OSBE/ODIHR: “Ka progres në zgjedhje. Liderët të pranojnë rezultatin”

463
Sigal

Zgjedhjet e 23 Qershorit kishin një progres të vogël nga zgjedhjet e vitit 2009, por ka ende shumë probleme që duhen përmirësuar. Kështu është shprehur Koordinatori i Veçantë që drejton misionin afatshkurtër të vëzhgimit të OSBE-së, Roberto Batelli i pyetur në nivelin e zgjedhjeve në Shqipëri. “Në krahasim me 2009 dhe vendoret e 2011 u vu re progres të vogël, zgjedhje të lira, dhe për mendimin tim, të drejta, por gjithë mangësitë janë të shprehura në deklaratë e do të jenë edhe në raportin tonë. Vlerësimi i procesit do të varet nga mënyra si do vazhdojë procesi, kam parasysh numërimin, tabulimin, shpalljen e rezultateve dhe mënyra si do të administrohen ankesat”,- tha Batelli. Sipas vëzhguesve mosbesimi ka minuar punën e administratës zgjedhore. “Opozita ka bojkotuar KQZ-në,  pas largimit të njërit prej anëtarëve, KQZ-ja e ka bëre punën pa kuorumin e nevojshëm. Është përmirësuar kuadri zgjedhor, që është një bazë e shëndoshë për zgjedhje demokratike. Besimi i publikut në proces është dëmtuar, janë vënë re edhe mangësi në shumë aspekte, mungesë të vendimit të KQZ për ndarjen e vendeve në 4 distrikte, vendimi i Kuvendit ka të bëjë me procesin e drejtësisë së votës”,- tha Batelli.

 Mwomarw: Numërimi i ngadaltë

 Ndërsa Cony Mwomarw ka vlerësuar procesin, por ka theksuar se procesi i numërimit të votave po vazhdon shumë ngadalë. “Ekipi ynë do të shohë edhe administrimin e ankesave. Pas 2 muajsh do të dalim me një raport përfundimtar të plotë me disa rekomandime për përmirësimin e procesit. Procesi i përmirësimeve duhet të vazhdojë se ky është misioni ynë i 11 në vend”,- tha ajo. Gjithashtu, edhe një prej vëzhguesve ndërkombëtar theksoi se numërimi duhet të ishte përfunduar, pasi gjithçka varet nga vullneti i partive. “Rezultatet zgjedhore duhet të dalin sa më shpejt, kjo duhet të kishte qenë shumë më e drejtë për shqiptarët. Ata meritojnë një angazhim tjetër në zgjedhjet e ardhshme”,- tha ai.

 Ettore Sequi: Qëndrimi i BE-së për zgjedhjet do pasqyrohet në progres raport

Ambasadori i BE-së në Tiranë Ettore Sequi theksoi në një intervistë për “Ora News” se, qëndrimi i BE-së për zgjedhjet në Shqipëri do të pasqyrohet në progres raportin që do të publikohet në tetor. “Dua të them dy gjëra. Së pari, ne e kemi vëzhguar procesin dhe së dyti, ne kemi mbështetur OSBE/ODIHR-in duke financuar edhe qëndrimin e vëzhguesve në Shqipëri. Së treti, ne e kemi thënë se këto zgjedhje janë një test kyç për mirëfunksionimin e institucioneve demokratike shqiptare. Së katërti ne kemi mbështetur OSBE/ODIHR-in, por jo vetëm atë pro të gjithë vëzhguesit. Sa i përket vlerësimit tonë ai do të jetë sipas raportit që do të nxjerrë OSBE/ODIHR-i dhe kjo do të jetë edhe në progres-raportin në tetor”,- tha Sequi. Ambasadori Sequi gjithashtu theksoi se procesi i numërimit të votave duhet të përfundojë në respekt të kodit zgjedhor. “Numërimi është tejet i rëndësishëm, pasi kur flasim për procesin e zgjedhjeve nuk duhet të flasim vetëm për votimin por edhe për numërimin. Dhe ne natyrisht shpresojmë që ai të përfundojë në përputhje me kodin zgjedhor të Shqipërisë. Kryetar i delegacionit  të PE dhe zoti Eduard Kukan ishte mëse elokuent në deklaratat e tij”,- u shpreh Sequi.

Intervistë në DW e Eduard Kukan, kryetar i Delegacionit Ad Hoc të Parlamentit Europian, për zgjedhjet parlamentare të 23 Qershorit

 Kukan: “Fitues i vetëm dëshirojmë të jetë Shqipëria”

 

Z. Kukan, a ju dhanë garanci palët se do të pranojnë rezultatin?

– Të dy drejtuesit kryesorë politikë, në takimet që zhvillova sot paradite me ta , thanë që dita e votimeve ishte normale dhe e civilizuar, gjë që është lajm i mirë, pasi procesi elektoral nuk është vetëm votimi por edhe administrimi i votës , procesi i numërimit, pranimi i rezultateve që janë po kaq të rëndësishme sa edhe votimi. Nga takimet që zhvilluam sot me z. Berisha dhe z. Rama morëm garanci për përgjegjësitë e tyre politike që procesi të jetë konstruktiv deri në fund. Kryeministri Berisha rikonfirmoi dhe përsëriti se do të pranojë rezultatin e zgjedhjeve. Ai shtoi se interesi i tij kryesor është që zgjedhjet parlamentare të jenë në përputhje me ligjin shqiptar dhe standardet europiane. Kjo ishte vërtet inkurajuese. Edhe z.Rama na tha se ai është gati të kontribuojë për një atmosferë politike konstruktive dhe të përfundojë procesin në një mënyrë të ligjshme.

– Pra për ju këto ishin zgjedhje “të lira dhe të ndershme”?

– Natyrisht, ka patur problem, kriza në KQZ, ne deklaruam se ajo duhet zgjidhur para ditës së votimit, se duhet të funksionojë plotësisht me 7 dhe jo 4 anëtarë për të marrë vendime me shumicë të cilësuar, që tani nuk i merr dot. E vetmja zgjidhje ligjore është certifikimi i rezultatit nga Kolegji Zgjedhor. Dhe kjo do të jetë një minus në raportin për zgjedhjet parlamentare të 23 Qershorit. Gjithashtu, delegacioni ynë dhe vëzhguesit ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR-it kanë dëgjuar për raste kur punonjësit e sektorit publik janë vënë nën presion nga autoritetet shtetërore të votojnë në favor të partive që bëjnë pjesë në koalicionin qeverisës. Pra nuk kanë qenë zgjedhje të përkryera, por nëse problemi i numërimit do të përfundojë sonte pa asnjë problem.

– Do të përfundojë sonte, kur?

– Duhet të përfundojë sonte, në orën 22:00. Është interesante se për kohën pyetëm secilin nga dy liderët politikë kryesorë, Berishën dhe Ramën, dhe na thanë të njëjtën gjë. Po kështu edhe kryetarja e KQZ, Znj. Lleshi na siguroi që sonte do të ketë përfunduar procesi i numërimit. Sipas Kushtetutës së Shqipërisë, aty nga shtatori do të jetë formuar Parlamenti dhe qeveria e re. Ne dëshirojmë që Shqipëria pas këtyre zgjedhjeve të ketë një imazh më të mirë politik se sa e kishte para zhvillimit të tyre. Kjo nuk është e lehtë , është e vështirë, por është e nevojshme për vendin që të lëvizë përpara drejt Europës.

– Çfarë pritet të ndryshojë për Shqipërinë pas këtyre zgjedhjeve, që ju i përshkruat me tone pozitive?

– Në Dhjetor do të jetë Këshilli Europian që do të merret me Progres Raportet e KE për çdo vend aspirant, që KE do t’i publikojë diku nga tetori. Nëse Progres Raporti do të pasqyrojë situatën e re në Shqipëri dhe shpresojmë që situate e re do të jetë pozitive. Shpresojmë që Progres Raporti që është përherë objektiv është një mundësi tjetër për Shqipërinë që të përballet me situatën në një mënyrë të vërtetë, europiane. Por kjo varet nga drejtuesit politikë, nga vetë shqiptarët. Dëshiroj të theksoj përgjegjshmërinë politike të drejtuesve politikë për këto zgjedhje që filluan mirë dhe duhet të përfundojnë mirë sepse ne dëshirojmë të ketë vetëm një fitues të këtyre zgjedhjeve. Emri i tij është “Shqipëria”.

 Sekretari i Përgjithshëm i Internacionales Socialiste në Tiranë, takohet me Edi Ramën

Ndërsa në Shqipëri nuk ka përfunduar ende procesi i numërimit, Partitë Socialiste Europiane japin mbështetjen e tyre për Partinë Socialiste dhe kreut të saj Edi Rama… Sekretari i Përgjithshëm i Internacionales Socialiste, Luis Ajala ka mbërritur dje  rreth orës 14:30 në selinë rozë, ku është takuar me kreun e PS-së Edi Rama. Takimi me kreun e PS-së, zhvillohet pas shpalljes së fitores nga ana e kryesocialistit Rama. Sipas PS-së, Ajala do të qëndrojë për disa ditë në Tiranë për të mbështetur Partinë Socialiste.

Fyle: Kompletoni procesin sipas standardeve, që të ecni përpara drejt integrimit

 Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle, ka reaguar në lidhje me zgjedhjet në Shqipëri. Në një mesazh të postuar në rrjetin social, Twitter, Fyle shkruan se, duhet kompletuar procesi sipas standardeve, që vendi të ecë përpara drejt BE. Mirëpres votimin e qetë në Shqipëri. Duhet kompletuar procesi në përputhje me standardet ndërkombëtare për të ecur përpara drejt integrimit europian”, shkruan Fyle.