LSI prezanton programin në Durrës, Guri: Fillojmë me ndërtimin e zonave të lira ekonomike 1 dhe 2

200
Sigal

Lëvizja Socialiste për Integrim ka prezantuar sot programin ekonomik në Durrës. Drejtuesja Politike e Qarkut të Durrësit, Elona Guri tha se ky është vizioni i LSI-së për ndryshimin dhe transformimin rrënjësor ekonomik dhe social të Durrësit.

Sipas saj, projekti i rindërtimit po përdoret për demagogji kurse vaksinimi për elegji, por se kjo do të marrë fund më 25 prill. Ajo tha më tej se kur kemi parashikuar Krijimin e Zonave të Lira ekonomike me ngarkesë fiskale dhe taksa 0, kemi shprehur vullnetin për ta filluar me Durrësin, duke ndërtuar Zonat e Lira Ekonomike Durrësi 1 dhe 2.

“Shqipëria sot, po vuan prej Rilindjes. Si çdo qytetar i vendit edhe qytetarët e Durrësit vuajnë papunësinë, vuajnë ekonomikisht sepse nuk përballojnë dot koston e jetesës, vuajnë për të mbajtur gjallë biznesin prej taksave të larta, kostove të shtuara dhe armiqësisë së qeverisjes aktuale ndaj qytetarëve të ndershëm.
Jeta ekonomike e qytetit, dominohet nga interesat korruptive të lidhjes mes politikës dhe bandave. Kjo, ka sjellë varfëri tek çdo familje durrsake. Ka sjellë shpopullim, ka sjellë humbje shprese. Në portin më të madh në Shqipëri, bëhen ‘të pabërat më të mëdha’ në kurriz të vrendit. Kur e kundërta duhet të ishte e vërtetë.
Projektin e rindërtimit, ne e kemi parë nga afër edhe me kryetaren e LSI-së në takime me qytetarët, ai po përdoret për demagogji, sepse beton ka për projektet e pastrimit të parave dhe jo për ndërtimin e shtëpive të durrsakëve. E ndërsa rindërtimi është demagogji, vaksinimi është elegji. Fjalë në ajër, zero mbështetje nga qeveria. Kjo merr fund në 25 Prill”, theksoi Guri.

Ajo u shpreh se LSI ka marrë angazhimin, t’i kthejë Durrësin qytetarëve të zakonshëm. “Durrsakëve të ndershëm që paguajnë taksa dhe nuk marrin shërbim, që nisin fëmijët në shkollë por s’marrin arsim, që kanë dëshirë të jetojnë këtu, por s’marrin perspektivë zhvillimi nga shteti. T’ua kthejmë, atyre mijëra njerëzve që kam takuar në këto muaj, të cilët, inatin me padrejtësitë që përballen duan dhe duhet ta kthejnë në forcë ndryshimi, që Durrësi të jetë shtëpia e tyre dhe jo shtëpia e mafias dhe e krimit. Për këtë arsye, në platformën politike të LSI-së, kur kemi parashikuar Krijimin e Zonave të Lira ekonomike me ngarkesë fiskale dhe taksa 0, kemi shprehur vullnetin për ta filluar me Durrësin, duke ndërtuar Zonat e Lira Ekonomike Durrësi 1 dhe 2”, u shpreh Guri.

Sipas saj, ekonomia e Durrësit është sot e mbajtur peng, në duart e 3-4 individëve, të cilët përfitojnë çdo gjë duke lënë shumë pak për njerëzit. “Që kjo të ndryshojë, pra që njerëzit të fitojnë, secili të marrë atë që i takon, ne duhet ta çlirojmë ekonominë nga monopolet që grupet e interesit kanë krijuar. Ne duhet jo vetëm të nxisim investimet vendase, por duhet të tërheqim investime që krijojnë punësim dhe rritje ekonomike. Duhet ta kthejmë Shqipërinë në Shtëpinë e Investimeve, që investitorët e huaj me potencial të mos shohin drejt Maqedonisë, Serbisë apo vendeve të tjera në rajon, por le të vijnë në Durrës, të punojnë me durrsakët, të krijojnë vende pune në Shqipëri dhe të rritemi sëbashku”, tha Drejtuesja Politike e LSI e Qarkut të Durrësit.

Guri theksoi se zonat e Lira Ekonomike, do t’ua mundësojnë atyre këtë gjë, duke mënjanuar çdo pengese që aktualisht i ka ngritur Rilindja investitorëve të huaj për të ardhur në Shqipëri. “Ndërsa Rama nuk i do investitorët e huaj, që ekonomia shqiptare të jetë monopol i oligarkëve, me ndryshimin që vjen, ekonomia kthehet në shërbim të të gjithëve. Pozicioni gjeografik, Porti i Durrësit, lidhja infrastrukturore, afërsia me aereoportin dhe lidhja tokësore me Kosovën dhe rajonin, sëbashku me burimet njerëzore profesionale që jetojnë në Durrës, tregojnë më së miri për potencialin e zhvillimit. Potencial, të cilit i ka mungur deri më sot, vullneti nga politika që ta vendosë Durrësin në shërbim të punësimit dhe mirëqenies së qytetarëve të tij. Ndërsa i gjithë programi i LSI ka synim kryesor PUNËSIMIN E QYTETARËVE, ky projekt specifikisht e kthen Durrësin në motor të punësimit masiv dhe të mirëpaguar. LSI vjen me plane të qarta për zhvillimin e Durrësit dhe tani Z. Eno Karapici, do të prezantojë në detaje njërin prej tyre, projektin e Zonave të Lira Ekonomike Durrësi 1 dhe 2”, deklaroi  Elona Guri.