Largimi i Fatmir Xhafaj nga posti i ministrit është kusht i panegociushëm

558
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Opozita nuk proteston deri në 28 qershor, që të mos pengojë procesin e negociatave

Shumëkush e kritikoi vendimin e kryetarit të PD-së, Lulzim Basha, që të tërhiqte protestuesit nga Ministria e Brendshme. Mirëpo vetë Basha shpjegon: “Atyre që bëjnë thirrje për dhunë dua t’u përgjigjem direkt: PD-ja lindi dhe është forcë evropiane. Ajo është parti e njerëzve që besojnë tek liria, demokracia dhe vlerat evropiane. Fuqia e saj janë njerëzit dhe vullneti i lirë i tyre dhe jo dhuna. Edi Ramën dhe Fatmir Xhafajn i rrëzon e vërteta dhe jo dhuna. Dhuna nuk është zgjidhja, e vërteta është zgjidhja” – thotë kreu i PD-së.

U diskutua bojkoti i parlamentit

Dje, grupet parlamentare të PD-së dhe LSI-së kanë përpiluar dhe miratuar edhe strategjinë politike që do të ndjekin pas protestës të 26 majit 2018.

Në grupin parlamentar të PD-së, u hodh mendimi që duhej të bojkotohej parlamenti. Deputeti i PD-së, Flamur Noka: Hapi i parë mbetët bojkoti i parlamentit. Ramës i dhamë shumë kohë për Xhafën. Deputeti Bardh Spahia: Të marrim në konsideratë bojkotimin e parlamentit. Shqipëria nuk mund të bëjë përpara me dy ministra të brendshëm të lidhur me drogën. Ka ardhur koha që të marrim seriozisht në konsideratë opsionin e bojkotit të parlamentit. Berisha tha se bojkoti parlamentar për dekriminalizimin ka dhënë efekt. “Bojkot, nuk mund të qëndrojmë me narko-trafikantët. Bojkoti që bëmë për dekriminalizimin pati efekt. Shqipëria aktualisht është në fokus të ndërkombëtarëve.”-ka thënë Berisha. Mirëpo, bojkoti i parlamentit nuk u pranua.

Vendimi, jo protestë deri në 28 qershor 2018

Kryetari I PD-së, Basha, edhe pse pranoi që bojkoti I parlamentit është I rëndësishëm, por, nuk është koha e duhur politike. Basha, ndër të tjera argumentoi: “Lëvizja drejt bojkotit parlamentar në kushtet kur jemi investuar fort për hapjen e negociatave, rrezikon të devijojë vëmendjen nga çështja kryesore: Që kemi një qeveri të lidhur me krimin e organizuar dhe trafikun e drogës. Kemi një ministër të Brendshëm, vëllai i të cilit është një trafikant ndërkombëtar droge, i dënuar në Itali nga drejtësia italiane, por që me mbrojtjen dhe ndihmën e vëllait ministër të Brendshëm vazhdon aktivitetin kriminal. Pas diskutimeve në grupin Parlamentar të PD-së dhe LSI-së, të dyja forcat kryesore opozitare kanë marrë vendimin final për të mos e bojkotuar Parlamentin..

LSI merr vendimin, ja kur mund të nisë aksioni i ri

Paralelisht me mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, është zhvilluar dhe mbledhja e grupit parlamentar të LSI-së. Mbledhja u drejtua nga Petrit Vasili dhe në fokus të diskutimit ka qenë qëndrimi i kësaj partie në raport me qeverinë dhe çështjen Xhafaj. Burimet nga LSI-së bëjnë me dije se LSI mbështet bojkotin por pas datës 28 qershor. Mësohet se deri në datën 28 qershor, deputetët e LSI-së do marrin pjesë në komisionet parlamentare. Data 28 qershor lidhet me vendimin e Komisionit Evropian për hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE-në.

Largimi i ministrit Fatmir Xhafaj nga qeveria

Opozitarët kanë vendosur të vijojnë me denoncime, për të kërkuar shkarkimin e ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe të shikojnë opsionin e bojkotit të Parlamentit pas 28 qershorit, kur të merret edhe vendimi për negociatat. Duket se hapja ose jo e negociatave do të sjellë zhvillime të reja në skenën politike këtë verë, duke sjellë paralajmërimin e parë të fortë se opozita mund të djegë mandatet ose të bojkotojë parlamentin. 

Dash Shehi: Është e papranueshme që Fatmir Xhafaj të qëndrojë në krye të Ministrisë së Brendshme

Në një prononcim për gazetën “Telegraf”, kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi thotë se është e papranueshme që Fatmir Xhafaj të qëndrojë në krye të Ministrisë së Brendshme, pas materialeve të publikuara për vëllain e tij, që e implikojnë në trafikun e drogës. Deputeti Shehi shprehet se nuk është e drejtë që punonjësit e policisë të penalizohen për shkak të vetingut, ndërsa ministri i Brendshëm të mos preket, ndërkohë që akuzat për vëllain e tij janë të forta.

Alibeaj: Si një akt hyjnor, Xhafaj dërgon vëllanë në Itali, prokuroria e kapur prej tij

Deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj tha se ministri i Brendshëm ka kapur Prokurorinë. Ai tha se kërcënohet ende dëshmitari X dhe gazetari që publikoi audio-përgjimin. Alibeaj: Një ministër i Brendshëm, i cili ka kapur Prokurorinë se policinë e ka, i cili ka eliminuar me reformën në drejtësi, është hedhur në sulm frontal si e si ky skandal të mos plaste. Ende kërcënojnë atë dhe gazetarin dhe e joshin me para dhe e fundit si një akt hyjnor për të larë veten e dërgon vëllanë e vet në Itali për të vijuar dënimin. Të gjitha këto tregojnë një qeveri të zhytur në krim.

DEKLARATË SOLIDARIZIMI

Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë dënon me forcë dhunën e policisë ndaj gazetarit të “Rilindja Demokratike“, Bledi Kasmi, gjatë protestës së opozitës, të shtunën e 26 Majit në Tiranë. Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë i uron shërim të shpejtë kolegut Kasmi, e falënderon ekipin mjekësor të spitalit të traumës në kryeqytet, për kujdesin në mjekimin e gazetarit. Ne vlerësojmë se dhuna ndaj një gazetari, që kishte me vete vetëm një celular, është e papranueshme dhe duhet dënuar. Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë i bashkohet reagimit të organizatës “Reporterët pa kufij”, duke kërkuar nga Kryeministri Edi Rama, që të dënojë publikisht përdorimin e dhunës nga Policia.

Zbulohet laboratori ku po analizohet audio-përgjimi i Agron Xhafajt

Ekzaminimi i audio përgjimit të realizuar në të cilin supozohet se është regjistruar një bisedë mes Albert Veliut dhe Agron Xhafajt, i dërguar nga autoritetet shqiptare në Itali, do të ekzaminohet në Institutin e Policisë Shkencore në Romës. Ky laborator vlerësohet nga ekspertët kriminalistë si një nga më të mirët për ekzaminimin e regjistrimeve audio dhe video. Këtë laborator e ka përzgjedhur ministria italiane e Drejtësisë të cilës iu dërgua me letër porosi nga Tirana.