KVV: Ja defektet e zgjedhjeve të 23 Qershorit

411
Sigal

Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë publikoi dje, konkluzionet për procesin zgjedhor

Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë publikoi dje, konkluzionet për procesin zgjedhor, të cilin e vlerësoi si përgjithësisht të qetë, pavarësisht disa incidenteve të vogla dhe ngjarjes së rëndë në Laç, ku një person u vra dhe dy të tjerë u plagosën. Problemet e konstatuara nga vëzhguesit vendorë gjatë procesit të votimit lidhen me vonesat në hapjen e qendrave, votimet familjare, problemet me kartat e identitetit, problemet për intimidimin e zgjedhësve. Në raportin e KVV-së, puna e KQZ-së gjatë ditës së zgjedhjeve konsiderohet e mirë, pavarësisht faktit që ky institucion po funksionon vetëm me 4 anëtarë. Lidhur me fushatën elektorale, KVV evidenton se subjektet politike kanë shkelur Kodin Zgjedhor, duke e filluar fushatën elektorale përpara afatit të përcaktuar në kod.

 Raporti

Shqipëria hyri në këto zgjedhje me një kuadër ligjor të përmirësuar ndjeshëm në reformën elektorale të korrik 2012, gjatë të cilit Kodi Zgjedhor është amenduar në 99 nene nga 186 nene që ka ai, pra në më shumë se gjysmën e dispozitave. Zgjedhjet Parlamentare u mbajtën në një klimë politike të polarizuar, e cila ka ekzistuar që pas rezultatit të kontestuar të Bashkisë së Tiranës, dhe ka vazhduar më pas me shqetësimin permanent të opozitës për dominimin e të gjitha institucioneve të pavarura nga maxhoranca. Ky polarizim pati një rritje të ndjeshme menjëherë pas kalimit të Lëvizjes Socialiste për Integrim në krahun opozitar, në muajin prill. Ky moment thelloi akoma më shumë mosbesimin midis kampeve politike dhe sidomos midis dy partive të mëdha PD e PS, çka u shoqërua me kryerje të veprimeve të njëanshme pa i konsumuar më parë në bisedime politike për situatën e re të krijuar, duke sjellë për rrjedhojë bllokimin e funksionimit normal të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.  Ecuria në vazhdim e fushatës ruajti relativisht në mënyrë të njëtrajtshme tensionin dhe polarizimin me të cilën ajo nisi. Ngërçi i krijuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve akoma nuk ka gjetur zgjidhje megjithë ndërhyrjen dhe paralajmërimet e partnerëve dhe faktorëve të rëndësishëm ndërkombëtarë, si dhe të aktorëve vendorë. Fushata është zhvilluar kryesisht nga liderët e partive dhe është sjellë përgjithësisht rreth tyre, veçanërisht për dy partitë kryesore. Tonet në distancë midis dy liderëve kryesorë shpesh janë ngritur duke u përvijuar në sulme të ulëta personale dhe aspak dobiprurëse për publikun dhe qytetarin e thjeshtë. Në këtë komunikim të acaruar, nuk munguan incidente, deri në kërcënime dhe sulme fizike ndaj kandidatëve. Fushata ishte gjerësisht aktive, me shpenzime shumë të mëdha kryesisht në spote televizive dhe mitingje madhështore, e cila është ndjekur me një vëmendje të veçantë nga e gjithë media, nisur edhe nga fakti që mitingjet e mëdha janë regjistruar dhe transmetuar me regji qendrore. Gjatë fushatës u përdorën gjerësisht aktivitetet zyrtare shtetërore në funksion të fushatës elektorale, madje ka pasur raste të përdorimit ndjeshëm të burimeve të administratës shtetërore në nivel lokal dhe qendror. Nuk mungoi edhe përdorimi i fëmijëve, gjuha jo korrekte dhe premtimet e ekzagjëruara dhe jokorrekte. Në përgjithësi dita e votimit eci normalisht, duke përjashtuar incidentin tragjik të ndodhur në Laç, ku një shtetas humbi jetën dhe dy të tjerë u plagosën, si dhe disa incidente të izoluar, ku pati përplasje fizike midis kundërshtarëve politikë. Megjithë tensionin e fshehur në dukje, vazhdimi në tërësi i ditës së votimit ishte e qetë dhe pa incidente të tjera serioze. Qytetarët i dhanë mësimin e radhës partive politike duke shkuar qetësisht dhe masivisht në votime. Vëzhguesit e Koalicionit raportojnë për një vlerësim pozitiv në shumicën e qendrave të monitoruara. Megjithatë, u raportuan një sërë shkeljesh si vonesa në hapjen e qendrave të votimit, votimi familjar i përhapur, probleme me kartën e identitetit, me presione dhe intimidim të votuesve, etj..

Në tërësinë e problematikës që shoqëroi këtë proces Koalicioni radhit këto shqetësime:

– Procesi zgjedhor që në nisje të tij me konstituimin e KQZ-së e deri në fund u trajtua më një ndjeshmëri të ulët ndaj zbatimit të ligjit, duke filluar nga institucionet më të larta të shtetit si Presidenti dhe Kuvendi i Republikës.

– KQZ nuk arriti dot të merrte vendim konsensual të cilësuar as për çështje të thjeshta teknike sikundër ishin ndarja e zonave të administrimit zgjedhor dhe të mandateve për çdo zonë. Madje hoqi dorë nga vendimmarrja me një vendim absurd për të mos marrë vendim.

– KQZ nuk arriti të miratonte rregulloren e brendshme dhe vazhdon të mbetet pa një të tillë.

– KQZ dështoi në implementimin e teknologjive të reja që do të përdoreshin.

– Procesi i përgatitjes dhe saktësimit të listave shënoi shkelje afatesh dhe procese të parealizuara, sikundër parashikoheshin në Kodin Zgjedhor.

– Vendi hyri në zgjedhje me një sërë dispozitash, formalisht jokorrekte dhe të pavlera, për shkak të mungesës së miratimit të dispozitave të reja të cilat kërkojnë shumicë të cilësuar.

– Burimet e administratës qendrore dhe lokale u përdorën gjerësisht, duke cenuar ndër të tjera edhe cilësinë e shërbimeve ndaj qytetarit.

– Financimi i fushatës së kushtueshme elektorale, është në kufijtë e një mungese të thelle transparence për publikun nisur nga mekanizmi i kontrollit dhe kohës së fillimit të tij.

Aktualisht Koalicioni është duke ndjekur me vëmendje procesin e numërimit të votave në të 89 Vendet e Numërimit të Votave.