Luan Harusha: “Premtoj t’u jap banorëve ujin e pijshëm dhe infrastrukturë”

949
Sigal

Luan Harusha, Kandidati për kryetar i Komunës Rrethina Shkodër

Në Komunën Rrethina të rrethit të Shkodrës  në 1 shtator do të zhvillohen zgjedhjet për kryetarin e kësaj komune, pasi Gjykata e Kushtetuese la në fuqi vendimin e Këshillit të Ministrave për shkarkimin e kryetarit të deritanishëm. Një nga kandidatët për kryetar të Komunës së Rrethinës në rrethin e Shkodrës është edhe Luan Harusha, një biznesmen i suksesshëm, i cili ka qenë, edhe emigrant në Gjermani dhe Itali. Në intervistën për “Telegraf”, Luan Harusha zbardhi prioritetet e punës, nëse fiton në zgjedhjet e 1 shtatorit, si Kryetar i Komunës së Rrethinës. Ndër të tjera, Luan Harusha zotohet, që brenda një kohe të shkurtër, do të sjellë ujin e pijshëm në komunë si edhe ndërtimin e  një infrastrukture, nga e cila sot komuna po vuan shumë.

– Zoti Harusha, deri më sot me se jeni marrë?

– Unë, pasi mbarova studimet e larta, kam jetuar një kohë si emigrant në Gjermani dhe Itali dhe më pas jam marrë me bizneset e mia. Duke patur parasysh eksperiencën që kam fituar në jetë, vendosa që të konkurroj si kandidat për Kryetarin e Komunës, për të dhënë edhe unë kontributin tim, për bashkëfshatarët e mi.

– Cilat do të jenë prioritetet e punës, nëse ju fitoni në zgjedhjet e 1 shtatorit, si kryetari i ri i Komunës së Rrethinës?

– Në Komunën Rrethina emergjente është problemi i ujit të pijshëm, të cilin do e finalizojmë vitin e parë të mandatit.  Por, rëndësi të veçantë do t’i kushtoj edhe infrastrukturës  rrugore, e cila është lënë shumë pas dore. Gjithashtu, shërbimet publike do të ristrukturohen dhe të bëhen më efiçente.

–  Përse zhvillohen tani zgjedhje të pjesshme në Komunën e Rrethinës?

– Zgjedhjet po bëhen në këtë periudhë pasi para një muaji Gjykata Kushtetuese la në fuqi vendimin e Këshillit të Ministrave për shkarkimin nga detyra të kryetarit paraardhës.

–  Deri tani, si është ecuria e fushatës zgjedhore?

– Fushata është shumë intensive, organizimet janë bërë për çdo fshat, si dhe kemi punuar me njerëzit, duke i takuar dhe komunikuar me to, shtëpi më shtëpi dhe duke i bindur se ato që unë u premtoj, janë plotësisht të realizueshme. Edhe suksesi që kam arritur në biznesin tim, më jep një epërsi dhe besueshmëri te banorët e Komunës, se, në detyrën e Kryetarit të Komunës, do të kem përvojën e duhur që të arritur këto që premtojmë.

– Nga cila forcë politike keni mbështetje dhe përse?

– Sot në Komunën tonë vjen edhe Kryeministri i zgjedhur, Edi Rama, për të mbështetur fushatën time elektorale. Jemi një skuadër rilindjeje, edhe në pushtetin qendror, por edhe në pushtetin vendor. Populli i dha votëbesimin Edi Ramës dhe së Majtës në përgjithësi për të realizuar një Rilindje të shpresave të shqiptarëve dhe Shqipërisë dhe ai votëbesim i popullit do të përsëritet edhe në 1 shtator, në zgjedhjet e pjesshme në Komunën e Rrethinës të rrethit të Shkodrës.