Lulzim Basha:Basha: Dhuna skenar i qeverisë, protestuesit ishin paqësor! Nuk ndalemi, protestë nesër në orën 18:30

442
Sigal

Nga Drejtoria e Policisë së Tiranës, lideri demokrat tha se dhuna në protestë ishte skenar i qeverisë pasi protestuesit sipas tij ishin paqësore.

Një deklaratë e çuditshme kjo kur protesta ishte në transmetim direkt në media, dhe ku u pa se protestuesit në momente të vazhdueshme në grup me njëri-tjetrin hodhën bomba molotov ndaj kryeministrisë, kryesisë së kuvendit, parlamentit dhe drejtorisë së Policisë ku mbrëmë u zhvendos protesta.

Basha tha se kjo qeveri do ta marrë përgjigjen nesër në protestën e pestë kombëtare që do të mbahet sërish para kryeministrisë në orën 18:30. Për personat e shoqëruar tek Drejtoria e Policisë, Basha tu shpreh se ata nuk do të qëndrojnë aty dhe nuk do të përballen me drejtësinë që sipas tij merr urdhra politikë. “ne do t’i çlirojmë ata”, tha lideri i Partisë Demokratike.

“Gjithë rrugët e Tiranës u mbushën nga dozat luftarake të gazit helmues dhe lotsjellës që ishte akti kriminal me të cilin kjo juntë kriminale i përgjigjet aspiratës së bashkuar të shqiptarëve për liri. E kanë të kotë, shqiptarët dhe opozita nuk ndalen. Javë pas jave, muaj pas muaji që nga dita kur Rama e mori pushtetin me bandat e krimit, është asgjësuar çdo institucion.

Parlamenti ishte i pari që ra, sot ulen figurina që janë zgjedhur me duart dhe babëzinë e krimit të oligarkëve. Ata nuk përfaqësojnë demokratët, por faqen e zezë, llumin e këtij vendi që e ka marrë peng. Nga parlamenti i krimit ka dalë një qeveri e krimit me në krye njeriun më të korruptuar, më mashtrues, dhe më të pashpirt, që i ka vënë shkelmin në fyt shqiptarët dhe ka ulur në tavolinën e babëzisë kriminelët. E gjithë Shqipëria e bashkuar kundër një grushti horrash dhe kriminelësh, që kanë instaluar përmes një grushti kushtetues shteti juntën në parlament.

Maduro i Ballkanit i ka orët e numëruara. Skenari i dhunës dje me kriminelë të veshur me uniformë në turmën e protestuesve paqësore, i shërbeu Edi Ramës për të treguar para botës se i vetmi njeri i interesuar për dhunë është Maduro i Ballkanit i cili do të marrë përgigjen e plotë nesër nga shqiptarët e bashkuar.

Ndalimi i Sait Dollapi mesazh mafie për të trembur shqiptarët, por do të marrë përgjigje nesër. Asnjë nga bijat dhe bijtë tanë nuk do të qëndrojë në kthetrat e tyre, e drejtësisë së kapur që merr urdhra politikë.

Ne do t’i çlirojmë ata. Kurrë nuk ka qenë më e qartë zgjedhja, o me juntën kriminale, o me popullin e bashkuar për liri dhe demokraci. Falenderoj nga zemra qytetarët që na janë bashkuar në këtë betejë jo për pushtet, por për të mbyllur tranzicionin, për të larguar Ramën, për të vënë në vend kushtetutën përmes një qeverie tranzitore.

Dhunuan dje studentët e ardhur nga Evropa, vetëm se ishin në krahun e opozitës së bashkuar”, deklaroi  Basha.