Luan Rama, fushatë me Dritëro Agollin dhe poezinë e Maro Podgozhanit

1652
Sigal

Mokër: Në 70-vjetorin e batalionit partizan “Reshit Collaku”

Janë mbledhur ditë më parë në Pleçisht të Mokrës mokrare dhe të ardhur nga Pogradeci e Korça, për të përkujtuar në një miting festiv 70-vjetorin e krijimit të batalionit partizan të Mokrës që u pagëzua me emrin e “Heroit të Popullit” Reshit Çollaku. E, siç është traditë në kësi përvjetorësh, nuk kanë munguar as përfaqësues të partive të majta, midis të cilëve edhe deputeti i PS-së, Bashkim Fino dhe Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama.

Mokra e Kuqe, siç njihet në histori dhe siç i pëlqen ta quajë gjithnjë sa herë flet për të edhe Kryetari i LSI-së Ilir Meta, në 70-vjetorin e themelimit të batalionit partizan “Reshit Collaku”, evokoi edhe një herë rolin e vet të madh si krahinë e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, e cila përbën edhe për Mokrën faqen më të lavdishme të luftërave të saj për liri dhe dinjitet kombëtar. Por pa dashur të ndalemi gjatë në përshkrimin e meritave dhe të kontributit të madh të mokrave në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, po veçoj një episod sa interesant aq dhe domethënës nga kremtimet e bëra në Pleçisht të Mokrës, në vendin ku u themelua batalioni partizan që luftoi në përbërje të ushtrisë nacionalçlirimtare shqiptare edhe në ish-Jugosllavi.

Ndërsa ka marrë fjalën për të përshëndetur të pranishmit në mitingun solemn, Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së Luan Rama, pasi evokoi  mesazhin që lidhet me 70-vjetorin e batalionit partizan dhe që ka të bëjë me bashkimin e shumë çetave dhe të luftëtarëve mokrare në batalionin “Reshit Çollaku”, ju “drejtua” Dritëro Agollit dhe krijimtarisë së tij, më konkretisht poezisë kushtuar Maro Podgozhanit ose siç njihet ndryshe Maro Mokra.

Dritëroi ynë i madh që është Naim Frashëri i Shqipërisë së sotme,- tha Luan Rama,- ka qenë dhe mbetet një nga miqtë e mëdhenj të Mokrës dhe të mokrareve, dashurinë dhe respektin për të cilët ai e ka gdhendur edhe në krijimtarinë e tij. Ndaj sot në 70-vjetorin e themelimit të batalionit partizan “Reshit Çollaku”, theksoi Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, teksa po udhëtoja për në Pleçisht, nuk mund të mos kujtoja edhe poezinë e Dritëro Agollit që nis me vargjet:

“Duke udhëtuar nëpër Mokër,

Ç’mu kujtove Maro Podgozhani…”

Dhe kaq është dashur që të pranishmit të shpërthenin në duartrokitje dhe ovacione dhe Luan Rama të recitonte me pathos e shumë ndjenjë poezinë e Dritëro Agollit, duke e pasuruar fushatën zgjedhore në kuadër të zgjedhjeve të 23 Qershorit edhe me emrin e shkrimtarit të madh dhe poezinë e tij kushtuar Maro Podgozhanit, një fragment të së cilës po e botojmë ashtu siç e recitoi para mokrareve edhe Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së Luan Rama.

Duke udhëtuar nëpër Mokër,

Ç’mu kujtove Maro Podgozhani,

Jemi shtruar bashkë në një sofër,

Unë dhe xha Meke partizani.

Po xha Mekja vdiq i ndrittë shpirti,

Vdekjen duke pritur me shakara,

Dhe vështron malluar nga Pleçishti,

Nga dritare e varrit nën dy arra.

…………………………………………….

Maro Podgozhani kish një djalë,

Për atë s’përtonte dhe të vdiste,

Ky Bajram Trebinja hapi fjalë,

Djalin fillikat në mal t’ja vriste.

……………………………………………

Ç’pate që trazove mendtë e mia,

Maro Podgozhani me kobure!

Më kujtohet kur Bajram Trebinja,

Zverdhur dyllë u fsheh nëpër haure.

Dil Bajram Trebinja, nga hauret!

Dil Bajram Trebinja qimekashte,

Të ti jap peshqesh të dy koburet,

Një me dhjetë, një me pesë a gjashtë.

………………………………………………

Larg nga Podgozhani në varreza,

Maroja po fle me katër mure,

Sipër saj e kaltër dridhet dredhëza,

Dhe nën kokë dergjen dy kobure…