Kuvendi miraton me 110 vota pr/ligjin për amnistinë

494
Kuvendi miratoi mbrëmjen e së hënës me 110 vota pro, asnjë kundër dhe 1 abstenim, projektligjin “Për amnistinë” nga i cili përfitojnë rreth 720 të burgosur.
Nga kjo amnisti përfitojnë:
a) personat e dënuar vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim deri në 2 vjet për dënime të dhëna deri në datën 30 nëntor 2015, pavarësisht nga koha e mbetur nga dënimi, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale, të parashikuara në nenin 5, të këtij ligji;
b) personat e dënuar me vendim të formës së prerë, me gjobë (për pjesën financiare të pashlyer të dënimit deri në datën 30 nëntor 2015) ose personat, për të cilët gjykata deri më datën 30 nëntor 2015 ka caktuar një nga llojet e alternativave të dënimit;
c) personat e dënuar me burgim, të cilëve, deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, u kanë mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 2 vjet, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale, të parashikuara në nenin 5, të këtij ligji;
ç) personat e dënuara femra, që, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë baras ose mbi moshën 50 vjeç, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale, të parashikuara në nenin 5, të këtij ligji; d) personat e dënuar meshkuj, që, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë baras ose mbi moshën 60 vjeç, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale, të parashikuara në nenin 5, të këtij ligji; dh) personat e dënuar me burgim, të cilët, në kohën e kryerjes së veprës penale, kanë qenë baras ose nën moshën 18 vjeç, me përjashtim të atyre që janë dënuar për disa vepra penale të rënda.

MANJANI: TË VOTOJMË AMNISTINË, ËSHTË FYTYRA HUMANE E SHTETIT
Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani ftoi deputetët të votojnë pr/ligjin për amnistinë, duke theksuar se amnistia është fytyra humane e shtetit.
“I takon këtij parlamenti që të shprehet nëse do apo nuk do që të amnistohen një kategori personash që vuajnë dënimet penale. Kjo është një nisme ligjore, kushtetuese, me natyrë humane. Amnistia është fytyra humane e shtetit dhe i takon parlamentit. Nuk i takon as qeverisë as Ministrisë së Drejtësisë.”- tha Manjani.
Ministri i Drejtësisë theksoi nevojën e një reforme në sistemin e ndjekjes penale, që sipas tij është afër kolapsit.
“Mbipopullimi nuk është një fenomen i ri, është i konstatuar në vite. Gjerat duhet ti shohim ashtu siç janë. Sistemi ynë i ndjekjes penale është afër kolapsit. Kjo është arsyeja që duhet të ngrihemi për të bërë një reformë në sistemin e ndjekjes penale. Ky është një problem që unë e kam ngritur, për të nxitur sa më shumë të jetë e mundur gjykimet e drejtpërdrejta. Ata që arrestohen në kushtet e flagrancës duhet të shkojnë direkt në gjykim”- deklaroi ministri.

VASILI: AMNISTIA, JO DHURATË NË KOHË FESTASH
Kryetar i Grupit të Lëvizjes Socialiste për Integrim e ka cilësuar amnistinë jo si dhuratë në një kohë festash. Gjatë fjalës së tij nga foltorja e Kuvendit, Vasili pohoi se kjo nismë është shqyrtuar në mënyrë profesionale, ndërsa kriter ka qenë jo rrezikshmëria e personit. “Nisma që kemi para për shqyrtime ka vlerësuar në mënyrë profesionale ka dhënë vlerësimin se të gjithë ata që falen nuk shfaqin rrezikshmëri shoqërore. Ata duhet të integrohen në jetën e tyre. Unë nuk do ta pranojë edhe termin ‘një dhuratë që bëhet në kohë festash’. Kjo dhuratë nuk bëhet në kohë festash, por janë përpiluar kërkesat dhe janë parë mirë. Amnistia është një praktikë që nuk ndodh për herë të parë, por të reja do të ndodhin. Ne kemi parë se nga një amnisti të tjetra ka pasur ndryshime. Kjo çështje dhe ky cënim i të drejtave të njeriut mund të zgjidhet. Ndaj e vetmja zgjidhje ishte që organet përkatëse ishte që të shpejtohej gjykimi.”, përfundoi fjalën e tij Vasili.

HALIMI: BASHA PO TREGON SE S’DO TË JETË SI KY KRYEMINISTËR, RAMA DUHET NDESHKUAR
Nga foltorja e Kuvendit, deputeti i PD-së, Eduard Halimi deklaroi se kryeministri Edi Rama mashtroi të gjithë shqiptarët me premtimet e tij marramendëse. Halmi pohoi se kjo është arsyeja që qytetarët shqiptarë janë derdhur rrugëve. “Burgosja nuk ëstëh mënyra për të bërë shtet. Ata janë nderdhur rrugëve, për të ndryshuar këtë qeveri. Kjo qeveri i mashtroi, por solli varfërinë. I braktisi premtimet dhe së bashku me të varfrit. Ata nuk e pranojnë justifikimin e Ramës që miqtë të marrin tenderat. Kjo nuk shkon, as për ata që janë jashtë, dhe as për ne që jemi këtu. Kemi qeverisur edhe në 8 vite, edhe në koalicion, edhe me PDIU dhe LSI. Po si ka mundësi që në asnjë rast në këto 8 vite s’patëm asnjë deputet që merrte tendera. Si ka mundësi që këta janë të gjithë miq të Ramës. Edhe kryeministri thotë se s’ka gjë se thërrime janë, por çfarë do bëjnë ata?! Tenderat me kostum i jep miqësia me kryeministrin. Janë këta më të mençur, apo kemi qenë ne më të kujdesshëm para ligjit?!Ky vend nuk mund të shkojë kurrë kështu, ndaj ata e dinë,. Nëse nuk e ndëshkojnë Ramës sot, nuk do ndëshkohet kurrë. Do e bëjë korrupsionin, kostumin e përditshëm. Ata janë ngritur dhe do ngrihen, pasi ata e dinë se kur një pulitkan jep tendera për miqtë e tij duhet të jetë dita e fundit e tij në këtë detyrë, qoftë Rama apo Basha. Se dita kur kryeministri merr prokurorë e gjyqtarë për të liruar dikë nga burgu, duhet të jetë dita e fundit e tij në atë detyrë.”, tha Halimi.
Nga ana tjetër ai theksoi se Basha po tregon se nuk do të jetë kurrë si ky kryeministër. “Basha deklaroi sot se kur të jetë në pushtet do anulojë ligjin për arsimin e lartë. Nëse ai pret që të marr jaguar e bëjë gjëra si Rama, do rrëzohet pas dy vitesh.”, përfundoi fjalën e tij Halimi.

VOKSHI: BËJINI DHURATË SHQIPTARËVE DORËHEQJEN TUAJ, BEQAJ: JU KËRKONI FALJE QË NUK BËTË ASGJË
Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj dhe deputetja Albana Vokshi u përfshinë në një debat në Kuvend, ku deputetja demokrate i kërkoi ministrit që të japë dorëheqjen, si dhuratë për shqiptarët në këtë fundvit. “Bëjini dhuratë shqiptarëve dorëheqjen tuaj”- tha Vokshi.
Ndërkohë, ministri Beqaj tha se janë demokratët ata që duhet t’i kërkojnë falje shqiptarëve që nuk bënë asgjë për shëndetësinë, kur ishin në pushtet.

BYLYKBASHI: PO NXIRRNI KRIMINELËT NGA BURGU, BRENDA TRI VITEVE, 3 HERË AMNISTI
Demokrati Oerd Bylykbashi akuzoi qeverinë se në këto tri vite ka dhënë 3 herë amnisti për të burgosurit. Sipas Bylykbashit, nga ky ligj përfitojnë lirinë kriminelët. “Në këto tre vite keni sjellë 3 herë amnisti. Jeni të vetmit që falni kriminelë. Këtë që keni bërë, amnisti në fund të dhjetorit, është diçka e radhë. Edhe ajo që keni propozuar nuk qëndron. Se ju po nxirrni spaçatorë e po mbani në burg të tjerë. Po i jepni impresion shqiptarëve se doni ti fusni në burg. Gjatë 2013-ës, kjo ka qenë një qeverisje e të keqes. Për kriminalizimin që i keni bërë politikës por dhe gjithë jetës. Qeveria juaj mund të quhet padrejtësi. Padrejtësi si shkelje e të drejtave.”, tha Bylykbashi. Nga ana tjetër, deputeti i PD-së u ndal dhe tek ligji i pronave. Ai pohoi se qeveria gënjeu se për këtë ligj Gjykata e Strasburgut kishte u kishte dhënë të drejtë. “Për ligjin e pronave ju gënjyet se thatë se dhe Strasburgu na tha të drejtë. Ju miratuat mekanizmin që do shpronësoni ish-pronarët. Padrejtësi për të gjithë ata dhjetra-mijera studentë për të dalë nga një gjendje e cila sot i mban të lidhur, por nëpërmjet arsimit ata mund të behën dikushi nesër. Ju nuk e pranoni shkallën sociale, por mos harroni se dhe kushtetuta e parashikon këtë. Juve po i dëgjoni çdo ditë për skandalet që po bëhen dhe paratë që po jepen majtas e djathtas. Keni ngritur një megaskemë për këtë.”, tha Bylykbashi.

BUMÇI-RAMËS: LARGOHU, LËRI SHQIPTARËT TË PUNOJNË
Deputeti i Partisë Demokratike, Aldo Bumçi i bëri thirrje kryeministrit Edi Rama që të largohet nga pushtet, që ti japë mundësi shqiptarëve që të punojnë. “Ka një mënyrë që shqiptarët të rrinë këtu, lëri shqiptarët të punojnë. Ulni taksat, lejoni zhvillimin e ndërtimit. Shqiptarët do e nxjerrin bukën e gojës vetë, që më pas të rimëkëmben ekonomikisht. Lejoni shqiptarët që të punojnë, largohu me pak fjalë”, deklaroi Bumçi. Teksa u ndal tek eksodi i shqiptarëve, Bumçi pohoi se shkak i largimit të tyre është varfëria.
“Shqiptarët po ikin se po u presin energjinë. Kur të varfrit e vendit po mbipopullojnë burgjet, gjë që e deklaroi dhe ambasadori britanik, çfarë është? Kaq shumë shqiptarë, rreth 100 mijë kanë kërkuar azil politik në Gjermani dhe Europa.”, -tha Bumçi. Teksa u ndal tek kriza në Kosovë, ligjvënësi i djathtë tha se qeveria shqiptare bëri propagandë të madhe për të bashkëpunuar me shtetin fqinjë. “Kjo qeveri, që e nisi me propagandë të madhe, mes dy qeverive, asaj të Kosovës dhe asaj shqiptare, s’kanë asnjë ndikim në Prishtinë, për krizën politike. Thaçi ka se nuk kas pajtim mes Beogradit dhe Tiranës, pasi pajtimi kalon mes Prishtinës. Po kryeministri Mustafa çfarë tha kur ndërhyri Tirana? Tha: “Mos ndërhyni në punët tona të brendshme. Ne në kohë qeverisje kemi pasur marrëdhënie të shkëlqyera.”, përfundoi fjalën e tij Aldo Buçmi.

REPLIKA CANI- TABAKU
Ratifikimi i marrëveshjes së ndryshuar mes palës shqiptare dhe Fondit për Zhvillim Abu Dhabi, për financimin e projektit të bulevardit verior dhe të rehabilitimit të lumit të Tiranës, gjalli debate në Kuvend.
Ministri i Financave, Shkëlqim Cani deklaroi se ky projekt-akt ka si qëllim miratimin e dokumentit ndryshues të marrëveshjes së huasë, ndërmjet qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Fondit për Zhvillim Abu Dhabi.
Ndryshimi konsiston, tha Cani, në rishikimin e skedulit II të marrëveshjes, për të reflektuar gjendjen aktuale të projektit, siç është parashikuar në fazën e vlerësimit të tij. Ky rishikim, sqaroi ai, nuk do të ndikojë në termat dhe kushtet e projektit dhe as do të ketë ndonjë ndikim financiar në marrëveshjen e huasë dhe skedulit në fjalë, të ndryshuar, të cilat mbeten subjekt i marrëveshjes së huasë, të nënshkruar në prill të 2013-ës. “Nuk u gjet në ministrinë e Financave asnjë letër teknike që të argumentojë këtë hua të marrë”, deklaroi Cani, duke shtuar se opozita e djeshme nuk e pengoi projektin për politikë.
Ndërsa deputetja e Partisë demokratike, ish nënkryetare e Bashkisë, Jorida Tabaku tha se ne gjetëm një kredi që nuk ekzistonte dhe zhvilluam një konkurs me tender ndërkombëtar për zhvillimin e këtij projekti. Ajo tha se qeveria po përdor të njëjtin projekt teknik edhe sot por nga katër elementë që kishim ne në projektin e mëparshëm ju po zhvilloni projektin me dy elementë dhe me të njëjtën shumë parash.
Projekti i bulevardit verior dhe i rehabilitimit të lumit të Tiranës është një ndër projektet strategjike më të rëndësishme për zhvillimin e qytetit, pasi ndikon në ¼ e sipërfaqes së tij. Ky projekt ka për qëllim të hapë një zonë të re për zhvillimin dhe rigjenerimin urban, duke e shndërruar pjesën veriore të Tiranës nga një zonë të pa zhvilluar dhe të lënë në harresë, në një nga zonat më të urbanizuara të shekullit 21. Ky projekt do të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin e 885 ha tokë, ku përfshihen ndërtimi i bulevardit verior, rehabilitimi i lumit dhe ndërtimi i unazës së madhe veriore.

BERISHA-RAMËS: SOT SEANCË FUNEBËR, LEXO FLAKËT E BUNKERIT
Ish-kryeministri Berisha në fjalën e tij në seancën e sotme parlamentare e cilësoi seancën e sotme të Kuvendit një seancë funebre, ndërsa akuzoi kryeministrin që ju ka bërë shqiptarëve gjërat me të zeza dhe më të liga se sa diktatori Hoxha.
“Kjo seancë mblidhet si në zi, se zinxhiri i ligësirave dhe të zezave të Edvin Kristaq Ramës që ka trashëguar urrejtje, ju bëri shqiptarëve të gjitha të ligat që s’ua ka bërë kurrë kush, që nga koha e diktatorit Hoxha. Ajo që spikat në qëndrimet e kreut të sotëm të ekzekutivit është përçmimi për vdekje ndaj jush, qënies suaj, intelektit tuaj, familjeve tuaja. 27 muaj më parë kalonte nga sheshi në shesh duke rrahur gjoksin dhe duke u betuar se 97% prej jush do të gëzonit ulje taksash, heqje TVSH për ushqimet, energjinë, shërbim falas shëndetësor, rrogën e 13-të, legalizime falas. Doli që ishte thjesht një birbo, nastradin, miniaturë e atit të tij shpirtëror”.
Berisha e ftoi sërish Ramën të lexojë flakët e bunkerit, ndërsa vijoi akuzat për futjen e kriminelëve në parlament.
“Menduat për 350 mijë vende të reja pune për 4 vite, sot jeni dëshmitarë se ka shkatërruar 73 mijë vende pune. Shqiptarët po ikën se ky vrasës i shpresës së tyre po i përzë, i bind cdo ditë e më shumë se Shqipëria nuk bëhet. Ky këndon, feston me suitën e tij për largimin e tyre. Kjo është një seancë funebër, ikin të gjithë, s’kanë si rrinë këtu. Kemi një vit rresht që hapim parlamentin vetëm me krimin e kriminelët që Rama i futi si tufa këtu. A mund të ndodhë kjo në ndonjë vend tjetër? Dhe të nesërmen nxjerr vrasësin në krye të PS të Shkodrës. Edhe në diktaturë po të ndodhte vrasja pa dashje të largonin, ishte vrasje padashje po të largonin. Për Ramën vrasja e trafiku është vlerë, shitja e grave dhe vajzave është vlerë. Përpiqet t’ja transmetojë Lezhës, Pukës apo zonave të tjera që i urren për vdekje. Ai është kryekrimineli që e stisi këtë proces.
Më tej Berisha shtoi se: “Kjo është një seancë funebër, mbyllet me shpërblim me mirënjohje ndaj xhelatëve të diktaturës komuniste. Ky njeri iu thotë shqiptarëve se për firmën e tij paskam faj unë. Por po i them lexoje mirë flakën e bunkerit, për ndryshe e afërt është dita kur mund të të djegë, lexoje mirë”.
Berisha deklaroi se edhe rritja e akcizës së prodhimit vendas të birrës, ndodhi ngaqë importuesit ia kishin mbushur valixhen me euro kryeministrit.
Berisha tha se Valentin Nallbati u lirua me urdhër të partisë, kurse fakir fukaraja mbetet në burg. Ai ka bërë thirrje të ngrihen kundër qeverisë.
“Sot shqiptarët shkojnë në festat e fundvitit më të dëshpëruar, më të papunë, më të pasigurt se asnjëherë në ekzistencën e tyre në këto 25 vite. Ju bëj thirrje shqiptarëve duke iu përcjellë urimet më të përzemërta për Krishtlindjet dhe Vitin e ri, ju bëj thirrje të ngrihen. Jemi njerëz që nuk meritojmë këtë rrënim. Ata kanë të drejtë të jetojnë plotësisht një jetë me lehtësi dhe përmirësim. Kjo nuk po ndodh, ndaj iu bëj thirrje shqiptarëve të bashkohen dhe t’i japim Edi Ramës dhe bandës së tij, ti themi atij se jemi më të fortë, më të guximshëm se kriminelët e tu që mban përreth, se Frrokët, Shullazët, Shytët. Do ta nxjerrim nga pushteti këtë njeri që vendosi në Shqipëri, regjimin e bandave, regjimin e hajnave të shtetit sepse ky rrëzoi votën tonë. Ky tregoi se çfarë janë zgjedhjet për të dhe se çfarë ka ndërmend të bëjë”, tha Berisha.
Ai akuzoi Ramën se iu dha tatimeve 2% të të ardhurave të shtetit. “Iu dha tatimeve një fond më të madh se shëndetësisë, arsimit, sportit, kulturës të marra së bashku. 8 dhjetori të mbetet për ne një dritë frymëzuese. Herën tjetër t’ia mbathi dhe ne të vendosim këtu për të ardhmen që meritojmë. Edhe njëherë Gëzuar Vitin e Ri!”, mbylli fjalën Berisha. Ndërsa ka uruar edhe kreu i Kuvendit. “Faleminderit, Gëzuar edhe juve!”, tha Meta.

BALLA: PATRIARKU I PD E KUPTON QË KA GABUAR ME ZGJEDHJEN E BASHËS
Në përgjigje të Berishës, deputeti socialist, Taulant Balla tha se qeveria e kaluar erdhi në pushtet me premtimin për legalizimin e pronave dhe bëri 20 mijë legalizime ndërsa kjo qeveri dyfishin.
“Miqësisht mos u merr më me ato mesazhet se të gënjejnë se Viktor Eftimiu ka vdekur në 1972, kurse Nallbati ishte në shtëpinë e tij mirë e bukur. Sa për shifra, kur vihet në parlament merren letra e shifra me vete, nuk flitet me iPadin apo celularin. Mjafton një shifër që ta hedhë poshtë diskutimin. Më 2005 erdhe në qeveri me premtimin e madh se do legalizoje pronat, por bëre vetëm 20 mijë legalizime. Ne në 2 vite kemi bërë 2 herë më shumë, 41 mijë. Protestë më funebër s’kam parë. Kishit ftuar rininë por aty kishte vetëm disa xhaje, një prej të cilëve me kapele Guçi”, tha Balla.
Duke iu drejtuar opozitës, Balla deklaroi se “Ju jeni problemi i vetvetes”.
“Çdo protestues i opozitës është paguar të paktën me 10 mijë lekë për të marrë pjesë në protestë dhe për të gjuajtur me gurë. Protesta ka treguar diferencën e madhe që qëndron mes nesh dhe jush. Më 8 dhjetor, as të enjten dhe as sot, nuk iu prek qimja e flokut atyre që solli PD për të qëlluar me gurë. Nuk mund ta vendosë dot tagrin ‘korruptuar’ Lulzim Basha. Nuk mund ta vendosësh as ti se kush është i korruptuar dhe kush jo. Keni ngritur në SHQUP një departament që shpif”, u shpreh Balla.
Më tej ai ka sulmuar Berishës se ka gabuar me zgjedhjen e Bashës në krye të PD-së/
“Patriarku i PD e kupton që ka gabuar me zgjedhjen e Bashës. Bashën nuk ta do kush as brenda partisë e as në publik. Ky është një dështim i Bashës, por edhe i Berishës. Berisha e kupton se ka dështuar me Bashën dhe përpiqet që mes protestave të tërheqë vëmendjen. Ndryshojnë kryeministrat socialistë dhe deputetët socialistë, por ka 25 vjet rresht që Berisha lexon të njëjtat akuza. 25 vjet i njëjti fjalim, pavarësisht se në këtë sallë janë ndërruar ministra e deputetë. Këtu problemi nuk janë ata që mendojnë ndryshe nga ti Sali, problemi je ti vetë Sali që nuk rri dot pa hedhur baltë mbi ata që mendojnë ndryshe. E ke bërë edhe brenda partisë tënde. Kush nuk ishte në linjë me ty, e largoje. Je një gënjeshtar 71-vjeçar”, tha ai.
Sipas Ballës, PD ka një problem të madh. “Problemi i PD-së janë reformat që po ndërmerr kjo maxhorancë. Problemi juaj reforma në drejtësi, sepse në qeverisjen tënde u mundove të kapje çdo institucion drejtësie. Sigurisht që nuk e pranon dot faktin se reforma në drejtësi do ta ndryshojë këtë situatë të tmerrshme. Thirrja hajde bëjmë qeveri teknike se me këta nuk bëhen reforma, do ta nxjerrë kokën në janar kur të thoni nuk e votojmë reformën në drejtësi se me këta nuk bëhet”, tha Balla.
Sigal