Lulzim Basha: Elbasani menaxhohet nga bandat kriminale, në bashkëpunim me kryebashkiakun Qazim Sejdini

586
Sigal

Dje, kryetari i PD-së përsëriti akuzat për bashkëpunimin e qeverisë me krimin, duke përmendur edhe bandat e Elbasanit, që janë të lidhura me kryebashkiakun Sejdini. Ndër të tjera, Basha tha: Kryeministri Edi Rama, sot po përdoret nga krimi për të kërcënuar këdo që denoncon krimin dhe mbron kriminelët nga hetimi. Kontrolli i territorit dhe kontrolli i ekonomisë është në duart e krimit, ka kaluar në duar të krimit. Fakti i dytë është se organet e hetimit të krimit, janë të shpartalluara dhe drejtuesit e tyre janë vënë në shërbim të krimit. Sot shqiptarët sundohen nga bandat të cilat kontrollojnë fizikisht lagjet, periferinë, qendrën, lokalet luksoze, territorin, kontrollojnë ekonominë, ato pikat e bixhozit, ekonominë, hotelerinë, restorante, turizëm, kontrollojnë pushtetin, të gjithë pushtetin; pushtetin ekzekutiv, parlamentin dhe drejtësinë. Nga qendra e Tiranës, nga zemra e Tiranës në Bllok, nga Shkodra, në Vlorë, në Elbasan, në Durrës, grupe të rrezikshme kriminale përbëjnë sot aktivitetin e vetëm kriminal dhe ekonomik të vendit. Kanë shtënë në dorë gjithçka; lejet e ndërtimit, koncesionet, trafiqet, industrinë e lojërave të fatit, lokale e paligjshme ku ushtrohet prostitucion, kudo në qytetet tona gjithçka kontrollohet nga bandat kriminale. Në Elbasan gjendja është e qartë, janë bërë jo me dhjetëra por me qindra kronika. Elbasani menaxhohet nga bandat kriminale, në bashkëpunim me kryebashkiakun Qazim Sejdini dhe me mbështetje të kryedeputetit dhe kreut të grupit parlamentar të PS, Taulant Ballës. Janë tre banda që kontrollojnë gjithçka; trafiqet, ekonominë, tenderët, policinë dhe politikën e Elbasanit. Nuk ka më as politikë, as ekonomi, asgjë tjetër në Elbasan, ka vetëm krim. Krimi tolerohet, lejohet dhe mbështetet nga Edi Rama dhe gjithë struktura qeveritare që ai drejton. Pra, jemi në një situatë, ku shkatërrimi i policisë dhe i prokurorisë, ka bërë që jo vetëm krimi të mos goditet, por krimi të inkurajohet, të motivohet, sepse po shijon frytet e tij. Po të jesh kriminel, siguron pasuri dhe pasurinë s’ta prek shteti, e shumëfishon, blen pronat më të mira, apartamentet më të mira, kompanitë për të pastruar paratë e pista të drogës dhe je rehat fare. Ligji Antimafia që është në fuqi prej vitit 2008 nuk vepron.