LSI, Petrit Vasili: Nuk e votojmë qeverinë ‘Rama 2’ dhe Ruçin

544
Kreu i grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili në një intervistë për Report Tv ka deklaruar se nuk do të votojnë Gramoz Ruçin si kryetar Kuvendit dhe qeverinë e re “Rama 2”.
Sipas tij, qeverinë “Rama 2” nuk e kanë votuar 80 % e shqiptarëve, prandaj edhe LSI do të votojë kundër në Kuvend.
“Vota jonë do të jetë kundër Ruçit si Kryetar i Parlamentit. Nuk e votojmë qeverinë “Rama 2”.
Qeverinë “Rama 2” nuk e kanë votuar 80% e shqiptarëve”deklaroi ai për Report Tv.
Nesër do të mblidhet Kuvendi për seancën konstituive, ndërsa në ditët në vijim pritet edhe votimi i qeverisë së re.
Intervista e Kryetarit të Grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili, dhënë për “REPORT TV”

Z. Vasili, nesër hapet sezoni i ri parlamentar. Si kryetar i ri i grupit i rikthyer në detyrë, cilat janë sfidat e grupit parlamentar të LSI-së tashmë një parti opozitare?
Rruga në të cilën do eci i gjithë veprimi politik i grupit parlamentar është rruga e një opozicioni jo vetëm të fortë edhe shumë të qartë për qytetarët në radhë të parë, i mbështetur në çështje të mëdha parimore dhe që kanë të bëjnë me ruajtjen e interesit publik i cili dukshëm është cenuar shumë nga mjaft interesa financiare dhe klienteliste të qeverisë. Së treti për të dhënë jehonë dhjetëra dhe qindra shqetësimeve qytetarëve të cilat mbyten nga një propagandë qeveritare të cilat riciklojnë një dëshpërim dhe deprimim shoqëror tepër të fortë.

Ndërkohë, z. Vasili nesër të paktën pritet të jetë votëbesimi i kryetarit të ri të parlamentit. Do të jetë LSI-a një votë pro për Gramoz Ruçin? 
Grupi parlamentar i LSI-së do të diskutoj pasi kandidaturat të bëhen publike. Është seanca parlamentare e cila do t’i bëjë publike dhe sigurisht do përcaktojë edhe qëndrimin ndaj këtij votimi. Për ne është një çështje krejtësisht e pa rëndësishme, por sigurisht jam i bindur që nuk do të jetë një votë pro.

Megjithatë është i njohur ekipi i ri në qeveritar. Besohet që shumë shpejt nga data 17 para se kryeministri të iki në OKB do ketë edhe një votëbesim të parlamentit të qeverisë së re. Si do të jetë në këtë këndvështrim vota e LSI-së? Është njësoj si për kryetarin e ri të Kuvendit?
Së pari ju thatë që do të ketë një datë të caktuar që lidhet me ikjen e kryeministrit. Besoj që ke një qasje të gabuar . Mbledhja parlamentare dhe votëbesimi i qeverisë është një moment shumë i rëndësishëm diskutimi dhe nuk lidhet aspak me data agjendash apo udhëtimesh, qofshin këto të karakterit politik, apo të karakterit turistik, siç është në zakonin e kryeministrit që ti bëjë. Natyrshëm që në strukturimin e kësaj qeverie, që në qasjen e saj, është e qartë që ekziston një qasje tërësisht e shtrembër, ka të njëjtën pamje sikurse pati dhe vota e blerë dhe e shitur e 25 qershorit. Dhe natyrshëm nuk mund të ecim në këtë rast kundër vullnetit të shqiptarëve të cilët në masën gati 80 përqindësh nuk e kanë votuar këtë maxhorancë dhe kanë qenë kundër saj. Natyrshëm dhe ne jemi me shumicën e 80 përqindëshit nuk mund të jemi me 20 përqindëshit e minorancës.

Opozita, në praktikën e mëparshme ka qenë që drejtonte 3 komisione parlamentare, do të kërkojë LSI të drejtojë ndonjë prej komisioneve, për shembull integrimin, çështjeve sociale ose të medias?
Është një çështje besoj e parëndësishme. Sigurisht do të ketë një diskutim sepse LSI ka një raport të rëndësishme edhe numerik në parlament. Gjëja më kryesore është veprimtaria, fjala, puna, fuqia e debatimit dhe ngritjes së çështjeve të çdo deputeti dhe kjo është dhe fuqia kryesore të cilën ne e disponojmë dhe do ta vëmë në jetë me një intensitet shumë të lartë. Pjesa burokratike e drejtimit të një komisioni, një kryetare, një nënkryetar, një sekretar besoj se është një çështje krejtësisht e dorës së dytë.
Sigal