Llogaritë e shifrave/ Shpejtësia me të cilën Basha po e shpërbën PD-në

266
Sigal

Menjëherë pasi mori vendimin për të pezulluar Berishën nga grupi parlamentar, Lulzim Basha e përligji vendimin e tij personal me justifikimin: “E bëra për të mos përçarë PD”.

Sot pasojë e këtij akti nuk janë vetëm skenat e fëlliqura të përleshjes së demokratëve me njëri- tjetrin, por edhe reduktimi i forcës numerike të opozitës.

Tani PD është më e dobët se kurrë, me një forum rinor të shpërbërë, me atë të gruas lesh e li dhe me aleancën plotësisht të prishur me LSI-në, që ndonëse numëron vetëm katër deputetë edhe në ditën e saj më te keqe ka rreth 100 mijë vota opozitare.

Që kur ka filluar kuvendi, Basha pothuajse e ka përfunduar koordinimin me 7 deputetët aleatë të partive të djathta, të cilët jo vetëm nuk janë mbledhur më sëbashku, po as nuk kanë bashkëvepruar në kuvend.

Por, akti i i fundit i përjashtimit “de jure” të katër deputetëve të foltores dhe “de facto” edhe të 9 të tjerëve që kanë mbështetur aksionin e Berishës e ka tkurur rëndë fuqinë e fraksionit të vulës në parlament.

Nga 63 deputete që arriti të sigurojë opozita e bashkuar pas kasaphanës së 25 prillit, sot deputetë rreth Bashës kanë mbetur në rastin më të mirë 38 (duke futur tek grupi i tij këdo nga të zgjedhurit demokratë që ndonëse nuk është shprehur por Bashës nuk ka dalë as pro Berishës). Pra në këto pak muaj grupit të selisë dhe vulës i kanë mbetur më pak deputetë sesa PD kishte në ditën e saj më të zezë, para djegjes së mandateve, në parlamentin e 2017-ës.

Dhe po të shtosh këtu edhe faktin se legjitimiteti dhe morali i një pjese të këtyre deputetëve ka rënë  – pasi ata ngjanë më shumë me opozitën e re të Murrizit dhe Rudina Hajdarit -, besueshmëria e një kundërshtimi ndaj Ramës ka shkuar afër zeros. Boll të shohësh qarkun kryesor, atë të Tiranës, për të rokur përmasën e tragjedisë. Në kryeqyetet, bashkë me atë vetë grupi i Bashës ka vetëm pesë anëtarë (Grida Duma, Jorida Tabaku, Alfred Rushaj dhe Oriola Pampuri).

Për këtë arsye dhe për rrethanat e kohëve të fundit, pro berishisti Edi Paloka iu drejtua me këtë mesazh të hapur kolegëve të tij: “Keni menduar te dilni ne baze?

Edhe ne rruge do ju vij turp te dilni ne se pranoni te perdoreni nga Basha e Rama. Si do shkoni ne zonat tuaja tek demokratet ? Votat e kujt do kerkoni , apo do ju a jap Edvini me policet e tij?

Po ne Parlament si do e beni opoziten ?! Mendoni pak , kur te duhet te dilni ne Parlament e te sulmoni Ramen si opozitare. E dini si do ju pergjigjet ?

“Mor lul po ti me keta te tjeret, po me qaje ne telefon qe te te sillja policine e krimit e te te shpetonte nga demokratet…!”

Do pranoni te beheni me qesharake se “kerperata” e jenisheri ne Parlament( se dhe ata ne fakt deputete te Lulit ishin)?

Me sa duket i nisur nga i njëjti shqetësim edhe Agron Gjekmarkaj, ndonëse i rreshtuar pro Bashës, i bëri atij thirrje që krizën ta zgjidhë jo me përplasje por me votë: “atij më shumë se kujtdo i bie barra për të gjetur zgjidhje, jo fjalime, e përsëris, zgjidhje që ofrojnë shanse për të gjithë, për t’u kthyer për të konkurruar për kryetar e çdo gjë tjetër, për të kontribuar, duke mundur çdo gjykim e paragjykim” shkroi ai duke shtuar se vetëm kjo është rruga për të mos marrë mbi vete mallkimin e demokratëve.

Por vetëm dy ditë pasi dëgjoi thirrje racionale si ato të deputetit asnjëanës, Tomor Alizoti, Basha shpalli përjashtimet e reja duke treguar se karrigen kërkon ta mbajë qoftë edhe me çmimin e mallkimit nga anëtarësia./Lapsi.al/

Grupi i deputeteve qe deri me tani se kane kundershtuar Bashen

Jorida Tabaku, Alfred Rushaj, Grida Duma, Enkelejd Alibeaj, Gazment Bardhi, Orjola Pampuri, Kasëm Mahmutaj, Xhelal Mziu, Kreshnik Çollaku, Dhurata Çupi, Merita Bakiu, Ferdinant Xhaferaj, Andia Ulliri, Flutura Açka, Lefter Gështenja, Dashnor Sula, Zheni Gjergji, Eralda Tase, Saimir Korreshi, Ilda Dhori, Flamur Hoxha, Isuf Celaj, Agron Gjekmarkaj, Lindita Metaliaj, Kastriot Piroli, Elda Hoti, Helidon Bushati, Emilja Koliqi, Ramadan Likaj, Greta Bardeli, Zef Hila, Ina Zhupa, Fation Veizaj, Arbi Agalliu, Ervin Salianji, Bledjon Nallbati, Seladin Jakupllari