Ligjvënësit do t’i rikthehen jetës parlamentare! Ja kush nga politikanët do t’i thotë “lamtumirë” Kuvendit!

73
Sigal

Më 26 maj deputetët do t’i kthehen jetës parlamentare, pas një shkëputje të gjatë për shkak të zgjedhjeve të 11 Majit.

Për shumë prej tyre ky rikthim në Kuvend do të jetë dhe i fundit, për t’i lënë më pas vendin në shtator deputetëve të rinj të dalë nga zgjedhjet e majit.

Si të djathtë, po ashtu dhe të majtë nuk arritën që të sigurojnë votat e mjaftueshme për të ruajtur vendin e tyre në Parlamentin e Shqipërisë. Por, pati dhe nga ata, të cilët u lanë jashtë listave të “sigurta” dhe si rrjedhojë vendosën që të tërhiqen nga gara. Këtu vlen të përmendim Dashnor Sulën, një nga deputetët më të zëshëm të Kuvendit, i cili pa dyshim që do t’i mungojë jetës parlamentare.

Një tjetër figurë e rëndësishme politike është dhe Lulzim Basha i cili nga shtatori nuk do të jetë më pjesë e Kuvendit. Kjo, pasi në zgjedhjet e 11 Majit ai garoi nën siglën e Koalicionit Demokratë Euroatlantikë, por nuk arriti që të siguronte mjaftueshëm vota për të marrë as edhe një mandat.

Të njëjtin “fat” e pati edhe Enkelejd Alibeaj me Dashamir Shehin, të cilët me koalicionin e tyre “Djathtas për Zhvillim” nuk morën votat që i duheshin për një ulëse në Kuvend.

Disa nga demokratët të cilët do të kenë sesionin e fundit parlamentar janë: Andia Ulliri; Dhurata Çupi; Edmond Spaho; Asllan Dogjani; Ferdinant Xhaferaj; Flutura Açka; Kreshnik Çollaku; Orjela Nebijaj; Orjola Pampuri; Sorina Koti.

Ndërkohë që dhe në kampin e socialistëve nga shtatori do të ketë mungesa të figurave me peshë të kësaj force politike. Për herë të fundit në këtë sesion parlamentar do të rikthehen: Pandeli Majko, Ermonela Felaj; Toni Gogu; Blerina Gjylameti; Mimi Kodheli; Etilda Gjonaj; Plarent Ndreca; Klotilda Bushka; Arben Pëllumbi; Etjen Xhafaj.