Kuvendi në pritje të “Venecias”/ Maxhoranca tërhiqet nga votimi i ligjit të Antishpifjes, e detyruar nga reagimi i fuqishëm ndërkombëtar

363
Sigal

Do të pritet opinion i Komisionit të Venecias, në 20 mars 2020

Mazhoranca tërhiqet nga votimi i ligjit të Antishpifjes

Dje,  kur duhej të votohej në parlament dekreti i Presidentit Ilir Meta për rishqyrtimin e ligjit për mediat audiovizive, mazhoranca është tërhequr duke e shtyrë votimin deri në marrjen e opinionit të Venecias. Kreu i grupit parlamentar Taulant Balla kërkoi shtyrjen e shqyrtimit të dekretit  Balla: Do të propozoja që votimi i dekretit të shtyhet derisa komisioni i Venecias të sjellë raportin e vet me 20- 21 mars. Ai shtoi se ky ligj ishte çuar në Venecia nga Këshilli i Europës pasi ishte konsultuar më parë me palën shqiptar.e Komisioni i Venecias ka caktuar datën 20 mars për shqyrtimin e paketës antishpifje, seancë në të cilën do të përballet mazhoranca me Këshillin e Europës.

Organizatat ndërkombëtare përsërisin thirrjen kundër paketës anti-shpifje

Disa nga organizatat më të mëdha ndërkombëtare të mbrojtjes së lirisë së shprehjes përsëritën thirrjet drejtuar kryeministrit Edi Rama dhe deputetëve të tij socialistë të mos shtyjnë përpara një paketë kontroverse ligjes të prezantuara nga Rama si “paketë antishpifje” por të vlerësuara nga kritikët si ligje censure të medias. Në një seri mesazhesh në rrjetet sociale, Article 19, Federata Europiane e Gazetarëve, dhe Qendra Europiane për Lirinë e Medias dhe të Shtypit përdorën gjuhë të ashpër kundër ligjeve, të cilat, socialistët thonë se kanë vendosur t’i votojnë sot përfundimisht. Ricardo Gutiérrez, sekretar i Përgjithshëm i Federatës Europiane të Gazetarëve, organizata që përfaqëson dhjetëramijëra profesionistë të medias në kontinent, i konsideroi ligjet “të turpshme”. “Sapo raportuam në Komisionin Europian mbi kërcënimin ndaj lirisë së shprehjes në Shqipëri,” shkroi ai në Tëitter. “Mesazhi ynë për Kryeministrin Edi Rama: Mos vijo përpara me këto ligje të turpshme cenzure në parlament sot. Të gjithë demokratët e kanë denoncuar atë”. Gutiérrez shkoi më tutje duke i bërë thirrje Komisionit Europian “të ndalojë negociatat për anëtarësim me një qeveri që po dhunon standardet ndërkombëtare të Lirisë së Shprehjes”. Qendra Europiane për Lirinë e Medias dhe të Shtypit ECPMF mbështeti deklaratën e mëparshme të eurodeputetit David Lega i cili tha se miratimi i projektligjeve përbën një rrezik të madh për shanset e Shqipërisë për hapjen e negociatave. Article 19, një organizatë tjetër për mbrojtjen e lirisë së shprehjes shtoi: “Ne nxisim kryeministrin Edi Rama të ndalojë përpjekjet për “paketën antishpifje” deri sa Komisioni i Venecias të ketë publikuar opinionin e tyre mbi ndryshimet e propozuara në ligjet e medias.” Komisioni i Venecias njoftoi javën e kaluar se ka marrë një kërkesë nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës për të dhënë një opinion mbi këto projektligje. Përkundër të gjitha kritikave, deputetët socialistë janë shprehur të vendosur të mbyllin veshët dhe të vijojnë me projektligjet.

Ish deputeti Genc Pollo: Çeta e deputetëve rilindasë u zbyth nga liet antifjalë!

Ligjet antifjalë u tërhoqën nga votimi por zbythja e Ramës dhe e çetës së deputetëve rilindistë është e përkohshme. Ligjet në të ardhmen duhet të garantojnë  vetërregulllimin, transparencen e pronësisë etj.,  siç edhe rekomandon Këshilli i Europës. Por me këtë Kuvend kjo nuk ka gjasa të ndodhë. Kjo duhet të ndodhë e do të ndodhë me ndryshimin e mazhorancës.  Gjithësesi një fitore u arrit në sajë të qendrimit opozitar, komunitetit të gazetarëve, organizatave botërore për lirinë e shtypit. Falenderim edhe për zyrtarët ndërkombëtarë, të cilët  u angazhuan për të kundërshtuar Ramën e të tijat ligjet antifjalë përfshi edhe miqtë e Shqipërisë në Parlamentin Europian si David Lega.

VOA/ Anti-Shpifja”, BE e ka theksuar disa herë, paketa nuk është në përputhje me standardet europiane!

Parlamenti në Tiranë shtyu për dy muaj shqyrtimin e një dekreti të Presidentit Meta për të ridiskutuar ndryshimet në projekt-ligjin mbi mediat audio-vizive pasi të shprehet për të Komisioni i Venecias. Ndryshimet në këtë ligj janë pjesë e amendamenteve të së ashtu-quajturës paketa anti-shpifje aq shumë të kundërshtuar nga organizatat e vendase dhe ndërkombëtare të gazetarëve si përpjekje për censurë, sipas tyre, por sipas qeverisë, një përpjekje për të frenuar lajmet e rreme. Kryetari i grupit parlamentar të partisë Socialiste, Taulant Balla, tha se Komisioni i Venecias pranoi kërkesën e tyre për t’u shprehur mbi ligjin e mediave audio-vizive në fund të marsit. Edhe deputetët e opozitës, që marrin pjesë në parlament ranë dakord që të pritet mendimi i Komisionit të Venecias për ligjet e rëndësishme, që kanë të bëjnë me mediat për shkak të ndjeshmërisë së lartë që ka në Shqipëri tema e lirisë së fjalës. Presidenti i Republikës, Ilir Meta, i cili i ktheu pas në Parlament për rishqyrtim projekt-ligjet, tha sot se ishte për t’u përshëndetur vendimi pozitiv dhe i përgjegjshëm i Kuvendit për t’u tërhequr nga votimi i paketës së ashtuquajtur “anti-shpifje”. “Reflektimi i sotëm i shërben qëllimit të madh e të përbashkët të mbrojtjes së të drejtave kushtetuese të të gjithë qytetarëve shqiptarë, dhe garantimit të standardeve demokratike dhe europiane” – tha presidenti Meta. Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Luixhi Soreca, shkroi në Tuiter se BE mirëpret vendimin e shumicës për të shtyrë votimin e ligjit për mediat audio-vizive. “Presim me padurim mendimin e Komisionit të Venecias dhe kurajojmë autoritetet të adresojnë shqetësimet e mbetura të organizatave të mediave dhe komunitetit ndërkombëtar”, theksoi ambasadori Soreca në mesazhin e tij. Bashkimi Europian ka theksuar disa herë në deklaratat për këtë temë se paketa anti-shpifje nuk është në përputhje me standartet europiane mbi mediat dhe lirinë e shprehjes. Projekt-ligjet e paketës së qeverisë të mbiquajtur si anti-shpifje u përgatitën një vit më parë dhe shkaktuan një debat të gjerë, ku u përfshinë edhe institucionet ndërkombëtare. Dhjetëra gazetarë, përfaqësues të organizatave të medias dhe të shoqërisë civile protestuan kundër së ashtuquajturës “paketë antishpifje”, duke deklaruar se qeveria po ngre institucione censure dhe po mundohet të godasë fjalën e lirë. Por socialistët pohuan se po mundohen të rregullojnë tregun e mediave online dhe të shmangin lajmet e rreme. Organizatat shqiptare të shtypit thonë se po kërkojnë standarte europiane dhe ndërkombëtare të lirisë së shprehjes, të cilat qeveria po i shkel me ligjet e sotme duke sjellë censurë dhe autocensurë, ndaj zgjidhja e këtij konflikti të shtypit me qeverinë është rrëzimi i ligjeve ntë ashtuquajtura për anti-shpifjen dhe vetërregullimi i komunitetit të medias.