Ndërtimet pa leje të Vangjush Dakos që përmbytën Durrësin

478
Sigal

U përmbyt edhe magazina e Librit Shkollor, nxënësit do të mbeten pa libra në vitin e ri shkollor

Pardje, Kryeministri i zgjedhur Edi Rama organizoi konferencën “Shqipëria e Gjeneratës tjetër”, ku kishte ftuar  edhe 50 arkitektë, urbanistë nga shumë vende të botës. Nga kjo konferencë, Edi Rama premtoi se, qeveria e tij “Do të hapë një epokë të re për territorin”. Mirëpo, 24 orë më vonë, u mjaftua një rrebesh shiu dhe të përmbyste qytetin e Durrësit. Dhe bëhet fjalë për një bashki, ku nga 2006-ta e në vazhdimësi qeveris Kryebashkiak socialist dhe një ndër njerëzit më të afërt të kryetarit të PS-së dhe Kryeministrit të ri Edi Rama.

Reshjet e para të shiut kanë shkaktuar jo pak probleme në qytetin e Durrësit, ku në disa zona ato kanë arritur në rreh 40 centimetra. Përmbytjeve në Durrës nuk i ka shpëtuar as magazina e librit shkollor tek ish URT e Durrësit. Mësohet se, uji ka hyrë brenda kësaj magazine, ndërsa ka shkaktuar dëme të mëdha materiale. Nga uji që ka hyrë brenda magazinës rrezikohen edhe mijëra tekste shkollore. Më problematike paraqitet zona pranë stadiumit dhe sigurimeve shoqërore. Ndërkohë, që raportohet se reshjet e shiut me intensitet të lartë kanë shkaktuar problem në qarkullimin e mjeteve.

Prokuroria njoftoi se do të hetonte shkaqet e përmbytjeve

Në janar të 2013-s, prokuroria publikoi se, do të hetonte shkaktarët e përmbytjeve sistematike në qytetin e Durrësit. Mirëpo, edhe pse kanë kaluar kaq muaj, edhe pse Durrësi, vetëm me një rrebesh 1 orësh, u përmbyt sërish, Prokuroria nuk ka bërë asgjë, ndërsa Bashkia e Durrësit, vazhdon që të japë edhe leje të tjera betonizimi, pikërisht në ato vende, ku pengohet derdhja e ujit në det.

Shkaku i përmbytjes, ndërtimet pa leje në kolektorët e derdhjes të ujit në det

Vangjush Dako ka që nga viti 2006 që qeveris Bashkinë e Durrësit. Ndonëse janë bërë shumë ndërtime mbi shtratin e kolektorit që bën derdhjet e ujit në det, nga Bashkia e Durrësit nuk është bërë asgjë, qoftë në denoncimin dhe prishjen e këtyre ndërtimeve, qoftë edhe në prishjen e tyre.

Çfarë i ka munguar deri tani qytetit të Durrësit, që përmbytet pas çdo reshje shiu? Planet e mëdha të territorit? Arkitektët? Urbanistët? Qeverisja? Tani që edhe pushteti qendror, edhe pushteti lokal drejtohet nga socialistët, a do të gjendet një zgjidhje për shpëtimin e qytetit të Durrësit nga përmbytja e shiut? Kjo do të jetë edhe prova e parë e konkretizimeve të ideve, planeve dhe ideve madhore të kryeministrit Edi Ram për një epokë të re të Territorit. Ose, nëse vazhdojnë  përmbytjet e Durrësit pas çdo rënie shiu, qoftë në dimër, qoftë në behar,  atëherë ato do të jenë edhe përmbytja e shpresave për qeverisjen Rama, sikurse ndodh me qeverisjen Dako në Bashkinë e Durrësit!
 Flasin për “Telegraf”

Igli Cara, Kryetar i PD-së Durrës: Ftesë Ramës të vijë të prishë ndërtimet me dhe pa leje të Dakos mbi kolektor

Durrësi sot u përmbyt, uji kapërceu trotuaret dhe qytetarët me vështirësi lëvizën drejt shtëpive apo punëve të tyre. Shkaqet janë disa: nga mungesa e energjisë, që bëri që hidrovori të mos punojë disa orë, nga problematika që lidhen me kanalizimet, por më kryesorja janë ndërtimet pa leje të Vangjushit,  që prej vitesh masakrojnë qytetin dhe nxjerrin jashtë funksionimit kolektorin e ujërave të larta. Ne kemi folur shumë herë gjatë viteve të Dakos, si  kryetar bashkie, për ndërtimet mbi kolektor, por ai  ka parë gjithnjë hesapet e vogla të vetat, dhe kurrë nuk pyeti për hesapet e qytetarëve dhe qytetit. Shumë prej jush mund të bëjnë pyetjen:  Po ju çfarë bëtë? Përgjigjen e jep ligji i decentralizimit të pushtetit vendor. Dëshiroj t’i bëj një ftesë publike Ramës, që para se të bëjë konferenca për Shqipërinë e Gjeneratës së re, të detyrojë Dakon të prishë ndërtimet mbi kolektor dhe të ndalojë masakrën urbane mbi Durrësin”.

 

 

 Genc Juka, Prefekti i Qarkut të Durrësit

“Fajin e ka shiu që (për)mbyti …Durrësin”

Prefekti i Qarkut të Durrësit, Genc Juka, ndoshta është nga të paktët qytetarë të Durrësit, që ndihet i kënaqur me punën e Bashkisë të qytetit, për masat paraprake që ka marrë, për të shpëtuar  qytetarët nga (për)mbytjet e pikave të shiut të …verës. Ndoshta,  ngaqë është edhe në fund të skadimit të mandatit të tij si prefekt, zoti Juka, hedh spirancat te moli i Dakos, për ndonjë mundësi ri-punësimi, paçka se qyteti u përmbyt nga betonizimi i ndërtimeve pa leje të kolektorëve të derdhjes së ujërave në det.

– Zoti prefekt, si është gjendja sot në qytetin e Durrësit, pas rrebeshit të shiut?

Sot pati një rënie të madhe shiu në qytetin e Durrësit. Nuk është se shiu na gjeti të papërgatitur, për të përballuar gjendjen, por ishte një intensitet i madh i reshjeve. Në Durrës funksionon evakuimi i ujërave, në saj të sistemit të pompave të hidrovoreve.

– A funksionuan pompat e hidrovoreve?

– Në momentin e rrebeshit, pati edhe shkarkime elektrike të rrufeve, të cilat dëmtuan  energjinë elektrike në hidrovore, përkohësisht, për një orë dhe krijoi një anomali në hidrovore.  Por mosfunksionimi i hidrovorit të Porto Romanos, nuk do të thotë se ka krijuar anomali në shkarkimin e ujërave të qytetit, sepse dihet, që sistemi i hidrovorit punon pas 2-3 orësh, pasi ka rënë shiu.

Problemi është: A është ndërtuar një infrastrukturë e tillë, që qyteti i Durrësit të mos kërcënohet nga reshjet e shiut, pavarësisht intensitetit dhe kohëzgjatjes së shiut?

– Durrësi ka patur mbi kurorën e kodrës një kolektor të madh, që bënte shkarkimin e ujërave në det. Por, në saj të ndërtimeve të vazhdueshme  dhe pa kriter që janë bërë, shtrati i këtij kolektori është betonizuar dhe një pjesë është e pamundur edhe të pastrohet. Ky është shkaku kryesor që Durrësi përmbytet nga reshjet.

– Cilët janë shkaktarët e përmbytjes të qytetit të Durrësit?

– Së pari, janë këto ndërtimet pa kriter.

Cilët janë përgjegjësit e ndërtimeve pa kriter, që kanë betonizuar edhe kolektorin e shkarkimit të ujërave në det?

Ju mund të pyesni edhe ndryshe: Këto ndërtime pa kriter mbi kolektorin e  shkarkimit të ujërave në det, janë legalizuar?

– Vërtet, a janë të legalizuara ndërtimet që kanë betonizuar kolektorët e shkarkimit të ujërave në det?

– Nuk besoj që janë legalizuar, megjithatë, nuk jam shumë i sigurt.

– Po Bashkia e Durrësit, a ka ndërtuar infrastrukturën e duhur për të përballuar reshjet e shiut?

– Ju thashë, janë ndërtuar sistemi i thithjes së ujit nga hidrovorët.

Sipas jush, Bashkia e qytetit e ka bërë punën që Durrësi të mos përmbytet?

– Ndërmarrja që merret me ujësjellsat dhe kanalizimet, nuk varet nga Bashkia.

– Po vetë Bashkia e qytetit, a ka marrë masat e duhura që Durrësi të mos përmbytet nga shiu?

– Mund t’ju them, që sot unë e kryetari i Bashkisë i kemi koordinuar shumë mirë punët. Para pak minutash, ngritëm një shtyllë të tensionit të lartë, që kishte rënë.

 

 Drejtori i  UK-së, mungon nga përmbytjet,  për arsye familjare

 Ndërsa dje qyteti i Durrësit u përmbyt nga shiu, ndoshta i vetmi njeri që nuk pa asgjë se ç’bëhej në qytet ishte Doklead Ademi, drejtori i UK Durrës. I kontaktuar nga “Telegraf” për gjendjen e qytetit të Durrësit, pas përmbytjes nga reshjet e shiut, zoti Doklead Ademi, drejtori i UK Durrës, u përgjigj: “Për fat të keq, unë nuk di asgjë, sepse dot, tërë ditën ndodhem në spital, për shkak të një sëmundjeje të një njeriu tim shumë të afërt të familjes”.