ndërkohë, miratimi i qeverisë së re do të lërë pa një karrige ministri përfaqësuesit e Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe të emëruarit pas marrëveshjes Rama-Basha. Gjithashtu, do të largohen edhe disa nga ministrat aktualë socialistë. Veç tyre, një valë tjetër largimesh do të prekë numrat dy të ministrive. Krahas të emëruarve nga radhët e LSI-së, shkrirjet apo bashkimet e ministrive do t’u kushtojnë vendin e punës edhe zyrtarëve të përzgjedhur nga mazhoranca aktuale. Për rrjedhojë edhe numri dhe shpërndarja e zv/ministrave pritet t’i përshtatet strukturës së re të qeverisë dhe mënyrës së ndërtimit të ministrive. Gjithashtu, një seri drejtorish do të mbyllin dyert, ndërsa shumë prej tyre do të bashkohen për të pakësuar numrin në tërësi. 
Krahas ndryshimeve të para, që qeveria mund t’i miratojë që në mbledhjen e sotme, struktura e shtetit pritet të pësojë lëvizje të mëdha. Me kthimin nga vizita në Nju-Jork, ku do të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, shefi i qeverisë pritet të vërë në zbatim edhe projektin për shkrirjen e bashkimin e shumë strukturave të tjera. “Shkrirja e institucioneve me funksione të ngjashme apo të njëjta, si dhe shkrirja e agjencive me më pak se 10 persona staf”, pritet të jetë një tjetër hap i ekzekutivit. Funksionet e tyre do të përthithen nga agjenci me funksione të ngjashme. Ndërkohë ekspertët kanë konstatuar se ka një mori strukturash, që kanë funksione inspektimi ose posaçërisht funksione inspektimi. Ajo që bie në sy është mungesa normative e formave dhe standardeve. “Kemi dublikime funksionesh; kemi një përzierje të kontrollit të brendshëm me inspektimin”, shprehen ekspertët, duke propozuar ndarjen e qartë të inspektimit me kontrollin. “Kontrolli është një veprimtari e brendshme menaxheriale e drejtorive dhe e inspektimeve, ndërsa inspektimi është i ligjshmërisë dhe sigurisë. Laboratorët janë shumë të rëndësishëm; ka mungesë të madhe të cilësisë së laboratorëve dhe numrit të tyre”, nënvizojnë ekspertët.
Vetë Rama e ka cilësuar këtë proces si shumë të rëndësishëm dhe ka premtuar lehtësim sa më të madh të kontaktit të qytetarit me qeverinë. “Është fillimi i një procesi ndryshimi kapilar që do të shtrihet në gjithë mekanizmin e shtetit dhe do të lehtësojë jetën e çdo qytetari në marrëdhëniet me administratën, do të ulë korrupsionin dhe do të rrisë transparencën, do të fuqizojë ekonominë, rrisë sigurinë dhe përshpejtojnë ecurinë evropiane të vendit”, u shpreh Rama pak ditë më parë. 
Do të lirojnë detyrat:
Ledina Mandija, zv/kryeministre
Mimi Kodheli, ministre e Mbrojtjes
Dritan Demiraj, ministër i Brendshëm
Milva Ekonomi, ministre e Ekonomisë
Klajda Gjosha, ministre e Integrimit
Eglantina Gjermeni, ministre e Zhvillimit Urban
Helga Vukaj, ministre e Financave
Sokol Dervishaj, ministër i Transportit
Mirela Karabina, ministre e Arsimit e Sportit
Edmond Panariti, ministër i Bujqësisë
Gazment Bardhi, ministër i Drejtësisë
Lefter Koka, ministër i Mjedisit
Arben Beqiri, ministër i Shëndetësisë
Xhulieta Kërtusha, ministre e Mirëqenies Sociale
Milena Harito, ministre Shteti për Inovacionin
Ermonela Felaj, ministre Shteti për Marrëdhëniet me Parlamentin
Eduart Shalsi, ministër Shteti për Çështjet Vendore
Zv/ministrat që largohen:
Ilir Marko, Punët e Brendshme
Erisa Xhixho, Integrimi (shkrihet ministria)
Eralda Çani, Integrimi (shkrihet ministria)
Adela Karapici, Ekonomia
Bahri Shaqiri, Transporti
Gjon Radovani, Zhvillimi Urban (shkrihet ministria)
Alfred Dalipi, Zhvillimi Urban (shkrihet ministria)
Nora Malaj, Arsimi
Bardhylka Kospiri, Mirëqenia Sociale (shkrihet ministria)
Vjollca Braho, Mirëqenia Sociale (shkrihet ministria)
Klodian Rjepaj, Shëndetësia
Kledi Xhaxhiu, Mjedisi
Roni Telegrafi, Bujqësia
Shkrihen 
Drejtoria e Kontrollit të Mjeteve dhe Sigurisë Rrugore
Drejtoritë e Bujqësisë
Inspektorati i Ujërave
Qendra e Trajnimit të Administratës Tatimore dhe Doganore
Qendra Kombëtare e Edukimit në Vazhdim
Qendra Kombëtare Bio/mjekësore
Agjencia e Inventarizimit të Pronave
Shtëpia Botuese e Teksteve Shkollore
Drejtoria e Përgjithshme e Metereologjisë
Enti i Banesave
Sigal