LSI denoncon në KQZ zyrtarë të lartë të administratës që morën pjesë në takimet elektorale të PS

204
Sigal

Lëvizja Socialiste për Integrim e qarkut të Vlorës ka denoncuar në KQZ, tre zyrtarë të administratës publike, duke i akuzuar se kanë shkelur ligjin duke marrë pjesë në takimet elektorale të kandidatëve të Partisë Socialiste.

Në denoncim merret vesh se bëhet fjalë për Anjeza Shikon, drejtoresha e Tatim Taksave në Bashkinë e Vlorës, Francesko Mucajn, drejtor i Shërbimit të Provës në Vlorë dhe Klajdi Myzaferin në pozicionin e Drejtorit të Formimit Profesional në Zyrën e Punës.

Në denoncimin e LSI-së thuhet se këta zyrtarë kanë shkelur ligjin dhe vendimin numër 9 të KQZ marrë me datë 24.12.2020.

Sipas denoncimit, me datë 6 prill, kandidati për deputet i Partisë Socialiste ka postuar në faqen e tij zyrtare Facebook një veprimtari publike ku ka qenë pjesë dhe Anjeza Shiko, drejtoresha e Tatim Taksave në Bashkinë Vlorë.

LSI thekson po ashtu se më 5 prill ish-drejtoresha e Drejtorisë Tatimore Vlorë dhe kandidate për deputete e Partisë Socialiste Pranvera Resulaj ka postuar në faqen e saj zyrtare Facebook një veprimtari publike ku kishte marrë pjesë dhe Francesko Mucaj, drejtor i Shërbimit të Provës Vlorë, njëkohësisht ka dhe statusin e nëpunësit civil.